Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Rinjohja e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe roli i SHBA
Romeo Gurakuqi
Sivjet mbushën 100 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes Shqipërisë dhe SHBA dhe 102 vite nga shpëtimi i Shqipërisë Londineze prej copëtimit të dytë. Rikonfirmimi ndërkombëtar i shtetit shqiptar u arrit falë përpjekjeve titanike të elitës së vetëdijshme kombëtariste vendase dhe ndërhyrjeve vendimtare të Presidentit Woodrow Wilson.
Cilat kanë qenë rrethanat politike dhe ndërkombëtare të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe cilët qenë faktorët, që ndikuan në ndërhyrjen amerikane në ndihmë të vendit të lënë pa mburojë në Adriatik, pas dezintegrimit të Austro-Hungarisë?
Fundi i LPB dhe tre vitet që e pasuan, përbëjnë kohën në të cilën rinisi procesi i themelimit të shtetit shqiptar në aspektin e brendshëm institucional dhe në planin e rivendosjes si subjekt i të drejtës ndërkombëtare: rinjohja e statusit shtetërorë dhe e kufijve të Shqipërisë nga fuqitë fituese dhe shtetet e Lidhjes së Kombeve. Themi rinis, sepse përpjekjet e para të brendshme në vitet 1912- 1914, u fundosën nga trazirat sociale, politike dhe fetare, gjëgjësisht nga kryengritja e Shqipërisë së Mesme, nga përpjekjet uzurpatore të Essad Pashë Toptanit, si dhe nga aktet që pasuan fillimin e LPB (Traktati i Fshehtë i Londrës).
Pavarësisht se pushtimet e vendeve fqinje dhe lëvizja pro- otomane fshinë strukturat e shtetit shqiptar, në kohën e kontrollit austro-hungarez (1916-1918), shqiptarët përjetuan periudha të qeta, në të cilat jeta sociale, arsimore, kulturore dhe administrative pësoi zhvillime në orientimin përparimtar. Hyrja e trupave austro-hungareze u mirëprit nga një numër shqiptarësh për shumë arsye: Së pari, këto trupa nxorën jashtë Shqipërisë, Malësisë dhe Kosovës trupat pushtuese serbe dhe malazeze; së dyti, për shkak se kjo perandori ka qenë mbështetësja themelore e rilindjes identitare arbnore dhe arkitektja kryesore e krijimit të shtetit shqiptar më 1912-13; së treti, në Shqipëri austriakët garantuan një autonomi të kufizuar të brëndshme, nën të cilën u krijua një administratë civile e përbërë nga shqiptarë dhe në gjuhën shqipe, u ndërtuan një numër rrugësh dhe urash, u ndërtua dekovili, u financuan dhe u mbajtën shkollat shqipe, u ndërtua në Shkodër Komisia Letrare si akademia e parë e shkencave, u mbështetën botimet e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe dhe studentët shqiptarë u dërguan në shkollat austriake.
Dezintegrimi i Perandorisë Austro-Hungareze në përfundim të Luftës së Parë Botërore u hoqi shqiptarëve në përgjithësi dhe katolicizmit shqiptar në veçanti, mbrojtësin historik të të drejtave të tyre, pikërisht në momentin që ky vend u çlirua nga pesha e rëndë që ushtronte mbi Shqipërinë që po rilindte, Rusia Cariste, mbrojtësja e elitave shoviniste sllave dhe greke në Ballkan. Shqiptarët u gjendën në momentet e para të fillimit të bisedimeve të paqes në Paris, në një pozicion shumë të vështirë. Patriotët shqiptarë u gjendën të çorientuar pas LPB dhe nganjëherë ranë edhe viktima të reflekseve të gabuara politike. Mbi të gjitha, zëvëndësimi i orientimit pro-austriak me atë pro-italian, nuk rezultoi i goditur, si për shkak synimeve krejt të ndryshme që mbarte Italia në Shqipëri, ashtu edhe për shkak të dallueshmërisë në shkallën e kuptueshmërisë dhe ndjeshmërisë ndaj çështjes shqiptare që ekzistonte mes politikanëve austriakë dhe atyre italianë.
