Flash News

OPINEWS

Florjan Binaj: roli më serioz i një aktori që nuk luan për pushtetin

Florjan Binaj: roli më serioz i një aktori që nuk luan për

Për bashkinë Tiranë është më mirë një kandidat që humorin e ka zanat, sesa një kandidat që është pjellë e humorit të Edi Ramës.
Partia Demokratike dhe disa parti të tjera opozitare kanë vendosur të mbështesin kandidaturën e aktorit dhe aktivistit të njohur, Florjan Binaj, për Bashkinë e Tiranës.
Për mua, kjo është një lëvizje taktike e papritur dhe shumë e zgjuar nga PD-ja – një forcë politike që rrallëherë është njohur për lëvizje të tilla jashtë gardhit të vet tradicional.
Me mbështetjen që PD-ja i ka dhënë kandidaturës së Florjan Binaj, ndodhin disa gjëra të rëndësishme në skenën politike:
1. Ka kapur gafil Edi Ramën, i cili ka zgjedhur të kandidojë një personazh që është me dosje korrupsioni të hapura, si Ogerta Manastirliu. Një kandidate e përzgjedhur pa e pyetur kush, pa konsultim dhe praktikisht një figurë peng e KM – e shantazhueshme dhe e përdorshme për t’u bërë kurban në momentin e parë që do t’i paraqitet nevoja, ashtu siç ndodhi me Erion Veliajn.
2. PD-ja dhe opozita në tërësi tregojnë se nuk kanë frikë të mbështesin figura jashtë gardhit të tyre politik – njerëz me integritet dhe bindje të pavarura, të gatshëm të hyjnë në një garë edhe për një mandat të shkurtër, në emër të një qëllimi qytetar.
3. Florjan Binaj, edhe pse ka imituar Edi Ramën në rolet e tij të shumta, nuk bën pjesë në radhën e artistëve që i kanë shërbyer pushtetit me projekte apo favore.
4. Florjan Binaj është zgjedhja më e mirë edhe për socialistët, të cilët tashmë e dinë mirë që kryebashkiaku aktual i Tiranës ka qenë një zgjatim i interesave personale të Edi Ramës. Dhe kur t’i nevojitet, Rama nuk heziton ta “flijojë” edhe Ogertën, ashtu siç bëri me Veliajn.
5. Florjan Binaj është kandidat edhe për qytetarët pa parti – ata që kërkonin një figurë përtej gardheve politike: një kandidat popullor, të ndershëm e familjar. Tashmë, edhe ata e kanë kandidatin e duhur.
6. Së fundi, por jo për nga rëndësia: Florjan Binaj duhet votuar masivisht nga qytetarët e Tiranës për t’u dhënë një mësim partive politike, në opozitë apo në mazhorancë, se brenda gardheve të tyre ka nevojë për një shkundje me themele. Këto zgjedhje janë për një gjysmë mandati, por janë një test jashtëzakonisht i rëndësishëm për politikën dhe qytetarët.
9 nëntori do të jetë një test ku do shohim se kush ka mësuar më shumë prej tij, partitë politike apo qytetarët.

Të fundit