Flash News

OPINEWS

Fjalimi brilant i Gjekmarkajt/ Skaner i ‘qeverisë Rama’, vizitës së Erdoganit, oligarkëve dhe pasurisë së ministrave

Fjalimi brilant i Gjekmarkajt/ Skaner i ‘qeverisë Rama’,

Agron Gjekmarkaj

Nuk jam fare ekspert i pasurisë, as i asaj që duket e as i asaj që nuk duket. Nuk jam asfare i pasur, por jo i mërzitur, sepse kjo është zgjedhje që më bën të lirë.

"Shtëpia ime është e vogël, por dritaret e saj hapen mbi një botë të pafundme", ndaj jam këtu për të mbrojtur bindjet e mia, interesin e qytetarëve shqiptarë dhe jo bizneset e mia, jo investimet e  mia, jo miqtë e mi oligarkë, jo gropat e tyre, jo tunelet për ta, jo rrugët veç për ata, jo fshatrat e tyre turistikë, jo llogaritë bankare të fryra nga administrimi i pushtetit, jo tokat e grabitura në bregdet apo në zemër  të qytetit, jo taksat e vjedhura, jo lekët nga lejet e ndërtimit, jo përqindjet nga tenderat, jo ryshfetet e emërimeve në pika kyçe, jo deputetët, kryebashkiakët apo ministrat hajdutë, jo ligjet të cilat i justifikojnë të fortit grabitjet ndaj qytetarit të zakonshëm.

Nuk kam ndërmend të merrem me projektligjin, as në frymë as në germë, mund të jetë shumë i mirë, mund të jetë shumë i keq, por në thelb gjithçka ndryshon që gjithçka të mbetet njësoj.

Edi Rama na e ka konfirmuar këtë postulat në 8 vite qeverisjeje.

Qeveria dhe pasuria rrinë si nëna dhe bija atje lart ku është e ëmbël hija.

Pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në shumicë këto 30 vjet kanë krijuar njerzit e pushtetit, bizneset dhe mediat afër tyre, familjarët e tyre.

Asgjë më të dukshme në Shqipëri nuk ka se ajo që është fshehur. Asgjë më të turpshme nuk ka sesa përpjekja për t’i bërë moral një shoqërie pasi e ke vjedhur. Por, më kriminale është që me paratë e saj i blen votën me të cilën shton pasurinë tënde dhe e mban të varfer. Të jesh i pasur pa arrogancë nuk kushton asgjë, thotë Konfuci. Por në vendin tonë pasuria, sidomos ajo e bërë me vjedhje, me taraf, me lëpirje  bën zhurmë, ulëret, kërcet, bërtet. Atë e demostrojnë baballarët në darkat e shtrenjta ku shampanja derdhet në pishina dhe ku bujari u demonstrojnë shtetarëve.

Atë e demostrojnë gratë në parukeri apo në kafenë e lagjes, po kaq ndonëse më pafajësisht fëmijet në shkollë apo pasdite me makinat e tyre të shpejtësisë.

Akraballeku i vozitjes së tyre sociale shkëlqen si puçërr me qelb në ballin e një vendi të strukur në hallet e veta.

Kjo pasuri e luajtshme dhe e paluajshme bijë e karaktereve danteske po vret shanset e barabarta për fëmijët, për prinderit, për qytetarët që janë të detyruar të japin dhe jo të marrin.

Kjo pasuri e ka bërë politikën shqiptare kaq agresive dhe shpesh të poshtër. Lufta për të i ka denatyruar asaj thelbin. Joshja prej saj e bën të pambarim tranzicionin, këtë fabrikë parash të pista aktorët e të cilit kërkojnë të mbajnë kohën peng me hakërrime, ulërima e potere.

Kjo pasuri, e pa mund e pa djersë, e cila lëviz mes të paluajtshmes dhe të luajtshmes, bën të vallëzojë atë që nuk duhet të luajë, atë që duhet të qëndrojë rojtar, ligjin ndërkaq e bërë mal i zë pamjen drejtësisë që nuk vepron për zgjedhjet, për inxhinjerinë elektorale, promovimin e idiotësisë mendore që mbufatet me hashash dhe ambalazhohet me propagandë.

Kjo pasuri ku secili di çmimin e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje i ka bërë individët dele dhe shefat ujq, kjo pasuri ka modifikur krenarinë dhe dinjitetin. Prej saj heshtja triumfon mbi fjalën. Prej saj dhe sidomos nga mungesa e saj shoqëria gjindet në krizë etike.

Universitetet tona i ka bërë vulnerabël me autoritet të dëmtuar, spitalet tona si dhoma horrori, Policinë tonë jashtë realitetit, administratën tonë si subjekt romani, politikën tonë shpesh të urryeshme dhe qeverinë jetëgjatë.

