Flash News

OPINEWS

Një shërbëtore pa dinjitet, manuali i shkatërrimit të Shqipërisë

Një shërbëtore pa dinjitet, manuali i shkatërrimit të

Nga Ilir Pecnikaj,

anëtar i Departamentit 'Brain Gain'

Ka një moment kur një njeri nuk arrestohet më si individ, por si simptomë.
Ka një moment kur emri yt nuk ka më rëndësi, sepse ti ke qenë gjithmonë vetëm emri i dikujt tjetër.

Prandaj nuk ishte rastësi që lajmi u quajt:
“Arrestohet drejtoresha e Mirela Kumbaros.” … Arta e radhës.

Jo sepse kështu e do gazetaria, por sepse kështu funksionon pushteti në Shqipëri: njerëzit nuk ekzistojnë – shërbëtorët identifikohen nga padronët.

Kjo tashmë nuk i bën përshtypje askujt, sepse është ai “rasti” që përsëritet sa herë të dojë “padroni”.

Historia e zonjës së arrestuar është historia perfekte e Rilindjes:
nga anonimiteti absolut, në pushtet total;
nga sporteli, në firmë vendimmarrëse;
nga paaftësia, në autoritet.

Në Shqipërinë rilindase nuk të ngre merita, të ngre bindja. Nuk të mbron ligji, të mbron “besnikëria”. Nuk të kontrollon institucioni, të kontrollon padroni politik.

Kështu, ajo u ul në krye të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Jo për t’i mbrojtur, por për t’i nënshkruar.

KULTURA?!

Çdo gjë që duhej zhdukur, u zhduk me firmë.
Çdo gjë që pengonte betonin, u shpall “pa vlerë”.
Çdo trashëgimi që s’prodhoi fitim, u fshi.

Vila historike? Firmë.
Teatri Kombëtar? Firmë.
Butrinti? Firmë.
Lista e mbrojtjes? Firmë.

Ajo nuk ishte drejtoreshë. Ishte stilolaps me puls.

MJEDISI?!

Kur Kumbaro u zhvendos, shërbëtorja u zhvendos bashkë me të. Sepse kështu funksionon eskorta e pushtetit. Drejtorët nuk i shërbejnë shtetit, i shërbejnë ministrit. Dhe ministri i lëviz si valixhe.

Në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit ndodhi ajo që ndodh gjithmonë kur pushteti i pakontrolluar takon lakminë: institucioni u kthye në treg.

Inspektori u bë sekser.
Licenca u bë mall.
Ligji u bë mjet shantazhi.

Paguaje – vazhdoje aktivitetin.
Mos paguaje – mbyllje, edhe nëse ishe korrekt.

Dhe e gjitha kjo nën një absurditet kriminal: i njëjti institucion kontrollon, vendos, analizon dhe apelon. Një shtet brenda shtetit. Një skemë mafioze me vulë zyrtare.

ARSIMI – FAZA FINALE E DEGRADIMIT

Kur e njëjta figurë përfundon në arsim, kjo nuk është më rastësi. Është strategji.

Sepse një vend nuk shkatërrohet vetëm duke vjedhur të shkuarën dhe mjedisin. Ai shkatërrohet duke asgjësuar të ardhmen.

Kur drejtorë arsimi nuk kanë lidhje me arsimin, kur infermierë drejtojnë struktura pedagogjike, kur kriteri i vetëm është besnikëria politike, atëherë arsimi nuk dështon. Ai thjesht është sabotuar.

Arrestimi – një fund i vogël për një krim të madh

Sot zonja është arrestuar për krim mjedisor. Mirë.

Por le të jemi të qartë: ajo nuk është problemi – ajo është produkti.

Produkti i një sistemi që shpërblen shkatërrimin, promovon mediokritetin dhe mbron shërbëtorët derisa bëhen të pashërbëyeshëm.

Prandaj çdo qytetar i dëmtuar nga “Arta” e radhës duhet të flasë. Jo për hakmarrje, por për dokumentim historik të krimit shtetëror.

KY ËSHTË MODELI RILINDAS:

– Drejtorë të betuar ndaj pronarit, të cilët të vetmën gjë që ndryshojnë është dikasteri i radhës.
– Ministri që lëvizin, duke tërhequr nga pas shkatërrimin.
– Institucione që shndërrohen në vegla private.

Kështu shkatërrohet arsimi.
Kështu shkatërrohet kultura.
Kështu shkatërrohet mjedisi.

Një kalim me një kah marshimi, për gjithë shqiptarët – largimi nga Shqipëria.
(E kujt i bëhet vonë për varfërinë, nëse unë pasurohem?)

Dhe ndërsa gjithçka digjet, pushteti ruan me fanatizëm “kopshtin e vet të Edenit”, për të pirë verë luksi mbi rrënojat e një shoqërie të zbrazur.

Kjo nuk është keqqeverisje.
Ky është një projekt ftohtësisht i detajuar, thellësisht shkatërrimtar dhe ç’kombëtarizues.

Të fundit