Flash News

OPINEWS

Ish-këshilltarja e Reganit për ‘rënien’ e një gazete të majtë: Elegji për Washington Post-in

Ish-këshilltarja e Reganit për ‘rënien’ e një

Peggy Noonan

Tkurrja e Washington Post është e dhimbshme sepse të lë ndjesinë e një tjetër zhvillimi demoralizues në jetën tonë kombëtare. Jeta jonë publike si komb — çfarë na ngjiz së bashku, si dialogojmë me njëri-tjetrin, tingulli ynë si shoqëri — nuk është më çka ka qenë. Ka rënë, dhe këtë e ndiejmë të gjithë ne, të gjithë ne të rriturit.

Post ishte një kolonë. Shkurtimet masive dhe tkurrja e mbulimit të lajmeve të njoftuara këtë javë pasojnë vite të tëra largimesh vullnetare dhe seksionesh të zvogëluara. Asgjë nga këto nuk duket si ristrukturim apo ndryshim prioritetesh, por si shkatërrimi i një gazete, i një gazete të madhe, një madhështi gazetarie që fillon diku në vitet 1960 deri diku në vitet 2020. Mendoj se Post e dëmtoi veten kur, nën presionin e pandemisë, të çështjes George Floyd dhe ndryshimeve të mëdha teknologjike e mediatike, u lëkund — dhe jo në faqet e opinionit, por në anën e lajmit. Megjithatë, unë e mbajta abonimin, sepse kjo është një mënyrë për të treguar besim, për t’i dhënë një gazete të madhe kohë të stabilizohet. (Dhe gjithmonë do të kishte një kolonë të rëndësishme nga David Ignatius, ose ndonjë zbulim të madh mbi një skandal qeveritar që e bënte abonimin të vlefshëm.)

Por zbehja e Post-it, që tashmë duket si rënie përfundimtare, nuk është vetëm një “histori mediatike”. Reagimi nuk duhet të ndahet në linja ideologjike, ku e majta ndjen se gazetaria është territori i saj dhe trishtohet, ndërsa e djathta e sheh gazetarinë si armikun e saj të madh dhe gëzon. Nëse e trajtojmë kështu, do të dështojmë ta shohim historinë në rëndësinë e saj. Kryeqyteti i kombit më të fuqishëm në tokë duket se mbetet pa një gazetë vitale dhe plotësisht funksionale që ta mbulojë atë. Kjo nuk është rast për shaka; është një katastrofë.

Ndonjëherë kam frikë se pak njerëz kujdesen vërtet për gazetarinë, por pa të ne jemi të vdekur. Një ditë diçka e keqe do të ndodhë, diçka e tmerrshme në shkallë kombëtare, dhe gjëja për të cilën do të kemi më shumë nevojë, fjalë për fjalë për të mbijetuar, do të jetë informacioni. Informacion i besueshëm — një mënyrë për ta marrë dhe për t’ia përcjellë publikut. Kjo është gazetaria: marrja e informacionit.

Duhet ta mendoni si pjesë të sistemit të mbijetesës së vendit tuaj. Ndoshta qeveria don ose nuk don t’ju tregojë të vërtetën, ndoshta Pentagoni po ashtu, por nëse e dini se keni këtë ishull të mrekullueshëm gazetarësh profesionistë që punojnë për një organizatë serioze lajmesh, keni një shans real për të mësuar cila është e vërteta.

Duhen vite për të formuar reporterë të mirë — njerëz të trajnuar, që e duan aq shumë historinë, që e duan aq shumë lajmin, sa do të futen në zjarr, do të vrapojnë drejt zhurmës së armëve. Ata rriten vetëm në redaksi, jo në shtëpi para laptopëve. Mësohen nga mjeshtra më të vjetër, përmes historive dhe traditës profesionale.

Madhështia dhe ekspertiza e Post-it nuk mund të zëvendësohen lehtë, dhe ndoshta nuk mund të zëvendësohen fare, ose të paktën jo pa dekada përkushtim.

Është e mundur që pronari, Jeff Bezos, vendos se gazeta e tij është një strukturë e shekullit XX në një botë të shekullit XXI, dhe që nuk mund të ndryshohet apo përshtatet gradualisht, ndaj ai dhe drejtuesit e tij po e çmontojnë deri në themele. Ndoshta do ta shesë, ndoshta do ta mbajë dhe do ta rindërtojë. Por kjo do të marrë shumë, shumë kohë. Nuk mund ta rikthesh menjëherë prestigjin, praninë, profesionalizmin e një institucioni. Nuk mund të kërcasësh gishtat, të zhdukësh një botë të tërë, të ndërtosh një tjetër dhe ajo të funksionojë menjëherë siç duhet.

