Flash News

OPINEWS

Bota që frymëzoi të ardhmen tonë ka vdekur; detyrat e Shqipërisë

Bota që frymëzoi të ardhmen tonë ka vdekur; detyrat e

nga Bardh Kadilli

Ndërhyrja amerikane në Venezuelë dihej sa i përket qëllimeve, por nuk pritej sa i përket formës. Kjo ndërhyrje tronditëse e grisi ambalazhin e vjetër të botës, rendin e pas Luftës së dytë Botërore.  Edhe në atë rend qëllimet dhe interesat e fuqive ishin aty, por të veshura me një mantel moral. Ky mantel ishte i domosdoshëm, pasi, të tmerruar nga dy luftra botërore në më pak se 30 vjet, popujt perëndimorë donin paqe me çdo çmim.

Dobësia e frikës nga luftrat u shndërrua nga shoqëritë perëndimore në etikën e paqes. Kjo u materializua në mekanizma ndërkombëtarë që, mbi këtë moral, normuan rendin botëror. Liria, demokracia dhe prosperiteti duheshin siguruar jo me luftë, po me paqe. Perëndimi u tkurr territorialisht, por jo ekonomikisht. Kontrolli mbi tregjet ishte mekanizëm për të shmangur luftrat pa hequr dorë nga interesat. Pra, konkurrenca e interesave, thjesht, u fsheh.

Kemi mbërritur në fund të kësaj epoke. Tregtia e lirë, transferimi i punës, i kapitaleve dhe mallrave, si çdo rregullim i mëparshëm botëror, siguruan, edhe pse në mënyrë jo proporcionale, përfitime për të dy palët, si për të fuqishmit, ashtu edhe të dobtit. Jo vetëm fuqitë e mëdha, por edhe vendet e varfëra u pasuruan falë këtij sistemi. Ekonomi të reja u bënë konkurruese dhe e shfrytëzuan sistemin po aq sa ata që e dizenjuan. Por, kjo botë nuk është më. Trump është njeriu simbol i ndryshimit që kishte ardhur, por askush nuk donte ta pranonte.

Kjo do të ndodhte edhe po të mos kishte fituar Trump, por aksioni dhe sjellja e tij politike i dhanë nxitimin e domosdoshëm ndryshimit. Bota, edhe pse nuk ka ende një sistem të ri rregullash të reja, po ecën me shpejtësi dhe vendosmëri drejt ndryshimit ende të panjohur.

Do të kemi një botë me filozofi, me qasje dhe me praktikë krejt tjetër sa i përket çështjeve të sigurisë, të energjisë, të teknologjisë, të financave dhe tregjeve. Fuqitë e mëdha, SHBA, Kina, Rusia, BE, India, Japonia, etje do rirreshtohen. Sigurisht, ky ndryshim i sistemit global do ketë edhe ndikim në sistemet politike të shteteve.

Thënë të gjitha këto, bëhet e qartë se rasti i Venezuelës nuk është një ngjarje e shkëputur, as një çështje energjie, droge, sigurie, etj si këto. Nuk është as thjesht linjëzim i njërës hemisferë, asaj perëndimore. Është zilja e zgjimit për një botë të së nesërmes rregullat dhe zakonet e të cilës ende nuk i dimë. Fatkeqësisht për popujt e vegjël, këto ndryshime tektonike janë fatalitete. Ndodh që marrin për mirë, ndodh që marrin për keq. Ne shqiptarët nuk kemi as rol, por as kapacitet të ecim paralel apo në krah të ndryshimit. Por, na duhet të zgjohemi. Na duhet të vëzhgojmë me alarm atë që ndodh. Nuk duhet të sillemi siç kemi bërë deri më sot. Nuk duhet të sillemi si tifozë dhe si bastexhinj të ndeshjeve të botërorit. Nuk ka asnjë kuptim të sherrosemi dhe të rrezikojmë interesat tona, kur as nuk jemi në lojë. Si popull i uritur për t’u bërë pjesë e qytetërimit perëndimor, duhet të shohim me alarm çdo krisje, apo rivalitet mes Europës dhe SHBA-së, jo të zgjedhin për konsum të brendshëm njërën skuadër kundër tjetrës. Lëvizjet e derisotme tregojnë se SHBA nuk janë më garantues të sigurisë për Europën. Europa duhet ta përballojë vetë sigurinë e saj, duke iu rikthyer industrisë së armatimeve, teknologjisë së lartë, forcimit të kapaciteteve ushtarake. Kjo do të thotë më pak para për shërbime dhe mbulim social. Po ashtu, SHBA nuk është më garant i zhvillimit ekonomik evropian. Balancimi i tarifave, dikur të favorshme për Evropën dhe të pafavorshme për Amerikën, i siguruan ekonomive evropiane tregje për prodhimet e tyre, në dëm të atyre amerikane, çfarë SHBA e kompensonte me mjete financiare dhe burime energjetike që kontrollonte. Tashmë Evropa do duhet të jetë kompetitive, në teknologji, burime energjie, në fuqi punëtore dhe dinamizëm financiar.