Megjithatë, për herë të parë në këto vite, në arsyetimin e mendjeve më të shquara vendase, filloi të përvijohej bindja për një orientim të ri të Shqipërisë së re në politikën e jashtme: orientimi anglo-amerikan, d.m.th. nevoja e gjetjes së mbështetjes nga Mbretëria e Bashkuar, apo edhe nga SHBA, vende që nuk do ta cenonin kurrë pavarësinë, përkundrazi do ta ruanin të paprekur ate nga ndërhyrjet e fqinjëve pa frena.
Një numër faktorësh të lidhur me formacionin kulturorë dhe politik bënë që, zëri në mbrojtje të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris të mos jetë një, e vizioni i rindërtimit të Shqipërisë se re, në disa segmente delegacionesh jo qeveritare, jo ai që duhej të ishte. E gjithë kjo ka ndikuar në krijimin e një ndjeshmërie minimale në vendimarrjen e paqëbërësve të mëdhenj dhe në planin e brendshëm, në fragmentarizimin e qeverisjeve, si në aspektin hapësinor, ashtu edhe në atë kohor (qeveria e Durrësit më pas ajo e dalë nga Kongresi i Lushnjës me qendër në Tiranë). Mbi të gjitha, mos-gjetja e konsensusit të brendshëm për të ndërlidhur Shqipërinë e viteve 1918 -1920 me atë të krijuar në vitet, 1912-1914, në pikëpamje institucionale (vijimi i kreut të shtetit), dëmtoi rëndë përpjekjet për rindërtim paqësor, logjik dhe të monitoruar të institucioneve kushtetuese shtetërore, krijoi pështjellim të brendshëm në atë që mund të quhet klasë politike shqiptare për një periudhë gati 10 vjeçare, krijoi hapësirë më të madhe për ndërhyrje të fqinje në dëm të Shqipërisë, ndikoi në zgjatjen edhe për tre vite të procedurave, fillimisht politike e më pas ligjore, të zgjidhjes së statusit ndërkombëtar dhe kufijve të shtetit shqiptar.
Shqipëria pas Luftës së Parë Botërore ka qenë një vend në pritje, një vend që pritej të bëhej, të përcaktohej dhe të ripranohej nga Europa si entitet më vete dhe pjesë e kontinentit. Çështja Shqiptare në vitet 1919-1921 u trajtua në tri instanca ndërkombëtare, me radhë dhe paralelisht: në Konferencën e Paqes së Parisit, në Lidhjen e Kombeve dhe në Konferencën e Ambasadorëve. Shqipëria dhe çështja e saj, në këtë shqyrtim të gjatë ndërkombëtar, u lidhën në mënyrën më të ngatërruar me një sërë aktesh pararëndëse ndërkombëtare dhe me nyjën e vështirë të një diplomacie ende të fshehtë, që vështirësisht po hapej në një botë të ndryshme. Pavarësisht se vendi ynë ishte viktimë e pushtimeve të njëpasnjëshme të shteteve ndërluftuese gjatë LPB dhe nuk kishte të bënte fare me palët në konflikt, ai u trajtua njëlloj si vendet humbëse, d.m.th. pretendimet e përfaqësuesve të Shqipërisë për njohjen e shtetit në kufinjt kombëtarë, nuk u morën në konsideratë. Madje, në diskutim të rrezikshëm u vendosën kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913.
Problemi i Shqipërisë nuk është trajtuar si një problem me vete në Konferencën e Paqes, por si pjesë e problemeve madhore me të cilat u morën paqebërësit e mëdhenj. Pse ndodhi një përzjerje e tillë? Duhet të kuptojmë se pavarësisht nga Doktrina e Re që Presidenti Wilson promovoi, një pjesë e rëndësishme e problemeve të mbartura dhe të lindura pas Luftës, vazhduan të trajtohen me parimet e Diplomacisë së Vjetër. Dhe është e kuptueshme që në këtë moment tranzicioni mes dy konceptimeve të punës së diplomacive, sfidat të merrnin trajtime të dyfishta.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin që, me fillimin e punës së Konferencës së Paqes, Aleatët nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje të veçantë në lidhje me Shqipërinë. Për Çështjen Shqiptare, të përfshirë brenda Çështjes së Adriatikut, apo Çështjes Greke, nuk është arritur ndonjë rezultat konkret pozitiv gjatë gjithë vitit 1919. Çështja shqiptare nuk u arrit të zgjidhej në fakt nga Konferenca e Paqes së Parisit, por në këtë konferencë Shqipëria nuk u copëtua. Megjithate, italianët e mbajtën Shqipërinë të pushtuar deri në gushtin e vitit 1920, kur shqiptarët u ngritën kundër tyre dhe i hodhën ata në det.
