Flash News

OPINEWS

Për Frrok Çupin dhe të ngjashmit me të!

Për Frrok Çupin dhe të ngjashmit me të!

NGA Av. Sokol Dedndreaj

Rilexova një shkrim të Frrok Çupit me titull: Tragjedia komike që po luhet në Theth.

Dukshëm vihet re në këtë shkrim gjuha e urrejtjes ndaj Kishës, Priftit, Thethit, përfaqesuesit të Shalës misionarit Zef Vladaj.

I pacipë në artikulimin e shprehjeve, i pavertetë në ato që thotë, një person që shkon në fyerje për banorët e atyre maleve, duke mos thënë asgjë përballë masakrës ndaj shembjes së shtëpive të atyre malësoreve.  

 A e din Frrok Çupi kush është Shala dhe banorët e saj fisinikë?

Shala është një fis historik i shqiptarëve katolikë në Malësinë e Dukagjinit, në luginën e lumit Shalë përmendur me dokumenta që prej vitit 1600!

Ju nuk keni faj o Frrok Çupi se i keni shërbyer sistemit të kaluar komunist, i keni shërbyer diktaturës, dhe nuk i njihnin malësorët e atyre anëve.

Ju fyeni, deri në cinizëm kur thoni "ishte nje prift me qafore, dhe një tjetër prift pazarxhi". Ndoshta ju vjen natyrshem sepse  ishit pjesë e shtetit komunist që ndërtoi për dekada një realitet të falsifikuar, antifetar, imagjinar, farkëtar i asaj propogande ishit edhe ju. I njëjti shtet që vrau, internoi e burgosi shumë fretën e priftërinj.

Ju përdorni sarkazmën,  denigrimin dhe fyerjen ndaj një përfaqësuesi të denjë të Shalës, Dukagjinit pinjoll i shtepisë së Mark Lulës, pajtues i gjaqeve, burrë fisnik që gëzon respektin e gjithë malsorëve. Por ju nuk e njihni historine, si shërbëtor i atij sistemi komunist, që bashke me disa të tjerë, jo vetëm nuk ju kundërvutë kurrë, por u bëtë zëdhënës i tyre.

Kjo është maska juaj, ndaj në pastë mbetë pak burrni në ty, ka ardhë koha të merresh me këtë maskë dhe jo me dhëmbët e tjetrit. Të jesh i varfër nuk është turp, turp është të jesh servil i çdo pushteti, të jesh gënjeshtar, të fyesh priftërinjtë që mbështesin popullin kundrejt pabesisë.

Askush nuk mbështeti paligjshmërinë, por metodat dhe fushatat me të cilat propagandojnë se po “bëjne shtet”.  Zef Sokol Vladaj është burrë me integritet, malsor i mençur, fisnik, i besës dhe i fjalës, që ka negociuar për faljen e sa e sa gjaqeve aty ku dhe shteti kishte dështuar, prandaj Shala e do dhe e respekton.

 Duhet të matesh dy herë përpara se të ndërtosh skenografi e teatër imagjinar, zgjohuni se epoka e komunizmit ka mbaruar me kohë, por ju keni mbetur në gjumin letargjik të shekullit të kaluar.

Dhe mbi të gjitha kini respekt për ata malsorë, e nëse nuk i mbroni dot, te paktën mos i fyeni me pamençurinë dhe servilizmin tuaj!

Më poshtë postimi i bërë nga Frrok Cupi

Tragjedia komike që po luhet në Theth

Teatri po niste, diku pasdite. Aktorët, kush e kush më teatral se tjetri, po vinin. Derisa u bënë bashkë në “skenë’ të ardhur rrugës së fshatit, një nga një ishin me koka të ulura, të penduar. Kur u mblodhën në skenë u ngrehën. Kjo është loja teatrale.

Edhe skena u sajua nga ajo kohë që nuk kthehet më. Kisha në sfond, një çinar i vjetër me degë të gjëra, bytha e pemës së lashtë dhe ca kryqe në varreza. Këta menduan se duke kthyer kohën do të shpiknin kohë planetare të re. Kjo s’ka ndodhur e as mund të ndodhë në këtë planet.