Të dy këta komponentë paralajmërojnë një të ardhme të afërt plot pasiguri ekonomike për BE-në. Pos këtyre dy aspekteve, që mund të shihen shumë të drejta, jo vetëm nga këndvështrimi amerikan, ka edhe zhvillime të natyrës politike. Qasja e re, e mbrojtjes dhe avancimit të interesave kombëtare nëpërmjet projektimit të forcës është shoqëruar edhe me retorikë nacionaliste. Në dokumentin strategjik të SHBA inkurajohen qartazi partitë evropiane me filozofi nacionaliste. Për shumëkënd ky qëndrim mund të duket se lidhet me orientimin politik dhe dallimet mes të majtës dhe të djathtës, apo mes establishmentit dhe forcave anti-sistem. Jo. Në thelb ato inkurajojnë tharmin e një fryme që vë në pikëpyetje vetë ekzistencën e BE-së. Asgjë më shumë se nacionalizmi nuk e shkatërron projektin e BE-së. Me shtrëngim ekonomik dhe me përhapje të ideologjive nacionaliste, mbi BE-në fryjnë re të zeza. E sigurt që BE do të reagojë. Dikush duke iu rikthyer me dashuri ideologjike Manifestit të Ventotenes, për një Evropë socialiste, dikush si Gjermania, duke riprojektuar forcën si fuqi e dikurshme Europiane, dikush duke ndjekur rrjedhat me qasje pragmatike, dikush duke synuar shkëputjen dhe rikthimin tek sferat e influencës rajonale.

Nuk marr përsipër, as të analizoj dhe as të parashikoj se çdo të ndodhë. Nuk marr përsipër as të them se çfarë është më e mira të ndodhë. Por, di që ne jemi duke nxituar të kalojmë pragun e një BE-je që nuk është, dhe nuk do të jetë, shtëpia e përbashkët që mendonim dhe njihnim. Mbase kur të vijë momenti që porta e BE-së të hapet, mund të mos ketë më BE fare.

Ky fërkim mes perëndimorëve, dhe kjo paqartësi për zhvillimin e BE-së janë çështjet që duhet të na shqetësojnë. Janë çështje që duhet të na bëjmë të mendojmë pa pasion, pa ngurtësim politik dhe ideologjik. Pa inerci të verbër, gjithashtu. Na duhet të jemi kreativ dhe elastik për t’u përshtatur me ndryshimet dhe të shtrojmë që sot rrugët e aleancave të qëndrueshme përballë çdo skenari të mundshëm.

Por, Perëndimi, SHBA dhe BE nuk kanë qenë vetëm aleatë. Ato kanë qenë dhe modeli i qeverisjes, sistemi politik që jemi përpjekur ta kopjojmë. Ndryshimet e tyre do të reflektohen edhe te ne.

Urdhërimi i kohës për mendimin politik është: të ndërtojmë aleancat e qëndrueshme dhe pragmatike për interesat tona kombëtare, dhe njëherësh të përshtasim sistemin politik më efektiv për kapacitetet tona.

Të fundit