Pas këtyre zhvillimeve dhe pas Protokollit Paraprak të 2 gushtit 1920, falë politikës së ndryshme të Kryeministrit Giolitti, italianët u tërhoqën ushtarakisht nga Shqipëria, por filluan të zbatojnë një politikë të depërtimit të suksesshëm ekonomik dhe gradualisht edhe politik. Jugosllavët nga ana e tyre, përveçse bënë inkursione të rëndësishme ushtarake brenda vendit, mbajtën deri në fillim të vitit 1922 një rryp të ngushtë toke, që shpesh herë shkonte deri në 15 km në brendësi të kufirit shqiptar të vitit 1913. Trupat greke mbanin në zotërim një numër fshatrash në ish Kazanë e Korçës.
Pyetja është, cili ka qenë roli i SHBA në ndihmë të kësaj Shqipëria kaq të cënuar? Deri në përfundim të LPB njohuritë e Presidentit Wilson në lidhje me çështjen shqiptare, ishin të kufizuara. Këshillimi i parë që ai ka marrë në lidhje me Shqipërinë, ka qenë jo pozitiv për Shqipërinë dhe bëhet fjalë për memorandumin e datës 2 janar 1918, të përgatitur nga Mezes, Miller dhe Lippman, në të cilin rekomandohej ndarja e Shqipërisë, mbasi ky vend përfaqësonte një terren të intrigave të fuqive të mëdha.
Nga ndarja e Shqipërisë, sipas memorandumit në fjalë, duhej të përfitonte Mali i Zi për rajonin e Shkodrës, Serbia të gjithë pjesën qendrore me Durrësin dhe Greqia pjesë jugore të Shqipërisë. Për shkak të këtij këtij raporti të parë jo të thelluar dhe të pandjeshëm ndaj vendit ilirik, pozicioni fillestar i SHBA në Konferencën e Paqes në Paris ka qenë si më poshtë: a.Shteti i pavarur i Shqipërisë duhej të ishte nën mandatin italian, në kushte të atilla, që të parandalohej shfrytëzimi ekonomik dhe ushtarak i vendit, ose kolonizimi i tij; b.Qyteti i Vlorës, me një hinderland të kufizuar, i mjaftueshëm vetëm për të përballuar nevojat e veta thelbësore ekonomike dhe ngushtësisht i nevojshëm për sigurinë, duhej t’i kalonte Italisë në sovranitet të plotë dhe se territori rreth e qark Vlorës duhej të asnjanësohej; c.Jugosllavët duhet të kishin të drejtën të ndërtonin dhe operonin hekurudhën në veri të gjërësisë gjeografike 41° 15’ dhe se ata duhej të kishin gjithashtu të drejtën të përmirësonin lundrimin në Lumin e Bunës.
Mirëpo falë një numri ndërhyrjesh të rëndësishme me ekspertizë të thelluar, njohuritë e Presidentit Wilson në lidhje me çështjen shqiptare do të vijnë duke u plotësuar me kalimin e kohës, e për rrjedhojë, qendrimi fillestar amerikan ndaj çështjes shqiptare do të pësojë ndryshime rrënjësore me kalimin e muajve dhe viteve. Në sajë të këtij qendrimi të ri të qeverisë amerikane mund të themi se u arrit, më së shumti, shpëtimi i Shqipërisë, d.m.th. i kufijve të vitit 1913, ndryshimi i vizionit fillestar dhe kundërshtimi i fuqishëm i marrëveshjes së 14 janarit 1920, në mes kryeministrave Lloyd George, Clemenceau dhe Nitti. (Kjo marrëveshje parashikonte që Italia duhej të merrte të gjithë Istrian dhe Fiumen (Rjeken), Jugosllavia në këmbim duhej të merrte Shqipërinë Veriore, ndërsa pjesa tjetër e vendit duhej të ndahej në bazë të Marrëveshjes Tittoni –Venizelos).