Ata që do të luanin ‘ tragjedinë’, e nisën me një komedi. Një njeri i veshur me qafore prifti, u shfaq i frikësuar para të gjithëve. Herë frikë nga katolicizmi i Shoshit e Shalës se do ta përzënë e nuk do t’ i shkojnë më në meshë, herë i frikësuar nga këta që e kishin ftuar për ‘lojën’. Sikur këtyre të mos u pëlqente loja, atëherë ai nuk do të shpërblehej. Prifti po luante teatër në oborrin e zaptuar të kishës; ai ishte bërë palë me zaptuesit.

Komedia vazhdoi pas priftit të fshatit. Një prift në Shkodër, tha se ishte Vlash Pali, po i kërkonte shtetit të përkundte malësorët e Thethit. I fyu, por kushedi sa e morën vesh ata. I kërkoi shtetit që me ninulla ‘t’i vinte në gjumë një herë, dy herë, tre herë… nëse nuk flinin, kurrë mos fjetshin!’. Prift më pazarxhi nuk kisha menduar, më erdhi turp që kisha shkuar ndonjëherë në kishë.

Pastaj prifi Pali e çoi më tej lojën komike. E gjeti veten të paaftë për të thënë gjë të hairit, dhe iu drejtua për ndihmë një myslimani. ‘ Dua këtu Faik Konicën që të shajë shqiptarët siç di ai të shajë’, tha.  Por shpërblesën do ta merrte dom Pali prej komitëve. Njësoj si në filmat e realizmit socialist ku prifti bashkëpunon me kriminelët.

Teatrit po i mungonte një figurë e lartë e artit, Ramiz Kovaçi. Mysliman për mysliman, katolikët e ngrefun të teatrit në Theth më mirë të thërrisnin aktorin e madh, Kovaçi, që ka luajtur teatër me ‘tokën tonë’, se sa Konicën.

Në skenë doli njëri që ia dha fjalën bajraktarit. Prapë ka bajraktarë të vërtetë apo fosile? Kur ta shikojnë në video të rinjtë, do të hutohen. U shkon mendja te dronët “Bajraktar” që vijnë nga Turqia? Të tjerë bajraktarë nuk njihen këta dy shekujt e fundit. Bajraktari që u shfaq si relikte pa emër personal, dukej që ishte i një kohe tjetër të mykur.

Kërcënoi ligjin, shtetin, popullin dhe Republikën, sipas një skenari të shëmtuar; në gojën e bajraktarit mungonin gjysma e dhëmbëve si një krehër i hedhur. Bajraktarët e shekulli të tyre diku 18-19 të urdhëruar nga Tanzimati, kanë qenë burra të bukur dylberë dhe zgjidheshin si kali: Me të gjithë dhëmbët në gojë.

Bajraktari i Thethit kërcënoi shtetin se me një fërshëllimë do të sjellë këtu Kukësin, Hasin, Romën, Brukselin, Berlinin dhe Nju Jorkun të armatosur kundër Shqipërisë. Luftë do të bëjmë!, tha ai. Ndoshta sot ndodhet në qeli për thirrje kundër rendit Kushtetues.

“Sepse nuk na ka pushtuar as turku”, tha dhe harroi se titulli i tij ishte titull turk, bajraktar.

Teatër i shkurtër, por shuma zemërak në bythë të lisit në Theth. Ikën shpejt. Mund të teatronin gjithë natën, por askush nuk po i shikonte. Andej nga Tirana e Shkodra askush nuk po trembet dhe as po reagon.

Me sa duket askush nuk e kupton gjuhën e tyre, ajo është gjuhë e vdekur me kohë. Ka shekuj që Shqipëria përdor gjuhën e ligjit dhe të të drejtës. Sidomos tani kur shteti ka hyrë në epokën më moderne dhe flet gjuhën e Europës.

Kush i kupton këta? Askush.

Në zonën e tyre ka një histori para njëqind vjetësh. Kapedani e kishte humbur autoritetin në popull, as në dasmë nuk donte të shkonte. Nisi adjutantin e tij, Pjetër Lleshin, në dasmën e fundit.

-Si të shkoj kapedan? Në vendin tuej nuk mund të shkoj

-Shko ore, i tha eprori.

-Nuk më do kush aty, nuk çohet kush në kambë?

-Shko si unë, dil në krye të vendit- i tha kapedani. Po s’u çuan ata në odë, thërrit me za të naltë: “Buuuv burra, Pjetër Lleshi në krye të vendit’ (ai për vete).

Por prapë s’ia vërshëlleu kush. Burrat vazhduan të bisedojnë në gjuhën e tyre.

Këtu në Theth po mbaron teatri me gjuhën e vdekur.

Të fundit