Flash News

OPINEWS

Op-Ed / “Konfiskimi i tokës” dhe ngritja e “Kooperativave Bujqësore” si alternativë qeverisëse e kryeministrit

Op-Ed / “Konfiskimi i tokës” dhe ngritja e “Kooperativave

nga Prof.Gjok Vuksani 

Ka dy ditë që kryeministri, me një pamje të shpërfytyruar, flet me fermerët nga Elbasani në Fier me një gjuhë pothuajse të pakuptueshme.

Fillon me bujqësinë, pastaj kalon tek pedagogët “reaksionarë” që duan më shumë para, bën një intermexo me rubla, vazhdon e flet për hiena, vrasje, funerale, dhe në fund i hakërrehet një fermeri “ti nuk duhet të thuash se jemi zero, sepse je alamet djali”.

Me shumë mundim kam arritur të evidentoj disa teza kryesore të Kryeministrit me anën e të cilave ai pretendon të zhvillojë bujqësinë.

Sipas tij nuk duhet shikuar TV, portale, rrjetet sociale sepse ato dizinformojnë mbi gjendjen aktuale të bujqësisë, duke dhënë kronika për hedhjen e prodhimeve në kanal, për pamundësinë e punimit të tokës me 2400 lekë litrin e naftës, për rritjen e çmimit të inputeve bujqësore, por shqiptarët duhet të dëgjojnë lajmet e fabrikuara nga Kryeministria, Ministria e Bujqësisë, pasi vetëm ata janë burimi i së vërtetës.

Iniciativa tjetër që u theksua me forcë nga AI, ishte ndërmarja e një “norme juridike” nga ana e qeverisë për të sanksionuar fermerët që nuk e punojnë tokën.

Madje ai arriti deri aty sa kërcënoi pronarët se toka nuk është vetëm e juaja, por edhe e shtetit, dhe ne duhet të marrim masa shtrënguese gjobe, ndoshta deri në konfiskimin e saj.

Filozofia e qeverisjes së Rilindjes, me sa duket, është një reformë tjetër agrare si e 1946 ku toka ju merret pronarëve dhe ju shpërndahet të tjerëve, “investitorëve strategjikë në bujqësi”.

Një gjë është e sigurt, në gjuhën e kryeministrit që “normat” që do vendosen nga qeveria janë të natyrës represive dhe jo të natyrës stimuluese me politika mbështetëse që e bëjnë fermerin të interesuar për të punuar tokën.

Tezë tjetër etatiste e kryeministrit ishte ndërtimi i ndërmarrjeve të përbashkëta ndërmjet grupeve të fermerëve dhe bashkive të ndryshme të vendit.

Ngritja e këtyre “Kooperativave bujqësore“ do bëhej me fonde të fermerëve dhe të bashkisë, me kredi të marrë nga fermeret, por me e çuditshmja ishte se “Kryetarin e Kooperativës“ do ta vendoste bashkia, në mënyrë që fermerët të mos shqetesohen për menaxhimin e saj.

Sipas kësaj teze, ngritja e ndërmarrjeve do të realizohet sipas parimeve të ekonomisë së tregut me financim të përbashkët nga entet shtetërore dhe private, me kredi bankare  të marra nga fermerët, por drejtuesin duhet ta vendoste në mënyrë arbitrare shteti (bashkia) pa marrë parasysh se kush ka shumicën e kapitalit. Absurditete të tilla mund të dëgjohen vetëm në një vend komunist si Koreja e Veriut apo Kuba.

Ndërsa përsa i përket mungesës së tregut të produkteve bujqësore dhe kalbjes së prodhimit në arë, Kryeministri kishte një  zgjidhje ABSURDE. Të priten varietetet e  mollëve dhe qershive që nuk kanë treg dhe të rimbillen nga fillimi, pa marrë parasysh djersën e derdhur nga fermerët për rritjen e tyre, shpenzimet e kryera dhe efikasitetin e këtyre investimeve.

Në lidhje me rritjen e çmendur të çmimit të inputeve bujqësore ministrja e “Akademisë së barinjve” e kishte zgjidhur me rritjen e kontrolleve (represionit) nga ana e inspektoriateve gjobëvënës të Ministrisë së Bujqësisë. Se ç’lidhje ka rritja e çmimit të inputeve me kontrollin, vetëm ajo e di. Çmimet ulen me politika fiskale, duke hequr taksën prej 10% të vendosur së fundi për importin e inputeve bujqësore apo duke subvencionuar fermerin për blerjen e tyre.

Gjithashtu ndërmjet rreshtave u theksua rritja e kapaciteteve agro-përpunuese, por pa patur një studim paraprak të fizibilitetit, pa marrë në konsideratë lëndën e parë të prodhuar në zonat përkatëse, apo efikasitetin e ndërtimit të tyre.

Në logorenë e fjalimeve të ”liderit global”, që nuk ka fare dijeni për bujqësinë dhe fermerët, nuk kishte asgjë racionale për rritjen e  normës së subvencionimit të bujqësisë në vendin tonë, me vetëm 3 euro për hektarë , e cila rezulton  të jetë 20 herë më e vogël se në  Kosovë për vitin 2021.

Kryeministi nuk tha asgjë për Progres raportin e KE, që theksoi se Shqipëria nuk ka progress në fusha prioritare të bujqësisë si:

Buxheti kombëtar i bujqësisë vazhdon të jetë i ulët dhe IPARD nuk duhet të përdoret si zëvendësues për skemat e  mbështetjes kombëtare. 
Jo progress në krijimin e një sistemi identifikimi të parcelave të tokës (LPIS).
Jo progres në krijimin e  nje tregu te përbashkët (CMO) bazuar ne rregullat e BE (CAP).
Kapacitetet institucionale në fushen e bujqësisë janë ende në nivel të ulët. Etj etj. 
 Pra, e thënë ndryshe, ky raport certifikon të gjitha dështimet e qeverisë në fushën e bujqësisë të ekspozura në mënyrë frekuente nga opozita shqiptare, ndërsa Kryeministri deklamon “konfiskimin e tokave” dhe ngritjen e “kooperativave bujqësore”.

*Pedagog në Universitetin Bujqësor. Drejtues i  Departamentit të Bujqësisë në PD. 

Të fundit