Flash News

OPINEWS

Rama ta bëjë si Batista, diktatori ushtarak i Kubës, që mbylli universitetet

Rama ta bëjë si Batista, diktatori ushtarak i Kubës, që

Nga Petrit Vasili

Sulmi i Ramës mbi arsimin e lartë, poshtërimi e përdhosja e universiteteve publike, degradimi i qëllimshëm i tyre, zbrazja e mbyllja e tyre, rënia e pandalshme në rankimet universitare, rrënimi i kërkimit shkencor, instrumentalizimi mjeran i rektorëve e dekanëve, kësaj gjithçkaje negative i mungon vetëm akti final, pra që t’i mbyllë fare universitetet.

Arsimi universitar është jetik për të ardhmen e vendit, por nuk është kështu për Edi Ramën sepse për të dija, shkenca dhe kërkimi shkencor janë bezdi, siklet dhe kompleks inferioriteti.

Fulgencio Batista, diktatori ushtarak i Kubës në vitet ’50, është zgjidhja ideale për Edi Ramën.

Batista i shqetësuar në kulm nga universiteti i Havanës në Kubë, një nga universitetet më të vjetra të Amerikës Latine i ngritur që në 1728, vendosi mbylljen e tij në vitin 1956.

Universiteti qëndroi i mbyllur deri në vitin 1959, deri sa Batista u rrëzua nga pushteti nga kryengritja e popullit kuban.

Edi Ramës i mungon vetëm ky veprim sepse gjithçka tjetër për të shkatërruar universitetin dhe shkencën në Shqipëri e ka bërë.

Mbështetja mizerabël ekonomike, shkatërrimi i laboratorëve, pagat mjerane të pedagogëve, financimi i turpshëm i kërkimit shkencor, më i ulti në Europë, janë goditje të njëpasnjëshme shumë të rënda, që Edi Rama i ka dhënë universitetit, që aktualisht është vite dritë larg edhe universitetit të diktaturës së para viteve ’90.

Ndaj jepi Edi, mbylle universitetin, ç’pret më.

Edi, e ke precedentin, mos e lër Batistën e Kubës vetëm, ti je më keq se ai dhe shumë më i paditur se ai, që të paktën e kishte mbaruar akademinë ushtarake.

Jepi Edi, mos u vono, s’kanë ç’na duhen universitetet, dijetari dhe kryeshkencëtari i vetëm i gjithdijshëm je ti dhe vetëm ti.

Të fundit