Flash News

OPINEWS

Çështja Balluku, arsye apo justifikim i pengimit të integrimit europian?

Çështja Balluku, arsye apo justifikim i pengimit të integrimit

Nga Andi Mustafaj

Çështja Balluku nuk është arsyeja që pengon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ajo është thjesht një justifikim i përshtatshëm, që do të përdoret për të shpjeguar publikisht një realitet shumë më të thellë: integrimi europian i Shqipërisë ka ecur kryesisht në letër, por jo në realitetin politik.

Premtimi i bërë nga Edi Rama gjatë zgjedhjeve të fundit, se Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, do të mbahet mend si një nga gënjeshtrat më të mëdha të politikës shqiptare.

Ai nuk ishte një objektiv realist por një mënyrë për të ndërtuar një perceptim progresi dhe për të mobilizuar mbështetje elektorale, pa pasur një bazë reale në zhvillimet shqiptare apo europiane. Për të kuptuar pse ky premtim nuk qëndron, duhet të shpjegojmë si funksionon procesi i integrimit.

Integrimi europian ka dy dimensione: një burokratik dhe një politik.

Në dimensionin burokratik, në nivel të Komisionit Europian, progresi matet kryesisht përmes miratimit të ligjeve dhe përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së. Dhe në këtë aspekt, Shqipëria shpesh duket sikur po ecën përpara për shkak se ajo që matet është ligji i miratuar, jo ligji i zbatuar.

Shqipëria ka ndërtuar një realitet ku shteti funksionon shumë mirë në dokumente, por shumë më dobët në praktikë. Ligje të miratuara me shpejtësi, pa u ndërtuar paraprakisht kapacitetet për t’i zbatuar.

Rezultati është një hendek i thellë: një Shqipëri në letra dhe një Shqipëri në jetën reale.

Për t’ju rikthyer procesit, integrimi nuk vendoset në nivelin burokratik të Brukselit. Ai mundësohet në atë nivel por vendoset në kryeqytetet e vendeve anëtare (pra në fushën politike të Bashkimit). Zgjerimi i Bashkimit Europian kërkon unanimitetin e shteteve anëtare, dhe në shumë raste miratim nga parlamentet e tyre kombëtare.

Prej vitesh është e qartë se shumë vende europiane nuk e mbështesin zgjerimin, për arsye që lidhen si me politikën e brendshme, me kontekstin ndërkombëtar apo me vlerësimin e vërtetë që ata kanë për Shqipërinë politike.

Europa sot përballet me sfida të mëdha: flukset e emigracionit, rritja e narkotrafikut, lufta në Ukrainë, luftërat në Lindjen e Mesme, tensionet gjeopolitike. Në këtë realitet, zgjerimi nuk është një prioritet i vërtetë, sidomos për shtete me mangësitë e Shqipërisë.

Çështja Balluku pra merr një kuptim tjetër. Ajo nuk është arsyeja që ndalon integrimin. Është arsyeja që do të përdoret për ta justifikuar atë ndalim.

Kur të vijë momenti i vendimmarrjes reale, asaj politike në vendet anëtare, nuk do të diskutohet vetëm për ligje dhe reforma në letër, por për funksionimin real të shtetit shqiptar: korrupsionin, besueshmërinë institucionale, lidhjet me interesa të dyshimta, zhvillimi i trafikut të drogës, depërtimi i interesave të ndryshme etj.

Raste si ai i Ballukut bëhen argument i fortë për të thënë se Shqipëria nuk është gati. Por nëse nuk do vinte ai do gjehej një tjetër, nga të panumërtit që ilustrojnë realitetin e Regjimit autokratik shqiptar (Tahiri, Xhafaj, Ahmetaj, Veliaj, Koka etj.) për të justifikuar ndalimin politik të integrimit.

Nëse duam të flasim seriozisht për integrimin europian, duhet të dalim nga iluzioni i progresit në letra dhe të përballemi me realitetin e shtetit që kemi ndërtuar.

Të fundit