Kështu, kthesa e parë pozitive që ka ndryshuar rrjedhën, së paku të trajtimit të problemit shqiptar, ka ardhur nga nota amerikane e 6 marsit 1920, në bazë të së cilës kërkohej që çështja shqiptare të mos përfshihej në diskutimet e përbashkëta në mes Italisë dhe Jugosllavisë. Gjithashtu, Presidenti Wilson nuk e aprovoi me këtë rast që tokat shqiptare në Veri dhe në Jug të përdoreshin si kompensime territoriale për toka që Jugosllavia dhe Greqia ishin privuar diku tjetër.
Ndërhyrja e qeverisë amerikane përbën goditjen e parë të fuqishme ndaj Traktatit të Fshehtë të Londrës, e njëkohësisht, një zhvlerësim të parë të Marrëveshjes Titoni-Venizelos. Në thelb, këmbëngulja e Presidentit Wilson, në zbatimin e parimit të vetvendosjes, çoi në kapitullimin e politikave të pasinqerta italiane në lidhje me Shqipërinë, që në tre muajt e parë të vitit 1920. Kjo ndërhyrje bëri që plani i deriatëhershëm britaniko-franco-italian për ndarjen e Shqipërisë të arkivohej dhe Konferenca e Paqes të mbyllej pa arritur ndonjë marrëveshje për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, praktikisht, Shqipëria i shpëtoi copëtimit, por problemet e saj mbetën në tavolinën e diskutimeve mes Fuqive fituese.
Më 1 tetor 1920 DASH i kërkoi FO të bashkëpunonte në një përpjekje për të rregulluar një zgjidhje të arsyeshme dhe të drejtë të çështjes shqiptare. Qeveria amerikane kërkonte që një zgjidhje e shpejtë t’u jepej një vargu çështjesh që kishin lindur për sa i përket Shqipërisë. DASH ishte në të mirë të krijimit të një Komisioni Ndëraleat, për të hetuar shkaqet e vështirësive shqiptare si edhe të bënte rekomandimet në Këshillin e Ambasadorëve për një përcaktim përfundimtar të kufijve të Shqipërisë. Gjatë përcjelljes së komunikimit të mësipërm, i ngarkuari më punë në ambasadën amerikanë në Londër, Mr. Williams, e informoi zyrtarin e lartë të FO, Mr. Nicolson-in, se Departamenti i Shtetit ishte jashtëzakonisht i interesuar në çështjen shqiptare dhe se nuk do të njihte ndonjë zgjidhje, së cilës kjo qeveri nuk do t’i jepte paraprakisht aprovimin e vet .
Me datën 4 tetor 1920 ambasadori britanik në Washinton D.C., Sir A. Geddes-i, zhvilloi një bisedë të gjatë me Ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, gjatë të cilit, ky i fundit, i bëri me dije se presidenti amerikan Wilson ishte shumë në ankth të dinte skemen që duhej të adoptohej për çështjen e Shqipërisë, dhe se ai gjithashtu kërkonte që shteti i pavarur shqiptar duhej të krijohej brenda kufijve të atillë që do të bënin të mundur ekzistencën politike dhe ekonomike të këtij vendi.
Ndryshimi i qëndrimit amerikan, sipas mendimit tonë ka pasur katër përbërës të rëndësishëm: së pari, ai i lidhur me filozofinë që e ka drejtuar politikën e jashtme amerikane në këtë kohë, që është filozofia e lirisë dhe e vetvendosjes së popujve; së dyti, skuadra e ekspertëve amerikane në bisedimet e paqes, erdhi duke e zgjeruar nivelin e njohurive teknike të përbërësve vlerësues për Shqipërinë, përmes ndryshimit të ekipit të ekspertëve; së treti, një ndihmesë e spikatur duhet të konsiderohet ndërmjetësimi i Papës Benedikti XV (pas audiencës me Imzot Luigj Bumçin), autoriteti moral i të cilit ka qenë natyrisht i padiskutueshëm; së katërti, një kontribut të pamohueshëm ka dhënë komuniteti ortodoks i Shqipërisë që banonte në SHBA, për ndriçimin e realitetit etnik-kulturor dhe politik në Shqipërinë e Jugut, e në radhë të parë emigracioni shqiptar në SHBA nga Rumania dhe në mënyrë të spikatur vellezërit, Faik dhe Mehmet Konica.
