Flash News

OP-ED

Vetëvendosje e keqvendosur

Vetëvendosje e keqvendosur

Alfred Lela

Ka shumë koncerte në Shqipëri, shija e të cilëve të shtyn t’i prishësh me gaz lotsjellës e çkahmos. Jo vetëm ato, por edhe shkuma party që organizohen në disa plazhe apo bare bregdetare mbushur me pjeshka e mitomanë. Një gëzim të pafre, sa një tubacion i TAP-it, do më sillte një sasi e madhe gazi, hedhur mbi bare dhe restorante në plazhet tona, nga Dhërmiu në Velipojë që të shurdhojnë me muzikë zëlartë e shijeulët.  

Këto janë dëshira që më përmbytin herë pas here, si një tajfun brigjet e Floridës, por nuk më shkon mendja kurrë t’i zbatoj. Më së pari sepse janë mënyrat me të cilat kufizojmë veten që na bëjnë pjesë të shoqërisë dhe, së dyti, se liria ime për të imagjinuar nuk është njësoj me liritë e tjera. Ato i ndan e drejta e secilit, por gjithashtu kufizimi.

Pasë pranuar këtë, vendimi për të sulmuar me gaz lotsjellës një koncert përvitor fundjave në Korçë, ngase në të merrte pjesë një këngëtar ‘jugosllav’, dhe ngase autoritetet nuk e kishin dëgjuar zërin e një pjesë të opinionit që kërkonte anulim, përbën një precedent më vete në kuptimin që një pjesë shqiptarësh kanë për lirinë dhe kufizimet.

Gazi lotsjellës mund të shihet në shumë mënyra. Si akt politik, si shenjë proteste, si mosbindje civile, si instalacion artistik, e me radhë. Një mënyrë tjetër? Një akt terrori, një mjet nga të shumtët në paradhomën e instrumenteve dhe ngasjeve të dhunës që individë apo organizata zgjedhin për të lartësuar zërin dhe pikëpamjet e tyre.

Nëse autorësinë e gazit e marrin përsipër Tifozat Kuq e zi, mbështetjen politike duket se po e japin eksponentë të Vetëvendosjes. Guximi është i dyfishtë: si në marrjen përsipër të një akti të dhunshëm, ashtu edhe në rrezikun që bart ky akt për marrdhëniet me publikun të të dy organizatave.

Përveç tyre ka edhe opozitaristë që duket se e mbështesin aktin e së dielës në Korçë. Në rastin e tyre duket se pajtimi bëhet më shumë si shenjë revolte për një opozitë inaktive në rrafshin e aksionit publik që pas humbjes në zgjedhje, sesa si identifikim me dhunën. Ka zëra që kujtojnë gazin lotsjellës të përdorur papra nga ish-ministri Lleshaj kundër opozitës në protesta, por edhe ky është një rivendikim me shënjestër të zhvendosur. Koncerti nuk është një akt shtetëror, edhe pse thirrësit janë autoritetet lokale. Të pretendosh se në turmën e festuesve të së dielës kishte vetëm mbështetës të qeverisë dhe asnjë opozitar, është absurd. Por, edhe sikur të ishte kështu, sulmet ndaj tubimeve paqësore janë të rrallë dhe ndodhin ose nga persona me probleme psiko-emocionale ose nga terroristë me agjendë fetare-politike. Në Amerikë ka raste të sulmeve, që rrjedhin nga shqetësime apo frustrime psikologjike, ndërsa Lindja e mesme është e plleshme me ndërhyrje të dhunshme, por në rrafshin religjio-politik.

E gjitha analiza e rastit nuk mund të gjejë fajin te të tubuarit, por te ata që kanë pasur një problem me tubimin. Si Vetëvendosja ashtu dhe Tifozat Kuq e zi, nëse e vazhdojnë mbështetjen dhe nuk ndahen nga akti i së dielës, kanë nevojën e një rifreskimi të kujtesës. Është fatkeqe të vendosësh në shënjestër një këngëtar si Bregoviç, duke e lidhur artin e tij me panserbizmin dhe me genocidin etj., dhe të përdorësh kundër atij dhe ndjekësve të tij një prej mjeteve të para që serbët ushtronin kundër shqiptarëve të Kosovës, gazin lotsjellës (kujtoni demonstratat e vitit ’81).

Nëse akti i Korçës u bë për të theksuar mospranimin e Tjetrit, në këtë rast Bregoviçit, Edi Ramës, serbëve, autoriteteve lokale etj., mjeti i përdorur u kthye në boomerang. Të paktën në fushën e marrdhënieve me publikun kjo është një huqje e madhe.

Të fundit