Flash News

OP-ED

Sarajet e Toptanëve: në fund, si Kabuli, por nuk mund të mos binin në duar të talebanëve

Sarajet e Toptanëve: në fund, si Kabuli, por nuk mund të mos

Alfred Lela

Ndër toptanas, nga Esat Pasha të paktën, pëlqehej lidhja në origjinë me Topiajt, princat arbnorë të Mesjetës. Nuk ka rëndësi shumë. Në Shqipëri shtresat shpiken nëse nuk janë dhe zhduken nëse ekzistojnë. Pak a shumë, kjo që po ndodh me Sarajet e Toptanëve në Tiranë, një shtresë që ende është, por me sa duket jo për shumë gjatë.

Toptanët, kur edhe kjo kullë e tyre e fundit të ketë rënë, do mbahen mend për famëkeqin Esat Pasha, për qendrën e stërmadhe tregtare në mes të qytetit, dhe, ndoshta, për lidhjen fisnore me një celebrity të kohës sonë, Blendi Fevziun. E vetmja vulë autentike e pranisë së tyre në Tiranë ka pësuar, mbrëmë në mesnatë, goditjen e fundit: një zjarr të dalë nga dora e tinzarisë, tradhtisë dhe babëzisë.

Pas rrethimit të kullës së Sahatit, ‘izolimit ligjor’ të Bar Sahatit, shndërrimit të Hotel Dajtit, Sarajet janë e vetmja shenjë në atë bllok të kryeqytetit që u flet shqiptarëve nga e shkuara. Çdo gjë tjetër është prodhim i babëzisë (së cilës i vënë edhe emrin progres), ushtruar nga disa duar, përtypur nga shumë gojë dhe pranuar nga shumë sy.

Zjarrvënia e qëllimshme mbrëmë është vetëm njëri prej zgjidhjeve në repertorin tashmë ilustrues të mjeteve që përdoren për të ofruar datën e skadencës për ndërtesa me karakter dhe histori, dhe me ‘fatkeqësinë’ e pozicionit, një jargavitje imobiliare për sektin e ndërtuesve.

Forma më efikase ka qenë trysnia e kohës: duke i lënë të braktisura, të pameremetuara, vila dhe monumente të tjera të së shkuarës kanë rënë nën peshën e vet. Duke u lënë të rrëgjohen dhe të shëmtohen, ndërhyrja e shembjes ka qenë më e pranueshme. Një formë tjetër ka qenë ‘e drejta e pronës dhe e shndërrimit të saj’. Kështu, pinjollë familjesh të mëdha kanë shitur vila apo komplekse banimi të paraardhësve të tyre të lavdishëm për dy apartamente dhe një garazh. Më pak apo më shumë, nuk ka rëndësi.

Herë-herë ka qenë arbitrariteti shtetëror, si në rastin e Teatrit Kombëtar, disa kinemave, e të tjera, që ka përdour ruspën talebane për të fshirë pjesë të mozaikut të qytetit. Ajo që po i ndodh Tiranës nën këtë trysni është e dhimbshme: po i zhduket shtresa otomane dhe ajo italo/zogiste dhe po i mbetet e trishta, shabllonja, e pakarakterta: soc-realistja dhe demo-surrealistja.  

Sarajet janë ndoshta guri i fundit i çmuar që bien nga kurora e një kohe tjetër, për t’i lënë vendin sarajeve të pashallarëve të rinj të kryeqytetit. Meqë një burim alternativ e nxjerr mbiemrin e Toptanëve jo nga Topiajt fisnikë, por nga fjala top, me pretendimin se familja kishte një top në pronësi, në kohën kur kjo armë ishte gjë e rrallë në viset tona, edhe më mirë për simbolikën.

Me top po futen në qytet edhe pashallarët e rinj të betonit. Mund ta fitojnë luftën me qytetin, të ndihmuar edhe nga tradhtarët në citadel, por historia nuk i humb kurrë gjurmët. As shenjat e qeshjes të disave prej nesh, sado pak, që ua shohim komplekset, si te shtëpitë ku jetojnë, ashtu dhe te varret kur vdesin. Monumente kotnie që rreken të zëvendësojnë, sipas rastit, përmasat fallike apo shpirtnore.

Të fundit