Flash News

OPINEWS

Deklarata e Borrel-it për integrimin si rrëfenjat e "Njëmijë e një netëve"

Deklarata e Borrel-it për integrimin si rrëfenjat e

nga Virgilius

Ka diçka në deklaratën e fundit të Josep Borrell-it që tingëllon si rrëfenjat e Njëmijë e një netëve. Jo dhe aq nga përmbajtja sesa nga forma. Me fjalë të tjera, në teknikën e mbajtjes gjallë të interesit tek dëgjuesi, i cili, prej katër vjetësh, më e pakta, dëgjon të njëjtën përrallë me shpresën se rrëfimit po i vjen fundi.

Në një konferencë për shtyp të ditëve të fundit në Bruksel, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë u shpreh para gazetarëve: “Ekziston nevoja për pajtim(sic!) në Ballkanin Perëndimor. Ekziston edhe një qëndrim i qartë për të filluar me njëherë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, e theksoj”. Sipas mediave që e citojnë, Borrell u shpreh se ky është mendimi i tij personal si zyrtar i lartë i Bashkimit Europian. Borrell nuk ngurroi t’i bëjë thirrje Bullgarisë të heqë dorë nga vetoja për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut para mbarimit të presidencës franceze deri në fund të qershorit dhe paralajmëroi (Kë?) se në rast të kundërt marrëdhëniet e BE-së me rajonin e Ballkanit Perëndimor do të hynë në krizë. E për ta aktualizuar më tej qëndrimin, shtoi se kjo gjë “do të ishte një dhuratë për Rusinë”.

Po e nisim komentin nga fundi i deklaratës së tij: dhurata për Rusinë. Të dy vendet në fjalë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s dhe plotësisht të rreshtuara me politikën e jashtme të përbashkët të vendeve të BE-së. Në rastin konkret, jo vetëm e kanë dënuar agresionin rus kundër Ukrainës, por iu janë bashkuar edhe paketave të sanksioneve. Në këtë pikë e ashtuquajtura dhuratë na tingëllon një frazë e zbrazët, ose pa bukë, siç themi ne këndej nga Ballkani.

Në fund të fundit deklarata e Borrellit, ashtu si dhe ato të Varhelyit, para tij ngjajnë si një gjellë e ftohtë, bajate, e nxjerrë nga frigoriferi, e cila mbasi është ngrohur në mikrovalë për disa sekonda na serviret si një kryevepër e shefit të kuzhinës. Ndërkohë që njerëzit janë lodhur nga kjo dokrrologji e burokracisë brukselase dhe presin një, e përsëris, një gjest konkret në këtë proces të bekuar të integrimit në BE, proces që shtyhet e hiqet zvarrë prej afro tridhjetë vjetësh, duke marrë më shumë trajtat e një narrative biblike sesa të një procesi modern e bashkëkohor integrimi në një familje vlerash e objektivash të përbashkët politikë e gjeostrategjikë.

Të fundit