Flash News

OPINEWS

Kur media braktis misionin e vet per motive politike

Kur media braktis misionin e vet per motive politike

Nga Nikola Kedhi

Ka tre ditë që ka dalë raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi abuzimet e të drejtave të njeriut. Këtë raport të përvitshëm DASH e bën për të gjitha shtetet, dhe ndër to edhe Shqipërinë.

Raporti nuk e nxjerr në një dritë të mirë Shqipërinë. Flitet për censurë dhe vetëcensurë të medias, ndikim e presion të qeverisë e grupeve kriminale, etj. Pra, një situatë që nuk do duhej të ishte në një vend të NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Europian.

Dje, disa media, në vend që të merreshin me këtë raportim, gjejnë një raport më të hershëm të DASH-it, mbi narkotikët, ku ka një kapitull edhe për Shqipërinë, dhe nxjerrin një paragraf për punën e SPAK-ut dhe përcaktimin “non grata” të kryetarit të PD-së, Berisha.

Këto media më pas interpretojnë, jo pa një dozë kënaqësie nga ana e tyre, se Sekretari i Shtetit Rubio paska konfirmuar “non gratën” për zotin Berisha, duke komentuar për pasojat që kjo sjell dhe se si opozitës i qenkan mbyllur dyert në Washington.

Ky raport është i marsit 2025, kur administrata Trump nuk kishte as dy muaj pune, dhe për më tepër është vëllimi i dytë i një raporti të mëhershëm të administratës Biden.

Është për t’u habitur zelli i mediave pranë qeverisë për të lënë mënjanë raportin e tanishëm të DASH-it, që nxin qeverinë, dhe për të shkuar deri në mars 2025 për të nxjerrë paragrafin mbi zotin Berisha, që nuk ka lidhje me raportin e fundit, e për t’ia bashkangjitur këtij të fundit. Pra, një mashtrim publik.

Thjesht për të kuptuar, me një shembull të vogël, se si funksionojnë mediat në vend dhe sa shpejt e me sa kënaqësi gjejnë ose shpikin raste për të sulmuar opozitën – sporti i preferuar i viteve të fundit.

Të fundit