Përpjekjet e shumë shqiptarëve të emancipuar dhe largpamës, janë përqendruar sidomos tek SHBA. Presidentit Wilson, që në fillim të vitit 1919, i janë dërguar memorandume, në të cilat i kërkohej të merrte në dorë fatin e popullit shqiptar dhe të ishte mandator i organizimit dhe arsimimit të Shqipërisë. Memorandumet shprehnin besimin se vetëm Amerika mund ta shpëtonte situatën dhe të siguronte paqen në Adriatik: “SHBA janë shpëtimtarët tanë”. Një numër i madh prej shqiptarëve të shquar shprehnin në këtë kohë dëshirën që ky mandat mbi Shqipërinë e re duhej t’i jepej SHBA, një fuqie që shqiptarët e konsideronin të ishte pa ndonjë interes të vetin në këtë vend.
Një Memorandum me shpjegime për nevojën e përfshirjes së një Fuqie të Madhe dhe të painteresuar në Ballkan dhe mbi nevojën e dhënies së SHBA të mandatit mbi Shqipërinë, e ka paraqitur më 19 shkurt 1919 edhe misionari Telford Erickson. Mandati amerikan mbi Shqipërinë, sipas tij, do të mirëpritej prej popullsisë dhe do të përbënte një shërbim të paçmuar në zhvillimin e vendit. Mandati amerikan duhej të përfshinte ish vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Monastirit dhe Janinës, duhej të shtrihej në dy vjet, pas të cilave kufijtë e Shqipërisë me Serbinë dhe Greqinë duhej të përcaktoheshin prej Komisionit të Lidhjes së Kombeve. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë se, Qeveria e SHBA nuk kishte qenë firmatare e një marrëveshjeje të fshehta mes fuqive të Antantës gjatë LPB dhe Komisioni Amerikan i Bisedimeve të Paqes në Konferencën e Paqes, ruajti lirinë e veprimit në Çështjen e Adriatikut dhe në Çështjen Shqiptare.
Mirëpo, në këtë lumë diskutimesh në nivelet diplomatike, lind edhe një dritë, hapet edhe një dritare e dytë pro Shqipërisë, e cila do tërheqë në kahun pozitiv njohjen e shtetit dhe kufijve minimalë të tij, d.m.th. kufijve të vitit 1913. Bëhet fjalë për pranimin në Lidhjen e Kombeve, ngjarje politike kjo, që e vuri në ndërvarësi juridike detyrimin e Fuqive Aleate për zgjidhjen e problemit të statusit dhe kufijve dhe njohjen e Shqipërisë si shtet sovran dhe i pavarur.
Mbrojtësi kryesor i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve ka qenë Lord Cecil-i. Apeli i tij për drejtësi në të mirë të këtij vendi fitoi në Asamble. Po pse Robert Cecil u bë mbrojtës i çështjes shqiptare në Lidhjen e Kombeve? Lordi Robert Cecil ka qenë ndër politikanët më të parë të kontinentit të vjetër, që përqafoi të paktën disa nga parimet e Diplomacisë së Re, të Diplomacisë së Hapur, asaj të promovuar me 14 Pikat e Presidentit Wilson, në sistemin dhe në bazat e Diplomacisë së Vjetër. Robert Cecil-i dhe Lloyd George njëlloj, kishin ide të ngjashme për Lidhjen, si një bashkësi e shteteve të vetëqeverisura dhe sovrane, të cilat duhet të drejtoheshin prej pesë Fuqive të Mëdha të Parisit.
