Flash News

OPINEWS

Me të djathtën konservatore Shqipëria zgjedh lirinë

Me të djathtën konservatore Shqipëria zgjedh lirinë

Nga Nikola Kedhi – Drejtor Bordi i Qendrës Shqiptare të Politikave

Botuar në Newsmax

Në një botë ku kufijtë midis të drejtës dhe të gabuarës po bëhen gjithnjë e më të paqartë, nevoja për një të djathtë dhe konservatorizëm të fortë dhe parimor nuk ka qenë kurrë më e madhe.

Kjo mesazh u përçua fuqishëm në konferencën e organizuar së bashku nga Qendra Shqiptare e Politikave, Heritage Foundation dhe Nazione Futura, duke nënvizuar nevojën për të zbatuar një vizion konservator që të udhëheqë Shqipërinë përmes sfidave të saj.

Konservatorët shqiptarë, të gjendur më së shumti në Partinë Demokratike, janë gati për të thyer status quon e rrezikshme të “stabilokracisë” dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm demokracie me balancat e duhura për stabilitet afatgjatë.

Shqipëria ndodhet në një udhëkryq kritik, dhe tema e forumit, “Rruga Konservatore,” shërbeu si një thirrje për ata që janë të vendosur t'i japin vendit një drejtim të ri.

Për dekada me radhë, Shqipëria vuajti nën realitetin kriminal të komunizmit, duke përjetuar shtypje dhe erozionin sistematik të identitetit personal dhe kombëtar dhe dinjitetit njerëzor.

Trashëgimia e atij regjimi ende hedh një hije të gjatë mbi vendin. Diktatura komuniste kërkoi të shkatërronte strukturën e shoqërisë shqiptare, duke këputur lidhjet ndërbrezore dhe duke rrëmbyer identitetin, historinë dhe lidhjen shpirtërore që ekziston natyrshëm në komunitete.

Megjithatë, pavarësisht viteve të gjata të errësirës, shpirti shqiptar mbeti i pathyeshëm.

Qëndresa e të burgosurve politikë, pronarëve legjitimë dhe antikomunistëve lejoi që Shqipëria të mbijetojë.

Kur mundësia për liri më në fund erdhi, populli e kapi atë, duke e ditur shumë mirë se rruga përpara nuk do të ishte e lehtë.

Kjo rezistencë frymëzon udhëtimin e vazhdueshëm të Shqipërisë drejt një të ardhmeje të përcaktuar nga liria dhe mundësia. E kaluara jonë fatkeqe na vendos në një pozicion të veçantë për të njohur rreziqet që paraqet rimishërimi i ri i komunizmit — marksizmi kulturor, i avancuar nga e ashtuquajtura lëvizje “woke” — dhe për të ofruar udhëzime se si të ndalet.

Sot, Shqipëria përballet me sfida të reja: një ekonomi të brishtë, mungese tregu të lirë dhe konkurrence, korrupsion të përhapur dhe një shtet që është bërë gjithnjë e më shume i kudogjendur në jetët tona – dhe jo për mirë.

Shumë shqiptarë po largohen nga vendi, të shtyrë nga një agjendë e planifikuar mirë shpopullimi. Gjithashtu, shumë ndihen se sovraniteti i tyre po minohet nga aktorë globalë të pandjeshëm ndaj fatit tonë.

Vendi ynë është i rrethuar nga një mur diplomatësh dhe të dërguarish të huaj që janë dorëzuar ndaj veseve dhe korrupsionit, duke errësuar realitetin tonë për qeveritë e tjera evropiane dhe brigjet amerikane.

Aktualisht, Shqipëria ka të vetmin të burgosur politik në Evropë, liderin pro-perëndimor të lëvizjes konservatore, Sali Berisha, që ka kaluar nëntë muaj në arrest shtëpiak pa akuzë ose njoftim zyrtar.

Shqipëria nuk mund të përballojë të lëvizë verbërisht drejt një të ardhmeje të pasigurt dhe të rrezikshme.

