Flash News

OPINEWS

Një mizë ka mijëra vjet që rri te bishti kalit, por nuk është bërë kalë kurrë

Një mizë ka mijëra vjet që rri te bishti kalit, por nuk

Nga Hysni Gurra

Kjo gjë vlen kryesisht për njerëzit që kanë ambicie për politikë, por këtë ambicie nuk e mbushin kurrë me punë, janë të mangët intelektualisht për ambicien që kanë.
Por duke qenë se Edi Rama dhe Luli Basha i dhanë mundësi çdo lloj hajvani, lope, trafikanti, rrugaçi, pilivese të futet në parlament, është shumë e vështirë t’i bindësh tani shqiptarët se jo çdokush duhet të pretendojë çdo gjë dhe se Parlamenti nuk është stallë, por tjetër gjë.
Për të qenë i drejtë do marr të barabartë njerëzit që janë dhe duan të bëhen deputetë, kryesisht nga dy partitë e mëdha, PD dhe PS.
Ka filluar lufta nga të dyja kampet. Po çahen me njëri-tjetrin. I gjen me biçak nën mëngë. Është kohë ku intriga, skuthllëqet, servilizmi, shpifja, thashethemi…të gjitha ligësitë njerëzore arrijnë kulmin. Dhe ligësia në njerinë e paditur është helm, toksicitet i paparë.
Njerëz që s’dinë të lidhin dy germa bashkë, të formulojnë një mendim, të kenë një ide…duan të bëhen ligjvënës. Duan të bëhen njerëz që shkruajnë ligje dmth.
Po në fakt jo vetëm që s’dinë të mendojnë, pastaj t’i formulojnë e shkruajnë, por edhe në ua bëfshin gati, që vetëm t’i lexojnë, edhe ndonjë që përpiqet t’i lexojë, nuk ka kapacitetin mendor t’i kuptojë.
Mirëpo të qenit deputet, ligjvënës, ajkë e mendimit dhe fjalës është degraduar aq shumë sa të gjithë e pretendojnë dhe të gjithë duan të dalin në faqet e para të mediave. Të gjithë besojnë se janë Sali Berishë, këta te PD, Edi Ramë, ata të PS.
Kur e rre mendja edhe atë Helenën, mendojeni vetë më.
Janë aq bosh e të mangët nga trutë, sa mendojnë se çdo idiotsi që u ka dhënë aksesin Facebook-u ta publikojnë, kujtojnë se vlen edhe për median. Pra, duan që budallallëkut t’i japin këmbë, ta çojnë kudo.
Le pastaj kur u duket se kanë thënë gjëra të mëdha, se kanë bërë lajm…kjo pastaj është t’u kujtosh se të rrish ndonjë moment me liderët përkatës, nuk do të thotë se u bëre as njëri, as tjetri, se të ishte ashtu do ishte bërë ajo miza që ka mijëra vjet që rri në të njëjtin vend, kalë, por nuk është bërë e shkreta. Ajo ka mbetur po mizë, e kali po kalë.

Të fundit