Brenda kësaj kornize duhet kuptuar edhe qendrimi i Lordit Robert Cecil ndaj Shqipërisë. Liria, vetëvendosja dhe integriteti i shtetit shqiptar, ishin pjesë e koncepteve të tij mbi Diplomacinë e Re, që gradualisht po hapte me vështirësi rrugën në periudhën pas LPB. Delegati i Perandorisë Britanike, Herbert Fisher-i, deklaroi se delegacioni britanik kishte ndërmarrë një studim të ri dhe tëresor të situatës shqiptare, ishte tani i përgatitur të pranonte mocionin e Lordit Robert Cecil dhe të votonte për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Kështu, me 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në mënyrë të njëzëshme, me 35 vota pro, asnjë kundër dhe 6 abstenime dhe formalisht u bë anëtar i Lidhjes së Kombeve. Shqipëria u njoh de jure si një shtet sovran dhe i pavarur, megjithëse kufijtë e saj me Jugosllavinë dhe Greqinë ende ishin të pavendosur .
Pas kufizave të qarta të vendosura nga Presidenti Wilson në lidhje me kufijtë e Shqipërisë, pas çlirimin prej vargojve të ndikimeve të huaja fqinje dhe pas këtij akti të pranimit në Lidhjen e Kombeve, Shqipërisë i hapej rruga e parë e vendosjes së marrëdhënieve normale diplomatike me të gjitha Fuqitë e Mëdha fituese në Luftë dhe shtete të tilla si Italia, Greqia dhe Jugosllavia, të cilat deri në këtë kohë kishin pasë planifikuar copëtimin e saj.
Mirëpo, pavarësisht se Shqipëria ishte pranuar në Lidhjen e Kombeve dhe ishte bërë anetare e saj, Fuqitë e Mëdha ende nuk kishin marrë një vendim përfundimtar mbi statusin e këtij shteti dhe kufijtë politikë të tij në Konferencën e Ambasadorëve që mblidhej për të plotësuar vendimet e pa arritura prej Konferencës së Paqes. Për fat të keq, Aleatët e Antantës gjendeshin ende të varur nga klauzolat e Traktatit ë Fshehtë të Londrës së vitit 1913 dhe nga ndërhyrjet e paqendrueshme të Italisë.
Inkoherente në qëndrimet e veta, politika e jashtme italiane endej mes pamundësisë për aplikimin praktik të këtyre klauzolave, nganjëherë dorëheqjes ndaj aplikimit të këtyre klauzolave, dhe më së shumti drejt dëshirës për një rol të rëndësishëm edhe më tutje, mbi pjesën lindore të Kanalit të Otrantos, Shqipërinë e porsaformuar. Qeveria italiane, megjithëse kishte hequr dorë nga pretendimi për një protektorat mbi Shqipërinë Qendore, të njohur prej Traktatit të Fshehtë të Londrës, e konsideronte Shqipërinë të lidhur ngushtësisht me politikën italiane në Detin Adriatik.
Nga ana tjetër, zyrtarët më të lartë italianë, shpreheshin se shpresonin që një shtet shqiptar që do të përfshinte të gjithë Shqipërinë brenda kufijve të vitit 1913, do të vendosej mbi baza pak a shumë të qëndrueshme. Por qeveria italiane e kishte të qartë se trazirat në Shqipëri mund të vinin nga veriu, për shkak të ambicjeve jugosllave dhe nga jugu, për shkak të elementeve grekomane në Epririn e Veriut. Krahas fuqive e reja ballkanike, Mbretërisë SKS dhe Greqisë, Italia kishte pjesën e tretë të fajit në destabilizimin e jashtëm të përpjekjeve për krijimin e një shteti shqiptar.
Gjatë vitit 1921 çështjet e lidhura me Shqipërinë, të mbetura të pazgjidhura në arenën ndërkombëtare, do të jenë edhe më tutje objekt diskutimesh edhe në Lidhjen e Kombeve, para së gjithash me nxitjen e qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesit të saj Fan Stilian Noli. Problemi i krijuar nga njohja më 17 dhjetor 1920 e Lidhjes së Kombeve, përveçse një problem politik, kishte krijuar dhe një problem të ndërlikuar ligjor, që kërkonte një shpjegim nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare. Një prej çeshtjeve mbi të cilat komiteti dhe vetë asamblea ishte ndarë, ka qenë e lidhur me faktin nëse pranimi në Lidhjen e Kombeve ishte i barabartë me njohjen e shtetit?
