Flash News

OPINEWS

Balluku, zjarri që përvëlon Ramën

Balluku, zjarri që përvëlon Ramën

Armand Maho

Shumëkush sot, të paktën pyet se cilat janë arsyet se përse Rama nuk ka guximin të shkarkojë Ballukun! Ajo mbart mbi vete një akuzë jo të vogël, pavarësisht se SPAK e ka kufizuar në “pabarazi në tendera”, dhe nuk është vetëm rasti i Llogarasë. Qëndrimi i saj në qeveri, natyrisht është një kosto e madhe për t’u paguar dhe, duke pasur parasysh qëndrimet prej skuthi të Ramës, është dhe e pazakontë. Hetimi për tunelin apo të tjera nuk ka filluar tani, por sipas burimeve nga SPAK ai po zhvillohet prej gati një viti, dhe Rama ishte në dijeni të kësaj. Për shumë pak, Beqja, Ahmetaj, Koka dhe të tjerë u nxorën nga politika dhe kryeministri nuk ngurroi t’i linte në duart e Dumanit. Për të mos folur më pas për Erjon Veliajn, të cilin pasi e masakroi publikisht, e denigroi duke i vënë në shpinë dhe Ulsi Manjwn e Burgjeve.

Por me Belinda Ballukun ndryshon puna.

E para se tek afera e tunelit të Llogarasë duket qartazi se është një shpërblim që ai bën vetë Erdoganit. Më 2 qershor të vitit 2021, Rama ka kryer vizitën e dytë brenda vitit, pas asaj të janarit. Më herët, më 6 prill 2021, vetë Erdogan kishte ardhur në Shqipëri për t’u kujdesur për mikun e tij shqiptar në prag të fushatës elektorale. Më tej historia dihet. Pas kësaj vizite do të anullohej tenderi i shkurtit për kompaninë Gjoka, me arsyetim se “nuk plotëson kriteret”, dhe do të shpallej një tender tjetër me vlerë 50 milionë euro më të lartë, që do të fitohej nga konsorciumi Inkart-ASL, në pronësi të Abdulkadir Kart, njeri i afërt i Erdoganit dhe shok armësh që nga koha kur Erdogan u burgos në fundin e viteve ’90. Siç e pranon edhe vetë në një intervistë për median turke, ka qenë ai që i ka ngritur të parën shtëpi në bregdet Erdoganit, diku nga viti 2000, në qytetin e Rize, kur punonte në bashkinë e qytetit. Më pas filloi karrierën politike dhe pas saj atë të biznesit. Abdulkadir Kart është nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave në Turqi. Pas fitimit të tenderit për tunelin e Llogarasë, Interkart-ASL ja dorëzon sërish Gjokës ndërtimin e tunelit në vlerën e tenderit të parë, 140 milionë euro, por këtë herë si kompani nënkontraktore, duke futur 50 milionë euro në xhep dhe duke rritur koston e tunelit, pa harxhuar asnjë qindarkë, madje edhe me letrat që kishte dorëzuar më parë kompania Gjoka. Pra, e njëjta kompani që nuk plotësonte kriteret si fituese e parë e tenderit, i fiton si nënkontraktore e njeriut të Erdoganit.

E pra, kjo histori mban erë korrupsion, lobim, nder — ç’quajeni si të doni — me një kosto marramendëse.

Kjo aferë, megjithëse e bërë trashë, në mënyrë fodulle, arrogante, hajdutshe, nuk do të ishte hetuar kurrë, në rast se nuk do të denoncohej nga opozita dhe do të nxitej nga ndërkombëtarët, për shkak edhe të konflikteve kryesisht ideologjike që ata kanë me qeverinë e Erdogan. Dhe një fëmijë e kupton se Belinda Balluku, sado e korruptuar të jetë, nuk mund të kryente një aferë të tillë, kaq hapur, me mendjen e saj. Por nga ana tjetër, Belinda Balluku, në rast se drejton gishtin tek autori i vërtetë i aferës, që afërmendsh është Edi Rama, lehtësohet jo pak nga akuzat. Kjo e tremb më së shumti liderin global, sepse dihet tashmë që Balluku ka dhe mbështetjen e botës së errët të krimit në aktivitetin e saj. Ajo nuk është as Erjon Veliaj që kapej pas Aleksandër Sorosit dhe tani jaragavitet hekurave të burgut, as Ilir Beqja apo Lefter Koka që pranojnë me përulje të bëjnë burgun për llogari të Ramës. Shefin e saj Belinda e di fort mirë se çfarë frikacaku është. Rama mund të jetë “qejfli gangsterësh”, por vetë ka frikë të jetë i tillë, madje i druhet atyre më shumë se edhe vetë ligjit. Tjetra është se në këtë situatë dhe në një vjedhje të tillë nuk ka më as Yuri Kim dhe as Soros old & junior që ta mbrojnë. Në këtë mort që i ka rënë, ai është i detyruar ta mbajë në qeveri zëvendësen e tij, ta mbrojë me imunitet dhe të shpëtojë ç’të mundet nga ky shkulm i nxehtë, që më shumë se Ballukun rrezikon të djegë atë. Pa e menduar gjatë, është futur mes një zjarri që tymi dihet se ku do të dalë, dhe ky zjarr s’mund fshihet dot.

Të fundit