Flash News

OPINEWS

Koment/ Shqipëria dhe Sindroma e kohës së humbur

Koment/ Shqipëria dhe Sindroma e kohës së humbur

Nga Lajla Pernaska

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Kjo thirrje simbol e ndryshimit të sistemeve, që shumë nga ne dëshmitarët e kohës, besuam naivisht, se do realizohej relativisht shpejt, mbeti pezull. Kaluan 3 dekada tranzicion demokratik, që na lanë duke e parë nga larg derën e Shtëpisë Europiane, edhe pse politikisht kemi trokitur vazhdimisht në të.

Paradoksi më i madh është se ky inspirim ka buruar masivisht nga shpirti europian i shqiptarëve. Ndërkohë që politika kryesisht, e ka ngadalësuar proçesin, duke sakrifikuar standardet e kërkuara.

Më kujtohet nga viti i largët 1995, një deklaratë e ishPresidentit Berisha se “Shqipëria vuan nga Sindroma e kohës së humbur”, duke apeluar për reforma të shpejta.

Por në një panoramë të shpejtë, mund të gjykohet se, as “çeku i bardhë”, as modelet e reformave të importuara, që s’u çertifikuan dot si “made in Albania”, as “modeli ekonomik piramidal”, as kriza e thellë e 97-tës, as trafiqet klandestine, as Drejtësia e Munguar, as krijimi i subjekteve politike për Integrimin(LSI), as kompromisi politik (PD-PS) i ndryshimeve kushtetuese (2008), as kompromiset për pushtet PD-LSI (2009) e PS-LSI (2013), as aktet politike, si bllokimi i tre ligjeve me 2/3 nga PS (2013), apo djegia e mandateve (2018), e bojkotimi i zgjedhjeve lokale (2019) nga PD-LSI, as qeverisja e tejzgjatur e PS, e korrupsioni në rritje, nuk na kanë bërë dot as “Shqipërinë që duam”, as “Si gjithë Europa”.

Këtij rrugëtimi sfilitës të përplasjeve brënda vetes, iu bashkëngjit dhe një preçedent në proçesin e integrimit, ku një shtet, mbahet si kolateral i një mosmarrëveshjeje midis një shteti anëtar të BE-së dhe një aspiranti për anëtarësim.

Tendenca jonë për të harruar shpejt, na bëhet barrierë për të qartësuar realitetin dhe për të parë me objektivitet të ardhmen. Por këtu na ndihmon historia: në vitin 1992 u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë & Bashkëpunimit BE-Shqipëri. Në vitin 1999, BE propozoi Proçesin e ri të Stabilizim Asociimit (PSA),që vazhdoi me njohjen e Shqipërisë si "shtet kandidat potencial" në vitin 2000.Ajo filloi bisedimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) në vitin 2003.Ishte sukses nënshkrimi i saj më 12 qershor 2006, duke kompletuar hapin e parë të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në BE. Shqipëria aplikoi për anëtarësim më 28 prill 2009. U bë kandidat zyrtar për anëtarësim, në qershor 2014 dhe vazhdon negociatat, që prej Qershorit 2018, për organizmin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Miratimi së fundmi i propozimit të BE-së nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut, mundëson këtë Konferencë, që zyrtarizon fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë.

Sigurisht hapja e negociatave do te krijojë një ambient më të fortë sigurie në rajon, duke detyruar qeveritë të funksionojnë sipas legjislacionit dhe politikave Europiane, në luftë serioze kundër korrupsionit e krimit të organizuar, me standarte shumë më të mira të një demokracie funksionale.

Dekada jonë e katërt e tranzicionit, do jetë më sfiduese, por edhe më europiane.Së pari kërkon një klasë politike po aq europiane, me integritet moral e profesional, që t’i shërbejë interesave të vendit, para atyre partiake,apo vetjake. Kompromisi politik për Europën, duhet të jetë në themel të axhendës politike shumëpartiake.

Që Shqipëria të hapi një epokë të re moderniste, mbi bazën e Shtetit Ligjor, duhet kërkuar përgjegjësia ndaj vetes, raporti ynë me të vërtetën, vullneti për vet-korigjim. Duke filluar nga Liderët politikë, që t’i japin çelësin e modernitetit shoqërisë shqiptare, duke shkuar përtej politikës së ditës dhe interesave partiake për pushtet.

Këtë detyrim e kemi të gjithë, për të ardhmen e vendit, për brezin e lindur të pas 90-tës, (Gjeneratat Millennials Y, Z ), që komunizmin e shohin si “përrallë nga e kaluara”, ndërsa Europën, deri më tash, vetëm si ëndërr emigrimi, e jo integrimi.

Ne e dimë se ky proçes është sa i mundimshëm, aq edhe jetik.Eshtë emergjencë kombëtare, ndalimi i hemoragjisë së emigrimit, që po na tkurr frikshëm popullatën.Po aq i ngutshëm është dhe ngushtimi i hendekut të frikshëm social.

Një proçes gjithëpërfshirës i shtresave shoqërore në zhvillimin politiko-social-ekonomik të vendit, mund të ndryshojë përfundimisht kahjen e ardhjes së Europës tek ne, jo largimin tonë drejt Europës.

Eshtë meritë e shqiptarëve, që e kanë mbajtur gjallë besimin e Shqipërisë Europiane. Shqipëria është e shqiptarëve, jo e pushtetarëve, është e të gjithëve ne, në respekt të plotë të zgjedhjeve, bindjeve, mëndësisë politike, ose jo, fetare, ose jo, filozofike, ose jo.

Qoftë i bekuar rrugëtimi i mbetur i Shqipërisë, për t’u bërë sa më parë “Si gjithë Europa”.

 

 

Të fundit