Flash News

OPINEWS

Mbi kulturën politike, ideologjitë, dhe damkosjen e Dritan Abazoviqit

Mbi kulturën politike, ideologjitë, dhe damkosjen e Dritan Abazoviqit

Albert Bikaj

Rënia e qeverisë së z. Abazoviq u bë temë e bujshme. Duke parë e lexuar reagime të ndryshme, analiza politike, konkluzione ezoterike apo edhe konspiracione politike, mendova të shkruaj diçka mbi temën në fjalë.

Kultura politike, në Mal të Zi, kryesisht si në rajon, është ende në nivel fillestar, të mos them në nivel të ulët. Bindjet ideologjike, përveç nacionalizmit folklorik, janë jo konsistente, madje shpesh të paqarta, gati-gati skizofrenike.

Këtë fakt më së miri e reflekton niveli i shumë politikbërësve, por edhe i shumë qytetarëve, respektivisht reagimet, idetë, analizat e thjeshtëzuara dualiste që më së miri i përfaqëson retorika e secilit. Kjo pasqyrohet edhe në reagimet me rastin e shkarkimit të kryeministrit në ikje z. Dritan Abazoviq. Dikur, për shumë veta ‘hero’, sot ‘zero’ e ‘tradhëtar’.

Pse kështu?

Ka një shpjegim të thjeshtë.

Dukuri e qartë e ndikimit të frymës totalitare, në këtë rast e komunizmit, në vendin tonë është instikti dualist: paranojak dhe konspirativ. D.m.th., ideja se ata që mendojnë apo veprojnë jashtë kornizave ideologjike me të cilat jemi mësuar janë o tradhëtarë, o spiunë; tjetër ska.

Jo më kot mendimtarja e shquar, Hannah Arendt, ne një ndër studimet e saj mbi totalitarizmin, shkruante se qëllimi kryesor i sistemit totalitarist është jo vetëm shtypja e opozitës, por ndalimi i të menduarit. Shoqëria jonë postkomuniste është shembull i gjallë i pasojave të eksperimentit totalitar. Por të mos dalim nga tema.

Ndonëse nuk jam dakord me z. Abazoviq për arsye pikëpamjesh filozofike dhe politike, jam i bindur se ai u keqkuptua, edhe vazhdon të keqkuptohet. Problemi i ish-kryeministrit është bindja e tij konsistente politike, e cila edhe e bëri figurativisht viktimë.

Z. Dritan Abazoviq, i dashur apo i urryer, për nga spektri politik tradicional kategorizohet si liberal i majtë dhe kozmopolit. Diçka që ështe ende e zorshme të kuptohet në një shoqëri dhe rajon ku ideologjia dominuese është socializmi dhe nacionalizmi folklorik.

Duke pasur parasysh bindjet, ai beson me të vërtetë në dialog dhe paqe midis popujve në Mal të Zi dhe rajon. Mision i cili duket shumë i vështirë, që kërkon maturi, durim dhe mbi të gjitha shumë-shumë kohë, pasi raportet dhe proceset socio-politike janë të natyrës së tillë. Ideja se këto probleme mund të zgjidhen ndonëse për momentin, larg realitetit, nuk është jo e logjikshme apo e gabuar për të ardhmen.

Problemi qëndron me iluzionin që të jep pushteti dhe bindjet idealiste, që të mos them utopike. Kjo e fundit është karakteristikë, që të mos them e metë, e liberalizmit të majtë: shpresa për përparim duke injoruar tre faktorë të rëndësishëm: kohën, realitetin dhe historinë. Injorimi i këtyre tre faktorëve është pamaturi, ngutje nën ndikimin ideologjik, e cila i kushtoi shumë.

Shkurt, ish-kryeministri nuk është hero, por as tradhëtar; në këtë rast është viktimë e bindjeve utopiste që janë rezultat i [pa]maturisë në veprimtarinë politike. Ndonëse, sa i takon Malit të Zi, ai ka arritur ta zbusë klimën politike nderetnike, që është për t’u përgëzuar. Por kjo arritje mund t’i ketë kushtuar shumë: sakrificën e karrierës politike.

*Politolog

Të fundit