Flash News

OPINEWS

"Që Pogradeci të mos bëhet si një perlë e rrezikuar nga çeta e Ali Babait!"

"Që Pogradeci të mos bëhet si një perlë e
Mjedisi, bukuritë e natyrës, perlat turistike, monumentet e kulturës që dëshmojnë historinë tonë, peizazhi, energjitë e rinovueshme, marrëdhënia e qendrueshme njeri - natyrë, ekuilibri natyror, flora dhe fauna e vendit
duhen mbrojtur fort!
Nga individët, ne njerëzit sepse nuk ka kush i mbron tjetër, nga organizata e shoqërisë civile, këshillat bashkiake që janë zgjedhur për të ruajtur dhe zhvilluar zonën e tyre, jo për t'i "shitur" pasuritë lokale te pushteti qendror në përfitim të posteve dhe privilegjeve për vete, si edhe nga deputetë të përgjegjshëm le të jenë këta demokratë, socialistë, monarkistë, çfarë të duan!
Unë veçoj fort këtu punën e palodhur, me pasion, të mënçur, në terren të deputetes Ina Zhupa, që në vend të mbyllet brenda mureve të zyrës së saj, apo të shtriqet nëpër studio televizive, është në terren, atje ku janë njerëzit!
Zonja Ina Zhupa, është kudo, në zonën ku është zgjedhur, Sarandë, mbushur me monumente muzeale me vlera universale, në sallat e Gjykatës Kushtetuese, por ja sikurse tregon edhe rubrika edhe në Pogradec! Dhe sidomos në Pogradec, ajo nuk kërkon vota, por ndjek bindjet dhe idealet e saj si gjetiu!
Pogradec - emër i madh i bukurive tona. Cdo bukuri dhe pasuri e tij duhet mbrojtur me çdo kusht. Dhe duhet zhvilluar. Më çpon zemrën kur shoh liqenin pa asnjë barkë peshkimi mbi sipërfaqen e tij!
Edhe duhet zhvilluar zona, por jo të betonizohet sepse bukuria e Pogradecit dhe e rrethinave qendron pikërisht te natyra e tij e mrekullueshme.
Gjithçka që ndryshon në Pogradec ka nevojë të jetë transparente, të kalojë nga vullneti qytetar i Pogradecarëve, i përfaqësuesve të tyre në këshillin Bashkiak.
Jo me zaptim!
Jo me batërdi!
Mobilizimi i opinionin qytetar në Pogradec duhet të jetë shumë i gjerë.
Nuk janë vetëm banorët e vjetër të Pogradecit, janë edhe popullsitë e ardhur në këta vjetë nga zonat përreth, janë edhe mijëra intelektualë që vijnë për pushime me muaj të zgjatur gjatë verës, forcë e madhe qytetare!
Pogradeci mund të tregojë një model alternativ, në vend të betonizimit të hoteleve deri në qiell, një agro-turizëm qytet - zonë rurale, mbështetur në biznesin familjar, të mijëra familjeve.
Se edhe kjo është çështja ; Fitime turistike vetëm për një grusht njerëzish, apo krahas disa hoteleve edhe biznes turistik familjar? Pogradeci duhet t'i sjellë të ardhura në rradhë të parë qytetarëve të tij. Kjo bashkon ruajtjen e vlerave natyrore dhe historike të zonës me shpërndarjen e të ardhurave në një biznes popullor gjithëpërfshirës, jo vetëm për banim, por edhe restorantet, kafenetë e bukura dhe plot magji të qytetit, përpunuesin e frutave, operatorin në blegtori, peshkim, etj. !
Zhvillimi ose është i gjithanshëm ose është katastrofë!
Pa qytetarin aktiv, Pogradeci është humbur, me bashkëpunimin dhe rezistencën qytetare, përrfaqësues lokal, deputetë të motivuar dhe të përgjegjeshëm arrihet ekuilibri zhvillim - ruajtje e vlerave!

Të fundit