Flash News

OPINEWS

Esse nga Lea Ypi/ Viti i shpresës pa optimizëm

Një dekadë pas Brexit-it dhe zgjedhjes së parë të Donald Trump-it si President i SHBA, shtetet janë gjithnjë e më të izoluara nga njëri-tjetri, institucionet mbahen peng nga vullneti arbitrar i individëve dhe sundimi i ligjit duket se është në rënie të pakthyeshme. Megjithatë, edhe pa arsye për optimizëm, njeriu mundet – dhe duhet – të mbajë gjallë shpresën.

Esse nga Lea Ypi/ Viti i shpresës pa optimizëm

Lea Ypi

LONDËR – Çdo dhjetor të viteve të fundit, më kujtohet një moment kur Jeremy Corbyn, atëherë udhëheqës i opozitës Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, lexoi një pjesë nga një fjalim i Vitit të Ri që më tingëlloi tepër i njohur. “Ky vit do të jetë më i vështirë se viti i kaluar,” tha ai. Fjalët më dukeshin të njohura sepse Corbyn po citonte Enver Hoxhën, udhëheqësin famëkeq komunist të vendit tim, Shqipërisë, i cili vazhdonte: “Nga ana tjetër, do të jetë më i lehtë se viti i ardhshëm.” Komenti shkaktoi një shpërthim reagimesh: disa e panë si dëshmi se Laburistët ishin shndërruar në kult marksist, të tjerë si mungesë ndjeshmërie ndaj traumave të komunizmit shqiptar.

Nën “Xhaxhi Enverin”, Shqipëria e fëmijërisë sime ishte një nga vendet më të izoluara në botë, e shkëputur si nga Lindja “revizioniste” ashtu edhe nga Perëndimi “imperialist”. Ajo ekzistonte në një lloj kapsule kohore, një realitet i ashpër i formuar nga besnikëria, propaganda, survejimi dhe shtypja e disidencës. Perceptimi për të ardhmen ushqehej nga mite të së kaluarës për sakrificën heroike dhe vetë-mjaftueshmërinë, të ngulitura në konspiracione për agresion të huaj të afërt.

Çdo Vit i Ri sillte paranoja të reja, mungesa të reja, masa disiplinore të reja, thirrje të reja për durim. Investimi i vetëm i qëndrueshëm i shtetit ishin bunkerët. Si mund të krahasohej kjo qoftë edhe largësisht me atë që ndodhte në Perëndim?

E megjithatë, pavarësisht humorit të errët që shqiptarët dhe të tjerët s’arrinin ta vlerësonin, fjalimi i Corbyn-it – dhe ai citim – rezultoi çuditërisht profetik. Ai përshkruante zymtësinë e përshkallëzuar me të cilën e majta e ka përshëndetur çdo Vit të Ri që nga viti 2016. Atëherë Brexit-i dukej si katastrofa përfundimtare. “Rimarrja e kontrollit”, slogani triumfues i largimit nga BE-ja, shkaktoi tronditje te elitat kozmopolite në gjithë Perëndimin.

Teksa shumë njerëz nxituan të grumbullonin rezerva mallrash nga frika e një Brexit-i pa marrëveshje, më kujtohet se si më pyesnin nëse raftet gjysmë bosh u ngjanin atyre të Shqipërisë së Hoxhës (nuk u ngjanin). Por me kalimin e kohës – pas zgjedhjes së parë të Trump-it, pandemisë globale, luftërave në Ukrainë e Gaza dhe rikthimit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë – edhe kundërshtarët më të vendosur të Brexit-it mund të pranojnë se paniku i tyre ka qenë disi i tepruar.

Ose jo? Vitin që vjen, Brexit-i shënon dhjetëvjetorin – një moment me rëndësi simbolike në epokën e globalizimit. Referendumi sinjalizoi një kthim në një botë ku shtetet janë gjithnjë e më të izoluara, institucionet mbahen peng nga vullneti arbitrar i individëve dhe sundimi i ligjit duket se po shembet.

