Flash News

KRYESORE

Operacioni “Fati i lojërave” godet 8 qarqe, Veliu: Në pranga 115 persona, u sekuestruan 172 mln lekë

Operacioni “Fati i lojërave” godet 8 qarqe, Veliu: Në

Pas një pune hetimore që ka zgjatur 7 muaj, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lojërave të fatit, Policia e Shtetit ka finalizuar mbrëmë me sukses të plotë, një operacion masiv në shkallë vendi.

Operacioni policor i koduar "Fati i lojërave”, realizuar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër, ka sjellë hedhjen e prangave në flagrancë 115 persona, 24 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.

Janë sekuestruar shuma të mëdha parash, kompjuterë të lojërave të fatit, armë zjarri, dhjetëra aparate celular e aksesorë të tjerë që shërbenin për organizimin dhe implementimin e aktivitetit kriminal.

Ndër të arrestuarit janë edhe disa nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie të paligjshme që sipas parashikimeve të Kodit Penal dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe nga informacionet e adresuara nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produktit të veprës penale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë regjistroi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë procedimin penal nr. 5431 të viti 2019.

Pas një pune të mirëfilltë procedurale dhe hetimore, duke aplikuar format dhe metodat speciale të hetimit, u arrit të dokumentohej aktiviteti kriminal në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Lezhë e Shkodër.

Mbi bazën e provave të siguruara, u nxorën nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendimet për kontrollin e vendeve dhe lokaleve në Tiranë ku dyshohej se ushtrohej kjo veprimtari kriminale.

Në këtë kuadër u organizua edhe operacioni policor i koduar "Fati i lojërave", i cili u zhvillua në të njëjtën kohë në të 8 qarqet e sipërpërmendura, nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Gjatë operacionit, i cili u zhvillua në kohën e zhvillimit të ndeshjeve të futbollit të Europa League, u përfshinë 1540 forca policore, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Sigurinë Publike, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Korçë, Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër.

Në Tiranë dhe në qarqe u ushtruan 486 kontrolle në lokale dhe ambiente që dyshohej se zhvillohej kjo veprimtari kriminale.

Si rezultat, në Tiranë u arrit të sekuestrohej një sallë qendrore monitorimi, e cila monitoronte aktivitetin që zhvillohej në pikat e tjera që zhvillohej ky aktivitet.

Në këtë sallë u gjetën dhe kapën në punë të zezë 6 punonjës, 20 monitorë, 17 DVR dhe administratori i sallës, shtetasi G. M. Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan 170 milionë lekë të vjetra, të grumbulluara nga bastet që ishin vendosur nëpër pikat e monitoruara prej kësaj qendre kriminale.

Janë arrestuar edhe menaxheret e grumbullimit dhe transportimit të lekëve nga pikat, konkretisht shtetasit:

  1. A., E. M., S. B., E. F. dhe N. E., menaxherë të pikave në Tiranë dhe A. N., menaxher në Durrës.

Në Tiranë janë arrestuar 84 administratorë dhe menaxherë të lokaleve ku organizonin lojërat e fatit dhe kishin vënë në dispozicion të ambienteve për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.

Në Korçë janë arrestuar 9 persona dhe 7 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milion lekë të vjetra.

Në Elbasan janë arrestuar 7 persona dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në Durrës janë arrestuar 5 persona dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në Berat janë arrestuar 4 persona, 6 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në Fier janë arrestuar 3 persona dhe 3 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në Shkodër janë arrestuar 3 persona, 3 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milionë lekë të vjetra.

Në Lezhë janë proceduar në gjendje të lirë 3 persona.

Në total janë arrestuar 115 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 24 dhe 2 janë shpallur në kërkim, si dhe janë sekuestruar në total 172 milion lekë të vjetra, 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celular, një numër i konsiderueshëm televizor plazma, blloqe shënimesh që shërbejnë për vendosjen e basteve, kasa fiskale, një armë zjarri pistoletë.

Ky operacion është në vijim dhe në qarqet e tjera të vendit, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të ushtruar aktivitet të paligjshëm  të lojërave të fatit.

Të fundit