Flash News

OPINEWS

Drejtësia e re si armaturë për të mbajtur peshën e kleptokratit Rama

Drejtësia e re si armaturë për të mbajtur peshën e

Nga Hysni Gurra

I gjithë diskursi i Edi Ramës për reformën në drejtësi është ndërtuar mbi një pretendim absolut: se reforma është bërë prej tij, se ajo ka shënuar fundin e pandëshkueshmërisë dhe se sot “nuk ka më të paprekshëm”. Këtë e ka përsëritur për vite me radhë, në Parlament, në intervista, në konferenca me Bashkimin Evropian dhe në çdo moment kur i është dashur të legjitimojë pushtetin e tij.
“Ne e bëmë reformën”, “ne nuk ndërhyjmë”, “drejtësia nuk merr më telefonata” – ky ka qenë refreni i pandryshueshëm. Sa herë një gjyqtar apo prokuror largohej nga sistemi, Rama e shiste si sukses personal. Sa herë një zyrtar i dorës së dytë përfundonte nën hetim, ai e përdorte si provë se “epoka e të paprekshmëve ka marrë fund”.
Por ky diskurs është ndërtuar mbi një mashtrim themelor: reforma nuk u përdor për të shembur pandëshkueshmërinë, por për ta riorganizuar atë. Të paprekshmit nuk u zhdukën. Ata thjesht u zhvendosën më lart, në majën e pushtetit.
Çfarë ka ndodhur me shtyllat e shtetit nën sundimin e Ramës
Nëse i heqim fjalimet dhe shohim realitetin institucional, tabloja është e qartë.
Parlamenti është kthyer në një institucion qesharak. Nuk kontrollon qeverinë, nuk heton aferat, nuk prodhon debat real. Voton ligje me karton, legalizon vendime të marra jashtë tij dhe shërben si dekor demokratik për një pushtet të centralizuar.
Media është e kapur. Varësia ekonomike nga qeveria dhe reklamat publike e kanë shndërruar një pjesë të saj në zgjatim të propagandës. Zërat kritikë margjinalizohen, ndërsa pushteti mbrohet dhe justifikohet.
Drejtësia, pavarësisht reformës, mbetet e varur politikisht. Veprimet e saj tregojnë standarde të dyfishta: shpejtësi për disa çështje, heshtje për të tjera; vendosmëri ndaj periferisë, kujdes ekstrem ndaj qendrës së pushtetit.
Krimi i organizuar nuk është më fenomen periferik, por vepron si kartel, me ndikim në ekonomi dhe zgjedhje. Madje krimi i orgabizuar hyn e del në zyrën e kryeministrit si në shtëpinë e vet.
Korrupsioni nuk është episodik; është galopant, sistemik dhe i institucionalizuar.
Kjo tablo nuk është opinion politik. Ajo është e dokumentuar në raportet e OSBE/ODIHR, të DASH dhe të Komisionit Evropian, ku ka referenca direkte për krimin në zgjedhje, për kartelet, për korrupsionin e lartë dhe për mediat e varura nga qeveria. Janë fakte të shkruara, jo retorikë opozitare. Kush drejtpërdrejt dhe kush tërthorazi pohojnë të njëjtën gjë: Shqipëria është një narko-shtet dhe qeveriset në mënyrë kleptokratike.
Lakuriqësimi i Ramës – Balluku është ai vetë
Në këtë realitet, Edi Rama del lakuriq si njeriu që e ka përdorur drejtësinë, jo për ta pastruar shtetin, por për ta mbajtur nën kontroll. Në këtë varësi, ai nuk e ka mbajtur dorën e korrupsionit.
Përkundrazi, korrupsioni, krimi, kartelet dhe kapja e shtetit kanë lulëzuar.
Këtu hyjnë dosjet Balluku, (po të doni edhe rasti Agasi). Dhe këtu duhet thënë qartë: ata nuk janë problemi kryesor. Ata janë simptomë. Ata janë Edi Rama vetë.
Balluku nuk është një ministre autonome që merr vendime të mëdha vetë. Në modelin e qeverisjes së Ramës, projektet strategjike, investimet madhore, përjashtimet nga procedurat dhe vendimmarrjet kyçe kalojnë nga Kryeministria. Ministrat firmosin, por orientimi politik vjen nga kryeministri. Pa këtë orientim, asnjë skemë nuk funksionon.
Edhe Agasi, që trumpetohet kaq shumë nga propaganda e Ramës nuk është një individ rastësor që “i shpëtoi vëmendjes”.
Ai është pjesë e një rrethi që operon lirshëm, përfiton në mënyrë të përsëritur dhe ka akses në nivelet më të larta të pushtetit. Në një shtet ku gjithçka është e centralizuar, askush nuk lëviz pa mbrojtje politike. Dhe kjo mbrojtje nuk jepet nga ministrat, por nga Kryeministri.
Këto dosje tregojnë më shumë se korrupsion ekstrem. Ato pikturojnë shumë qartë fytyrën e Ramës dhe fytyrën e shtetit që ai ka ndërtuar: një shtet ku përgjegjësia politike ndalet gjithmonë një kat më poshtë ose një zyrë më tutje asaj të kryeministrit.
Veprimet dhe mosveprimet e tij, të lexuara në dritën e Kodit Penal, përmbajnë elementë të qartë përgjegjësie për t’u marrë i pandehur.
Por ai mbetet i paprekshëm nga pjesëtarë të sistemit që mban emrin “drejtësi e re”. Jo sepse nuk ka çështje, por sepse këto çështje janë mbajtur për vite si të menaxhueshme politikisht.
Imuniteti, konfuzioni dhe frika
Diskursi i fundit i Ramës e konfirmon këtë. Që nga refuzimi i imunitetit, te konfuzioni i qëllimshëm me çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ai përpiqet të ngatërrojë publikun.
Çështja në Gjykatën Kushtetuese është çështje parimi.
Çështja e imunitetit është penale individuale.
Përzierja e tyre nuk është padije, por strategji. Refuzimi i imunitetit nuk vjen nga parimi, por nga frika dhe nga një rrugë pa kthim. Nuk ka ndryshuar SPAK-u; janë dosje që i kanë mbetur në dorë si patate të nxehta, sepse zinxhiri i përgjegjësisë nuk ndalet te Balluku apo Agasi. Ai shkon më lart, tek Edi Rama.
Për mbyllje: Kleptokracia dhe rënia e Goliathit
Të gjitha këto janë veprime “by the book” të një kleptokracie pa ideologji, që përdor reformën si fasadë dhe drejtësinë si instrument pushteti.
Në histori, Goliathi nuk rrëzohet sepse Davidi është më i fortë. Rrëzohet sepse është i rënduar nga arroganca, nga korrupsioni dhe nga bindja se është i pathyeshëm. Guri është vetëm momenti. Rënia vjen nga pesha e vet. Rama e di peshën që rëndon mbi kurrizin e tij dhe për këtë po përdor si armatura drejtësinë e re, propagandën dhe fuqinë e pushtetit.

Të fundit