Flash News

OPINEWS

Hibridi, ‘arma’ vrastare e Putinit: Si po e përdor në mënyrë perfekte edhe Rama

Hibridi, ‘arma’ vrastare e Putinit: Si po e përdor në

Nga Hysni Gurra

Një nga keqkuptimet më të mëdha të debatit publik sot është ideja se pushteti mbahet vetëm me polici, gazlotsjellës (i skaduar ose jo - që më duket një idiotsi ky lloj diskutimi), propagandë klasike apo censurë.
Modelet moderne të autoritarizmit – udhëheqësi më i rafinuara i të cilëve është Putini – tregojnë të kundërtën: pushteti më i fortë është ai që shtiret si kritik i vetvetes. Kjo quhet metodë hibride.
Çfarë është “hibridi i Putinit”
Në modelin putinist, kundërshtari nuk luftohet gjithmonë ballë për ballë. Ai imitohet, përthithet dhe më pas neutralizohet.
Regjimi nuk prodhon vetëm propagandë pro-pushtetit, por edhe kritikë të kontrolluar, që në pamje të parë duket e ashpër, por në thelb shërben për një qëllim të vetëm: të mos mbetet asnjë alternativë e besueshme.
Formula është e thjeshtë dhe shumë efektive: “Po, pushteti është i keq… POR opozita është katastrofë.” Kjo “por” është arma.
Versioni shqiptar i hibridit
Në Shqipëri, kjo metodë shfaqet qartë në rrjetet sociale dhe në banaqet e rilindjes. Një ushtri profilesh, komentuesish dhe “opozitarësh të zhgënjyer” që:
-shajnë Ramën me fjalor të ashpër,
-flasin për korrupsion, arrogancë, kapje shteti,
-krijojnë përshtypjen e rebelimit,
dhe sapo fitojnë besimin e lexuesit, e godasin objektivin real: opozitën. Për t’i identifikuar më saktë këta në Shqipëri, kujtoni secilin nga propaganduesit publikë të Lulit (nuk janë vetëm ata, por ata ishin ‘kavia’ e parë që eksperimentoi Rama si model sefte)
Hibridët nuk kanë argumente të reja, por kanë të njëjtën retorikë që përdor Rama:
-opozita është qesharake,
-opozita është e paaftë,
-opozita është më e rrezikshme se pushteti.
Kjo nuk është kritikë. Është sabotazh.
Pse funksionon
Sepse është psikologjikisht e sofistikuar. Njeriu i lodhur nga propaganda zyrtare u beson më shumë atyre që “shajnë pushtetin”. Dhe kur këta të fundit thonë:
“Nuk ka alternativë” mesazhi ngulitet shumë më thellë sesa po ta thoshte vetë Rama. Ky është thelbi i luftës hibride: të bësh kundërshtarin të dorëzohet vetë.
Efekti final: Shoqëria mbushet me cinizëm. -Zgjedhjet e lira shihen si të kota. -Angazhimi politik si naivitet.
-Dhe pushteti nuk ka më nevojë të fitojë mbështetje — i mjafton që të zhbëjë shpresën.
Si përfundim, Hibridi nuk e mbron pushtetin duke e lavdëruar. E mbron duke shkatërruar çdo ide se diçka tjetër mund të ekzistojë. Kur opozita goditet më fort nga ata që shtiren si opozitarë, atëherë loja është mbyllur. Jo me dhunë. Jo me bombula gazi. Por me komente, “por”-e dhe cinizëm të fabrikuar.

Të fundit