OPINEWS

PD ka nevojë për kryetar që s’është rritur në shtratin ideologjik të enverizmit por as në djepin demokratik të ‘berishizmit’!

PD ka nevojë për kryetar që s’është rritur

Nga Kim Mehmeti

Nuk ka ditë që miq të faqes sime të FB të mos më pyesin se çka mendoj lidhur me ngjarjet e fundit në PD, e madje edhe që më fajësojnë se jam duke pritur që të përfundoj ‘gara’, e që pastaj, si gjithë gjeneralët e pasluftës, ta shpalos qëndrimin tim!

E pranoj publikisht se ka mendime që nuk i shpalosi publikisht, sa nga droja se do mund të keqkuptohem poaq edhe nga frika se do mund të dëmtojnë dikë. Por, në rastin konkret, nuk kam asnjë arsye pse ta fsheh qëndrimin tim dhe madje, atë e kam shpalosur disa herë me parë.

Por ja, ta përsërisë: sipas bindjes sime, grindja mes dy taborëve të PD-së, nuk ka të bëjë me fatin e kësaj partie, e as me interesin e mëmëdheut dhe të shqiptarisë, por me të ardhmen personale politike të dy krye protagonistëve të këtij konflikti brenda partiak.

Sikur të ishte ndryshe, qëmoti, ashtu siç u ka hije, ‘babai’ dhe i ‘biri’, do uleshin në ‘odën e burrave’ te ‘Kulla’ partiake, nga do dilnin me qëndrimin e përbashkët se nuk duan që mosmarrëveshjet e tyre të ndërsjella të bëhen njollë e emblemës së PD-së dhe se, e pranojnë që e ardhmja e kësaj partie nuk mund të jetë as e shkuara e saj, me plotë ditë të lavdishme e të turpshme – pra krahu i Doktori, as e sotmja e saj, që nuk rrezaton shpresë për një të ardhme më të mirë – krahu i Kryetarit të saj aktual!

Shkurt e shqip, mendoj se ‘Foltoret’ e Doktorit shpërfaqin diçka të dhimbshme për PD’në – se jetëgjatësia e kësaj partie është e barabartë me njëqindvjetëshin biologjik të Doktorit , siç besoj gjithashtu se mbrojtja absurde e Kryetarit aktual të kësaj partie, e shpërfaq të vërtetën e turpshme se drejtuesit e saj nuk ‘banojnë’ te selia partiake, port te ambasada amerikane, e cila ambasadë, shpeshherë të lë përshtypjen – mbase edhe të gabuar – se interes parësor ka mirëmbajtjen e shtatores së ‘lavdishme’ të Piktorit, shtatore të ngritur mbi rrënojat e vlerave shqiptare, siç ishin ato të Teatrit Kombëtar.

Pra, sikur të bëhej fjalë për interesin partiak, apo për atë të Shqipërisë e të shqiptarisë, qysh pardje, e jo sot, Doktori e Kryetari aktual i PD’së, do e ndërpritnin grindjen e ndërsjellë që i turpëron ata dhe e përçanë dhe e dëmton partinë dhe, do merreshin vesh që me 11 dhjetor të shpalosnin emrat e kandidatëve, e me 18 dhjetor ta zgjidhnin kryetarin e ri të kësaj partie, kryetarin që nuk është rritur as në shtratin ideologjik të ‘enverizmit’, as në djepin demokratik të ‘berishizmit’.

 

Të fundit