Kjo pasuri i ka rinuar politikanët shqiptare, i ka bërë ata pa rrudha, të vishen bukur, të bëjnë palestër, të njohin verërat si e vetmja pasqyrë në të cilen shohin Narçizin e vet. I ka rinuar aq shumë sa mendojnë që janë të përjetshëm, të pavdekshëm, të pazëvendësueshëm. Ata janë botoksi dhe eliksiri ynë.

Ajo i nxit të ndërtojnë inceneratorë, të rrisin borxhin publik ku nuk mban më, të vrapojnë për të miratur hua, marrëveshje.

Ajo, vetëm ajo, i çon drejt demences logjike e kontrollit të çdo gjëje, siç është së fundmi edhe lufta me FSHF, politikë për sport, sport për politikë, dhe të dyja bashkë luajnë për të paluajtshmen -pasurinë!

Pasuria është mirëqenie, pasuria është progres, pasuria është edukatë, pasuria është atdhedashuri e demokraci, pasuria është dashuri, pasuria është rilindje, pasuria është gëzim, sharm, stil dhe epërsi mendore ---ja pyeteni qeverinë dhe do jua konfirmojë fjalët e mia. Pyesni shoferin e Benet Becit dhe të njëjtën gjë ju konfirmon, rroga e të cilit lë në bisht të karrocës çdo profesor shqiptar.

Sot është dita që ky Kuvend të demonstrojë ndërgjegje kombëtare. Një javë më parë Presidenti i një vendi mik, Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan vizitoi këtë sallë duke mbajtur këtu një fjalim. Padyshim Shqipëria nuk sheh te Turqia moderne ish Perandorinë Otomane, përkundrazi sheh një vend mik e aleat. Nuk mund ta harrojmë miqësinë pa kushte që shteti i Turgut Ozalit, Demirelit, Tansu Çillerit e Bulent Eçevitit në ditë të këqia na ofroi.

E gjej me vend të falenderoj Turqinë për çdo lloj ndihme që i jep vendit tonë se mirënjohja as nuk duhet të vjetërohet, as të lodhemi duke e shfaqur.

Por, ne jemi një shtet i pavarur dhe jo një vend vasal. Unë kulturalisht jam katolik, por më së pari jam shqiptar dhe për mua prevalon kombi, gjuha e gjaku mbi çdo fe. U ndjeva keq, gati i poshtëruar për diversionin që u bë mbi komunitetin musliman shqiptar gjatë vizitës së Presidentit Erdogan.

Ata u përjashtuan në përurimin e Xhamisë së restauruar të Et’hem Beut në qendër të Tiranës dhe në krah të Presidentit Erdogan e të Kryeministrit Rama ishte një hoxhë Turk dhe jo një klerik musliman shqiptar. Shqiptarët muslimanë e kanë fituar të drejtën për të zgjedhur krerët e tyre qysh në vitin 1924, dhe kjo është një e drejtë e panegociushme.

Çdo tentativë për të dhunuar këtë të drejtë të shenjtë është ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë dhe të këtij komuniteti. Këtë nuk duhet ta lejojë qeveria, e cila dukshëm shfaqet në pozita vasaliteti dhe jo partneriteti.

Trysnia për të menduar njësoj, për të dëbuar njerez apo për të mbyllur shkolla, po kaq është e patolerueshme. Organizatat terroriste janë të listuara nga OKB dhe ne kemi detyrim t’u rrimë vetëm obligimeve që lindin prej saj. 

Ne, në vitin 1990, ishim ndër vendet më të varfra në botë dhe shumë shtete na ndihmuan të ndërtonim objekte kulti e përsëri meritojnë falenderime, por një shoqëri e emancipuar objektet e kultit, monumentet, varrezat, kulturat, traditat, orientimet gjeoshpirtërore i ndërton me përpjekjet e veta, si reflektim i nevojës dhe historisë. Shqiptarët kanë disa besime fetare, por ata e dinë që nuk janë as turq, as grekë, as sllavë, as italianë, po thjesht shqiptarë që i falen Zotit në mënyra të ndryshme.

Shqiptaria është një ngrehinë me disa mure, siç janë besimet monoteiste kolonë kryesore e identitetit. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili më 17 Janar pat një përvjetor, e për të cilin kjo qeveri nuk u kujtua, sepse falë Zotit ajo ka Skënderbeun e vet ende gjalle dhe ai që që vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë i prish jaranllëkun e vasalitetit, i cili i duhet vetëm për sundimin e tij, e jo si kërkesë e popullit shqiptar për "vëllazeri".

Si ish-Kryetar i Komisionit të Edukimit dhe Mediave i shpreh gjithë solidaritetin gazetares turke Sedef Kadash, dhe madje mbështes edhe qeverinë tonë nëse kërkon lirimin e saj të menjëhershëm.

*Fjalimi sot ne Kuvend

Të fundit