Flash News

OP-ED

Në PS presin listën. Do të jetë me ‘intelektualë të hurit dhe të litarit’?

Në PS presin listën. Do të jetë me ‘intelektualë

Nga Alfred Lela

Dhjetë ditë na ndajnë nga afati ligjor i dorëzimt në KQZ të listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Edi Rama nuk është para një dileme, që e kanë zakonisht kryeministrat e vendeve europiane, të cilëve u duhet të riformatojnë listën, por ndoshta edhe kabinetin, në prag të zgjedhjeve të radhës, nëse e kuptojnë se u duhet një rifreskim komunikimi dhe fytyrash.

Kjo për faktin se çdo gjë, si Rama vetë ashtu dhe ata rreth tij apo publiku jashtë partisë, e lidhin ekskluzivisht me të. Ai është qeveria dhe lista bashkë. Kështu që i tij është edhe basti, fitorja apo humbja.

Ka disa momente, megjithatë, ku atij i duhen frenat.

Së pari në zgjedhjen e toneve të duhura mes një liste ‘socialiste’ apo ‘rilindëse’. Po të vëresh drejtuesit e qarqeve, kupton se jashtë Tiranës ka nevojë ose thirrje për më shumë ‘socializëm’ në bazë. Përjashto Kukësin, ku është zgjedhur një drejtues as rilindas as socialist, por biznesmen, gjithandej shtrihen drejtues me lidhje të vjetra politike.

Kryeqyteti është diçka tjetër dhe për këtë janë përzgjedhur tre të rinj që, edhe nëse nuk janë rilindas, janë socialistë të llojit të Ramës; pra më shumë se dogmës i besojnë ambicies dhe fitores. Veliaj, Spiropali dhe Bushati nuk janë apolitikë, por i përgjigjen deri diku një depolitizimi akut të Tiranës, një shije që e pat përdorur për 3 mandate Rama vetë.

Por, më shumë se te ‘punëtorët e Rilindjes’ apo ithtarët e socializmës, sfida e PS në përzgjedhjen e kandidatëve qëndron te ata që lihen jashtë. 

Në mos emrat e përveçëm, tipologjia. Ajo që njihet si të ‘fortët lokalë’.

A do të jetë lista e PS e stërpikur me elementë të tillë që respektin dhe fuqinë elektorale e kanë siguruar përmes një përzierje të forcës financiare inkriminuese, asaj fizike dhe lidhjeve fisnore?

A do të ketë grupi parlamentar i PS së pas 25 prillit ‘intelektualë të hurit dhe të litarit’? 

Do të jetë PS ‘streha e fundit e maskarenjve’, të hedhur në Kuvend nga parashuta difektoze e bojkotit të opozitës, bishta që vijnë në politikë si teka të listave të kundërshtarit apo aksidente të partive renegate?

Në një intervistë me autorin e këtyre radhëve, Kryeministri e pat pranuar se aleanca me elementë të tillë u zgjodh si pjesë e filozofisë ‘e keqja më e vogël, kundër më të madhes’.

Tetë vite pushtet mjaftojnë që Rama ta ketë mundur ‘të keqen e madhe’ dhe t’i japë duart aleancës me ‘të keqen e vogël’. Nëse jo, atëherë ka dështuar. Nëse ka dështuar, një mandat i tretë do të ishte dështim i atyre që ia japin.

Ditari politik

Të fundit