Me fuqi agresive në rritje si Rusia dhe një Kinë gjithnjë më ekspansioniste, Shqipëria duhet të bëjë një zgjedhje të qartë dhe të pakthyeshme mbi modelin që ndjek.

A do të dorëzohet ndaj autoritarizmit dhe burokracisë, apo do të përqafojë një rrugë që garanton konkurrencën e lirë të ideve, rotacionin politik dhe qeverisjen e balancuar?

E djathta shqiptare ka zhvilluar tashmë një vizion afatgjatë, një vizion jo vetëm për ciklin e ardhshëm zgjedhor, por për 40 apo 50 vitet e ardhshme – të cilin natyrisht propaganda nuk e paraqet.

Ky vizion përqendrohet në krijimin e një vendi me një model ekonimik ndryshe, nje vend që prodhon, eksporton dhe punëson, nga thjesht konsumator e importues.

Me taksa më të ulëta, deregullim dhe stimuj për punën, ky program konservator synon të rivendosë dinjitetin e çdo individi, fermerë, sipermarrës, punonjës administrate apo privatë, mjekë e arsimtarë, duke siguruar që liritë themelore të mbrohen.

Konservatorët shqiptarë janë gati të qeverisin vendin, dhe ata e tregojnë këtë çdo ditë, pavarësisht sfidave brenda vendit dhe një përpjekjeje globale për të shkatërruar opozitën konservatore.

Shqipëria ndodhet në një moment zgjedhjeje që do të formësojë fatin e saj për dekada me radhë.

A do të vazhdojë në një rrugë ku shteti rritet dhe liritë individuale zvogëlohen? Apo do të kthehet te parimet që gjithmonë e kanë bërë të fortë?

Kjo nuk është thjesht një zgjedhje për politikanët; është një zgjedhje që çdo shqiptar duhet ta bëjë.

Qendra Shqiptare e Politikave që unë e drejtoj, ka hartuar një deklaratë të parimeve konservatore, duke ofruar një rrugë të qartë për të ardhmen e kombit.

Këto parime theksojnë lirinë individuale, shenjtërinë e familjes, rëndësinë e traditës, tregjet e lira dhe një përkushtim ndaj interesit kombëtar.

Partitë politike dhe shoqëria jonë ftohen të bashkohen rreth këtyre idealeve, të cilat përfaqësojnë rrugën më të mirë përpara për një vend që kërkon unitet, rritje dhe ripërtëritje.

Partia Demokratike ka përqafuar tashmë shumë nga këto ide në Doktrinën e saj Politike që Kuvendi Kombëtar votoi në mbledhjen e fundit.

Ngjarja jonë e fundit tregoi se lëvizja konservatore në Shqipëri, e djathta shqiptare nuk është as e izoluar dhe as e mposhtur. Ajo mbetet e gjallë, e mbushur me ide dhe një vizion të guximshëm për të ardhmen.

Shqiptarët tani kanë një mundësi për të çliruar veten nga e kaluara e dhunshme, për të shëruar plagët e komunizmit dhe për të hapur një kapitull të ri në historinë e tyre kombëtare.

Ne shtrijmë një dorë miqësie dhe bashkëpunimi për të gjithë ata që dëshirojnë ta mbajnë Ballkanin të lidhur me Perëndimin politik.

Kombet amerikane dhe evropiane kanë aleatë të fortë në lëvizjen konservatore shqiptare, të gatshëm të punojnë së bashku për të shpëtuar demokracinë dhe stabilitetin e rajonit përpara se të lindin konflikte më të mëdha.

Duke zgjedhur konservatorizmin, Shqipëria mund të zgjedhë lirinë, shpresën dhe forcën.

Koha është tani që kombi të bashkohet pas një vizioni që premton një të ardhme më të ndritur dhe më të begatë.

Koha është tani që kombet në mbarë botën të njohin se ne jemi këtu si partnerë të besueshëm duke punuar së bashku për një Shqipëri demokratike dhe një Ballkan më të fortë.

 

 

Të fundit