As viti që vjen nuk premton ndryshe. Thirrja e Brexit-ërve për të “rimarrë kontrollin” – dikur me një cipë ndershmërie intelektuale, pasi lidhej me debatin legjitim mbi sovranitetin – është degraduar në narrativë të plotë konspirative. Tashmë na thonë se kontrolli është i pamundur, për shkak të kërcënimit të përhershëm që vjen nga të huajt dhe ata që s’paskan aftësi të “integrohen”.

E ardhmja duket të përziejë vetëm frikë dhe paranojë. Ç’tjetër të pritet nga një botë ku tregjet e vetme që zgjerohen i përkasin sektorit ushtarak, dhe ku inovacioni teknologjik duket se ka për qëllim përsosjen e artit të shkatërrimit të ndërsjellë? Në këtë panoramë, ku mund të gjesh shpresë?

NJË RRUGË TJETËR

Në esenë e vitit 1784 “Ide për një histori universale me qëllim kozmopolit”, filozofi gjerman Immanuel Kant kërkonte të gjente një pikëvështrim nga i cili historia mund të interpretohej si më shumë sesa një spektakël i trishtë dhune, padrejtësie dhe iracionaliteti, dhe ku mund të zbulohej një model që favorizon zhvillimin moral. Kjo ishte e vështirë, mendonte ai, sepse njerëzit nuk ndjekin gjithmonë interesin e tyre racional: ata kanë vullnet të lirë, i cili u mundëson të dallojnë ç’është e drejtë, por i lë të ekspozuar ndaj gabimit.

Paradoksalisht, Kant e gjeti te lufta – më saktë, te iracionaliteti i luftës – një burim shprese. Ai besonte se do të vinte koha kur lufta do të bëhej jo vetëm shkatërrimtare dhe e pasigurt, por edhe ekonomikisht e paqëndrueshme – një burim borxhi dhe rrënimi. Ai e parashikoi se përplasja në rritje mes interesave të shteteve dhe zgjerimit të tregtisë globale do të bënte që “ndikimi i çdo tronditjeje në një shtet të reflektohej në të gjithë të tjerët,” duke detyruar lindjen e një konfigurimi të ri politik. Ai imagjinonte një federatë kozmopolite që “nuk ka shembull në botën e shkuar”.

Në fund, bota prodhoi një shembull – megjithëse të papërsosur. Kant kishte parashikuar se “pas shumë shkatërrimeve, përmbysjeve dhe një konsumimi të plotë të fuqive të tyre”, natyra do të “i shtyjë njerëzit drejt asaj që arsyeja do t’ua kishte treguar edhe pa kaq përvojë të hidhur”. Profecia e tij dukej se u përmbush kur, në kampin e internimit Ventotene, ku Mussolini kishte internuar rivalët e tij demokratë, Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi hartuan një manifest që propozonte një Evropë federale të formuar nga bashkëpunimi, jo pushtimi.

Manifesti i Ventotenes u bë më vonë frymëzimi për Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, dhe më pas për BE-në – një përpjekje historikisht e paprecedentë për të kthyer interesat ekonomike të përbashkëta në projekt moral e politik. Në mesin e viteve 2000, ky projekt vazhdonte të ishte gjallë. Në auditorë universitare flitej me entuziazëm për të ardhmen e Evropës si institucion mbinatyror, të ndarë në debatin se si të kthehej integrimi funksional në një trupë politike që ngrihet mbi të drejtën, jo forcën. Ishte një kohë shprese.

ME JEP STREHË

Paradoksalisht, i vetmi vend sot ku ajo ëndërr duket ende gjallë është Shqipëria, e cila duket se ka hyrë në një tjetër kapsulë kohore, një realitet alternativ që më kujton romanin Time Shelter të Georgi Gospodinov, ku njerëzit zgjedhin epokën historike ku duan të jetojnë. Për shqiptarët, epoka ideale është BE-ja e mesviteve ’90 deri në fillim të viteve 2000, nga Traktati i Maastricht-it te projekti kushtetues. Zgjedhjet në Shqipëri fitohen me premtimin e anëtarësimit në BE; legjislacionet ndryshohen brenda natës për t’u harmonizuar me acquis communitaire.