Dhe kjo do të ketë ndikim mbi demokracinë tonë.

Pse fundi i një gazete të madhe nuk është i mirë për demokracinë? Le të kthehemi te Thomas Jefferson, në Paris, në vitin 1787, kur ishte ambasador në Francë. Në atdhe po debatohej Kushtetuta amerikane. Në një letër të datës 16 janar drejtuar mikut të tij Edward Carrington, ai shkruante: “Nëse do të më lihej mua të vendosja nëse duhet të kemi qeveri pa gazeta apo gazeta pa qeveri, nuk do të hezitoja asnjë çast të zgjidhja këtë të fundit.” Nuk po bënte shaka. Ai e kuptonte se gazetaria ishte mbrojtje kundër tiranisë.

Qeveria, nga natyra e saj, gjithmonë kërkon të grumbullojë pushtet dhe ta përdorë atë. Një shtyp vigjilent e ngadalëson këtë proces, ndonjëherë e ndalon, duke ekspozuar abuzimet e saj.

Nëse qytetarët janë të informuar, ata mund të vetëqeverisen mbi një bazë minimale realizmi. “Mendja e shëndoshë e popullit,” shkruante Jefferson, është gjithmonë “ushtria më e mirë”. Është e vërtetë, mund të “çorientohen”, por gabimet e tyre do të jenë të kufizuara dhe mund të korrigjohen përmes informacionit që mund të “depërtojë në të gjithë masën e popullit”. Kur publiku është i painformuar, ata që drejtojnë qeverinë “do të bëhen të gjithë ujqër”.

Ai e dinte mirë se gazetarët mund të prodhonin shkrime partiake, të pasakta, sensacionaliste. Ai vetë u bë një manipulues i shkathët i shtypit. Por, sërish, procesi mund të vetëkorrigjohej, sidomos nëse një komb kishte një kulturë të madhe dhe të gjallë informacioni, ku të gjithë mbajnë nën vëzhgim njëri-tjetrin.

Në çdo rast, ai ishte i bindur se një shtyp i lirë ishte më i sigurt për republikën sesa censura dhe propaganda qeveritare, që përndryshe do të mbizotëronin.

Kjo është aq e vetëkuptueshme — dhe aq e rëndësishme për këtë moment! — sa bëhet e qartë se kryeqyteti i kombit më të fuqishëm në botë, që funksionon pa një gazetë të madhe kryesore që ta monitorojë, përbën rrezik dhe kërcënim.

Nuk e kuptoj figurën e zotit Bezos. Njeri i mirë, e kam takuar; gjithmonë trajtohet si vizionar biznesi! Por çfarë po bën tani? Nuk mund ta besoj se personi i katërt më i pasur në botë (dhe në histori) do ta shkatërronte reputacionin e tij historik për të fituar favore nga administrata Trump. Për çfarë, më shumë kontrata? Ai ka mjaft kontrata! Është kaq e vogël, kaq pa rëndësi. Ajo që ka rëndësi është nderi, ajo që mbetet, ajo që historia thotë për ty, si e ndihmove vendin tënd.

Sa për ata që i zbatojnë këto tkurrje, jemi në mes të një revolucioni të vazhdueshëm teknologjik; interneti e përmbysi modelin e biznesit, gjërat janë të vështira. Por po ju them, kam takuar të njëjtët drejtues mediash për 20 vjet, dhe diçka nuk shkon. Sytë u ndriçojnë kur japin shpjegime të gjata e të detajuara për sfidat e gazetarisë moderne — pse po vdes, pse asgjë nuk funksionon. Kur biseda kalon te zgjidhjet, si të përballohet situata, sytë u shuhen. Nuk është vetëm se nuk dinë si; është se janë dashuruar me spiralen e rënies. E vetmja krijimtari e tyre është të përshkruajnë gjithçka që po e vret kompaninë e tyre, dhe kanë fjalë të gjalla për këtë — “po mbytet”, “po goditet”. Nuk kanë fjalë për ringjalljen dhe mbijetesën. Mos vallë edhe kjo është pjesë e problemit?

Së fundi, humbja e së vetmes gazetë të madhe që ka mbetur në kryeqytetin e kombit — dhe pikërisht gjatë administratës Trump, në një kohë abuzimesh të lehta me standardet dhe traditat, të afrimit dhe më pas kalimit të ligjit, në një model që premton të përkeqësohet — është më shumë se një makth jeffersonian; është një lloj mëkati. I një lloji që historia nuk e fal lehtë.

Të fundit