Flash News

OPINEWS

Analiza e Genc Burimit në Politiko: Ahmetaj, Basha, SPAK dhe të huajt...

Analiza e Genc Burimit në Politiko: Ahmetaj, Basha, SPAK dhe të

Nga Genc Burimi

Kur po bëhesha gati të shtrija mbi letër ndjesitë që më la intervista e gjatë si një lum e ish-ministrit të financave Arben Ahmetaj, rastësia beri që të ndiqja në tv fjalimin javor të Lulzim Bashës me grishjen se këtë çështje s’mund ta kalonte në heshtje. Në mëngjes, ai kishte bërë një deklaratë me shkrim mbi këtë temë të llojit :

“Përpëlitjet e mbrëmshme dhe ato që do të pasojnë ditët dhe javët e ardhshme tregojnë se sa keq u është mbledhur litari atyre që kanë abuzuar me pronat dhe pasuritë e shqiptarëve.”

Në mini-mitingun e tij në një hotel, Basha bëri një zgjedhje tjetër, të lartësojë SPAK-un. E bëri në mënyrë të ekzagjeruar , të llojit, Spak-u i vetmi fanar ndriçues i këtij vendi që do ta shpëtojë popullin nga të korruptuarit dhe korrupsioni.

Çfarë cinizmi në gojën e atij që kërkon të përfaqësojë gjithë demokratët!

Ai vendos të lartësojë SPAK-un bash në momentin kur dëgjuam llahtare mbi atë që mund ta quajmë dorëheqjen e Spak-ut për t’i ruajtur shqiptarët nga të korruptuarit dhe korrupsioni. Ndaj, në vend të shkruaja për Ahmetajn, vetvetiu pena m’u drejtua nga Basha dhe idetë e tija më se të habitshme për një person që kërkon të udhëheqë Shqipërinë.

Lulzim, si mund t'i fërkosh çizmet SPAK-ut pas llahtarëve që dëgjove mbrëmë nga goja e Ahmetajt? Ahmetaj mund të jetë politikan i ndyrë, por kjo s’do të thotë se nuk bën pyetjen e duhur. Ku shkuan 60 milionë? Pse nuk hetohen përgjegjësit e vërtetë? A është e vërtetë që te ky SPAK janë marrë dhurata në vila ?

Ti je politikan, s’duhet të thuash 'nuk besoj Ahmetajn dhe besoj SPAK'. Ti duhet të mbrosh interesat e popullit tënd që qëndron më lart se të gjithë dhe t’i bësh pyetje publike SPAK-ut deri sa t’i nxjerrësh ‘ujin e zi’ për çdo pyetje që ngrihen mbi të qoftë dhe nga mëkatari Arben Ahmetaj.

Kështu do ndodhte në Perëndim kur një kriminel do thosh 'perse nuk shkon drejtësia të kërkojë kufomën që është varrosur atje'?  Si nuk shqetësohesh po ashtu me këtë drejtësi, kur dëgjove se Ahmetaj, politikan si ty, ka marrë kërcënime me vdekje dhe nuk ka hetim ? Mund të të ndodhë dhe ty nesër.

Në Holande kërcënime mori nga droga kryeministri dhe familja mbretërore dhe u shokua opinioni. Në Shqipëri asnjë koment nga drejtësia për kërcënimet me vdekje sikur Ahmetaj të ishte një qen! Dhe ti thua rroftë SPAK!’. Turp!

Në daljen para fanseve te tij , Lulzim Basha përtej Spak-ut lartësoi dhe perëndimorët bash në momentin kur Ahmetaj ua përplasi ne sy se ç’ka ndodhur gjithë këto vite në Shqipëri nën hundën e perëndimorëve që Basha i konsideron si ekspertë dhe shpëtimtarë të shqiptarëve.

Lulzim, atë qe dëgjova , s’do e kisha besuar po të ma thonin.

The se ke hartuar programin por ja ke çuar për lexim të huajve para se t’ua serviresh shqiptarëve.

Një pohim i tillë do kishte shkaktuar skandal në Perëndim. A e imagjinon një drejtues opozite në Holandë, Francë, Itali, Gjermani të thoshte diçka të tillë se programin ua ka dhënë të huajve për ta validuar?!

Pak sovranizëm nuk i bën dëm askujt! The në fjalim se je krenar për shqiptarët në Perëndim se kanë çarë aty, kanë zënë vende të mira dhe se e meritojnë plotësisht falë meritokracisë, vlerë që perëndimi e respekton.

Atëherë, s’paske shqiptaro- perëndimorë ekspertë në ekonomi, drejtësi, problème sociale, bujqësi, high -tech etj., ndoshta edhe më të mirë se ata ekspertët e huaj, por që kanë edhe diçka më shumë se këta: kanë gjuhën shqipe, dashurinë për vendin e tyre të shqipeve dhe mbi te gjitha njohin mentalitetin e atyre shqipove që ti shpreson se do votojnë për programin tënd!

Përfundimisht, me këtë historinë e ekspertëve të huaj, ti re në të njëjtin kompleks inferioriteti ose tentative impresionimi të elektoratit si Edi Rama me ekspertët e Harvardit, që i konsultonte me paratë e shqiptarëve për çdo ligj e réformë gjoja.

Po ashtu, mos i hyjnizo USA që n'a ndihmuan sipas teje para 34 vjetëve. Shqiptarët i ndihmuan vetëm ata studentë 20 vjecarë qe u ngritëm ne grève urie te Qyteti Studenti poshtë grykave të tankeve të regjimit. Nuk pashë amerikanë në atë moment në Tiranë.

Faktikisht, USA nuk qe krahë shqiptarëve kur këta rrëzuan diktaturën më të egër në Europë, siç qe USA pranë irakianeve që vuanin nën Sadamin apo afganeve që shtrydheshin nga talebanët e mollah Omarit.

Teza se të huajt ndihmuan shqiptarët në rrëzimin e komunizmit është revizionizëm historique. Ti thé po ashtu në fjalimin që miqtë tanë perëndimorë me amerikanët në krye n'a presin krahëhapur, por me kusht që të respektojmë shtetin e të drejtës.

Si e shpjegon atëherë që Usa e njeh, e prêt, e mbron, e nderon Édi Ramen që ti vetë e trajton si hajdut dhe autokrat?!

E vërteta është se USA presin krahëhapur të gjithë ata tek të cilët kanë interesat e tyre kombëtare, qofshin këta diktatoret më të zinj të planetit . Shiko numrin e bazave amerikane te diktatorët e gjirit Persik dhe do e kuptosh nëse është demokracia kriter apo jo që të pranohesh krahëhapur nga USA.

Lulzim, që të pretendosh të drejtosh një vend, duhet kurajë dhe jo servilizëm, apo vetëm nëse ke si plan ta drejtosh vendin me ndihmën e drejtësisë dhe të USA pasi këta të të kenë eliminuar gjithë rivalet. Në këtë rast nuk ke nevoje të bësh program, por vetëm të përkthesh Makiavelin…/Politiko.al/ 

Të fundit