Por ka një çmim. Në Shëngjin e Gjadër, qendrat e paraburgimit të ndërtuara nga Italia për të strehuar azilkërkues të deportuar janë kujtesa e rendit të ri kohor ku jeton pjesa tjetër e Evropës. Janë hapësira të ndërmjetme mes idealit kozmopolit dhe distopisë së së ardhmes.

Në një fjalim para parlamentit italian në mars 2025, Kryeministrja Giorgia Meloni e artikuloi këtë rend të ri më mirë se kushdo. Ajo sulmoi Manifestin e Ventotenes, autorët e të cilit shkruanin: “Problemi i parë që duhet zgjidhur, pa të cilin çdo përparim tjetër është sipërfaqësor, është eliminimi përfundimtar i ndarjes së Evropës në shtete sovrane kombëtare.”

Spinelli dhe Rossi advokonin (mes të tjerash) ndarjen e pushteteve, demokratizimin e ekonomisë, rëndësinë e përfshirjes kulturore dhe domosdoshmërinë politike të mobilizimit të një koalicioni të gjerë progresist. Meloni u përgjigj: “Nuk e di nëse kjo është Evropa juaj, por sigurisht nuk është e imja,” duke shtuar se shpresonte që mbrojtësit e dokumentit të mos e kishin lexuar.

Pothuajse askush jashtë Italisë nuk e vuri re. Ndoshta sepse Evropa sot ngjan më shumë me vizionin e partisë së Melonit sesa me atë të federalistëve të hershëm. Kontributi i elitës evropiane për të imagjinuar të ardhmen konsiston kryesisht në duartrokitjen e modelit të Melonit për “menaxhimin e migracionit” ose në lajkatimet e tepruara ndaj Trump-it për disa koncesione tregtare. Sa për thirrjen më të fundit të Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, për të “riarmatosur Evropën”, ajo e pranoi, më kujton fushatat e bunkerizimit të Shqipërisë.

Teksa mendoj për vitin që vjen, kthehem te Kant: në çështjet njerëzore, askush s’mund ta parashikojë me siguri të ardhmen. “Historia konjukturale”, shkruante ai, ndryshon nga ajo natyrore sepse rrjedha e ngjarjeve njerëzore varet nga liria, jo domosdoshmëria. Profecia e vetme që mund të bëhet realitet është ajo që profeti ndihmon ta realizojë.

Prandaj, më mirë se të spekuloj për atë që mund të ndodhë, dua të flas për shpresën – atë që Václav Havel e përshkruante si shpresë pa optimizëm: një detyrë morale që mbahet gjallë edhe kur perspektiva duket e zymtë. Është shpresa për të parë rishtas idetë që dikur frymëzuan institucionet evropiane të rikthehen në rrugë për mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe kundër makinerisë së luftës. Përparimi nuk është kurrë i garantuar, por është gjithmonë i mundur, me kusht që të veprojmë sikur të ishte. Duke menduar me këtë logjikë të historisë konjukturale, s’do të ishte keq të ringjallnim frymën e rezistencës që na dha socializmin kozmopolit të Manifestit të Ventotenes.

Lea Ypi, Profesore e Teorisë Politike në London School of Economics and Political Science, është Profesore Nderi e Filozofisë në Australian National University dhe anëtare e përhershme në Wissenschaftskolleg zu Berlin. Ajo është autore e disa librave, përfshirë Indignity: A Life Reimagined (Farrar, Straus and Giroux; Allen Lane, 2025) dhe Free: Coming of Age at the End of History (Penguin, 2022), fituese e çmimit Ondaatje 2022 të Royal Society of Literature, çmimit Slightly Foxed, dhe çmimit Ridenhour për librin.

Të fundit