Flash News

OPINEWS

Nga kush ruhet Erion Veliaj që detyrohet të veshë antiplumb?

Nga kush ruhet Erion Veliaj që detyrohet të veshë antiplumb?

Nga Pano Soko

Natyrisht ai ka shumë "armiq" politik jashtë dhe brenda krahut të vet politik.
Ka këshilltarë opozitarë që s'e shohin dot me sy, ka protestues opozitarë, ka eksponentë politik që e konsiderojnë atë si të keqen më të madhe të vendit, madje edhe më të madh se Edi Rama;
ka personazhe të medias që i kanë përplasur brirët fort me të, ka aktivistë të shoqërisë aktive që i kanë qëndruar përballë larove e balove të tij në shkeljet e shumta me këmbë që ai dhe larot e tij i kanë bërë popullit të këtij qyteti.
Por ai ka dhe shumë "armiq" brenda forcës së vet politike. Eksponentë të vegjël, të mesëm, të lartë e shumë të lartë që punojnë kundër tij, që e urrejnë më shumë edhe sesa opozitarët, që e duan atë sa më parë, sa më larg pushtetit.
Por megjithë këtë konstelacion shumëngjyrësh urrejtjeje, asnjë nga sa më sipër nuk janë një arsye për të veshur antiplumb në 40°C.
Asnjë nga këta s'e do të vdekur, e duan të gjallë dhe në burg.
Ata që mund ta rrezikojnë Kryetarin e bashkisë dhe ta detyrojnë të veshë antiplumb, mund të jenë vetëm ata që janë të zanatit. Tirana ka qënë parajsa e grupeve kriminale, të cilët për gati 10 vjet e kanë përdorur si lavatriçen e tyre personale për të larë paratë me leje ndërtimi. E tani që duket se SPAKu me arrestimet e veta nē zinxhirin e bashkisë, po ua prish strukturën e skemës deri në imobilitet total, "partnerëve në biznes" u kanë dalë në pah hesapet e palara, premtimet e pambajtura, apo parapagesat që nuk janë shlyer mbrapsht me shërbim.
Këto vërtet që mund të përbëjnë rrezik. Se në atë botë nga ku vijnë "partnerët në biznes" të Kryetarit, hesapet e pashlyera, premtimet e pambajtuara, apo parapagimet e pashërbyera, lahen vetëm në një formë..
Dhe aty vërtet hyn në punë antiplumbi..
E nëse është kjo, atëherë arrestimi sa më shpejt i Erionit duket se do të ishte një zgjidhje për të gjithë; si për popullin që i janë vjedhur lekët tek inceneratori dhe tek 5D, por edhe për Erionin që po e kërcënojnë dhe detyrojnë të veshë antiplumb në 40°C.

Të fundit