Flash News

OPINEWS

Kur bullizmi ofrohet si model nga maja e pushtetit

Kur bullizmi ofrohet si model nga maja e pushtetit

Nga Lutfi Dervishi

Brenda pak javësh, një tjetër i ri i dha fund jetës në të njëjtin qytet, në të njëjtën shkollë. Nuk kishte faj TikTok-u, i mbyllur tashmë.

Kur jeta e të rinjve varet nga një fije shprese që nuk e gjejnë as në shkollë, as në shoqëri, as në rrjetet sociale, nuk mund të mbyllim sytë pafundësisht. As të bëjmë hipokritin, sikur jemi të befasuar.

Bullizmi nuk lind në bankat e shkollës ai mësohet nga foltoret, ekranet dhe fushatat.

Kur politikanët tallin, etiketojnë, ulin njeri-tjetrin me fjalor të shthurur dhe epitete fyese, çfarë mësojnë të rinjtë?

Mësojnë që më i forti fiton dhe mposht me tallje, jo me arsyetim. Që shpëtimi vjen duke sulmuar tjetrin, jo duke kuptuar veten.

Fushata elektorale ka kohë që nuk është garë idesh e ballafaqimesh, por konkurs kombëtar ofendimesh. Në vend të debatit ka epitete. Në vend të vizionit, meme dhe bullizëm dixhital.

Ndërkohë që të rinjtë bien një nga një, asnjë dorëheqje, asnjë reflektim, asnjë përgjegjësi. Sepse kemi ngritur një sistem ku fjalët plagosin dhe heshtja i varros. Dhe më tragjikja: kjo ndodh nën heshtjen e institucioneve.

Nuk mjafton të ndalosh fushatën një ditë në Gjirokastër për të respektuar dhimbjen e familjes. I duhet thënë “Stop” bullizmit dhe duhet kuptuar që fjala vret!

Bullizmi vret. Në fillim me heshtje. Pastaj në tituj lajmesh. Dhe në fund, si kulturë, si mentalitet, si mjet pushteti. Derisa dikush të thotë: Mjaft është Mjaft.

Të fundit