Në fakt, në qoftë se një shtet pranon aderimin e një shteti të ri në Lidhje, ai do të duhet ta trajtojë atë si një shtet ekzistues, që zotëron të gjitha atributet e një qënieje normale të një entiteti politik shtetëror.
Duhet të kemi parasysh se periudha e trajtimit të statusit të Shqipërisë, pas Luftës së Parë Botërore, ka qenë e tillë që sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare të tërësi, vinte nga një periudhë decentralizimi dhe vetëm në këtë kohë po bëheshin përpjekje për të krijuar disa struktura bazë përqendrimi (pas Konferencës së Paqes së Parisit dhe krijimit të Lidhjes së Kombeve). Në atë kohë teoria konstituive e njohjes së shteteve bazohej në traktatet e Oppenheim-it. Pas Luftës së Parë Botërore, institucioni i njohjes kolektive nuk ishte i mirënjohur, ndaj dhe problemi i njohjes së Shqipërisë paraqitej shumë më i ndërlikuar.
Pas qëndrimit të prerë amerikan në lidhje me Shqipërinë, pranimit të shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, edhe politika britanike ndaj Shqipërisë, gjatë vitit 1921 ndryshoi. Pranimi i Shqipërisë nga Lidhja e Kombeve si dhe presioni i opinionit publik britanik, që e shikonte mbrojtjen e kombit shqiptar dhe shtetit të pavarur të Shqipërisë si një “rast moral”, ishin sinjale të fuqishme që politika britanike ndaj këtij vendi duhej të merrte tashmë një përmasë të re dhe një shtysë më të qartë. Sekretari i jashtëm britanik do t’i kushtojë një vëmendje të posaçme Shqipërisë, sidomos në muajt në vijim dhe falë kësaj vendosmërie dhe sensit pozitiv me të cilin ai e trajtoi këtë çështje, u arrit në zgjidhjen e problemit të statusit ndërkombëtar dhe përcaktimit teorik të kufijve më 9 nëntor 1921.
. Në fakt, që me 11 maj 1921, qeveria franceze dhe më 27 maj edhe ajo italiane, kishin rënë në një mendje që të pranonin propozimin e FO mbi zgjidhjen e çështjes së kufijve të Shqipërisë. Sipas këtij propozimi, kjo çështje duhej t’i nënshtrohej shqyrtimit të Konferencës së Ambasadorëve në Paris, dhe forma e njohjes të caktohej nga aleatët kryesorë dhe Fuqitë e Asocuara.
Diskutimet kanë vijuar intensive në vjeshtën e vitit 1921 derisa në mengjesin e datës 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, nën kryesinë e M. Jules Cambon-it, procedoi me firmosjen e vendimit për njohjes e shtetit shqiptar dhe kufijve të tij. Si parim i përgjithshëm u përcaktua vendosja e kufijve të vitit 1913 dhe iu la ekspertëve që të propozojnë modifikime në Lindje dhe në Veri, në mënyrë që ta bënin më të logjikshme ndarjen e kufirit. Mirëpo rekomandimet e ekspertëve nuk qenë shumë rezultative në lidhje me Shqipërinë, për sa kohë që ato u shoqëruan me cungime të mëtejshme territoriale në Lindje dhe nuk bënë asgjë në lidhje me përfshirjen e fiseve të rëndësishme të Malësisë, Hotit, Grudës, Trieshit dhe Kojës në Shqipëri.
Rimbajtja jashtë Shqipërisë e këtyre fiseve me famë kombëtariste, i hoqi Shkodrës dhe katolicizmit shqiptar dy krahë të rëndësishëm të energjisë dhe peshës së saj tradicionale politike në Shqipëri. Memorandumi i ekspertit britanik, J.S. Barnes i datës 28 tetor 1921, përcjellë në Paris, Lordit Hardinge në lidhje me këto krahina, nuk u mbajt parasysh. (Për fat të keq, problemi i Triepshit dhe Kojës u la krejt në heshtje konsiderohej i kapërcyer nga diplomacia britanike, për shkak të një aneksimi më të hershëm të këtyre dy fiseve të Malësisë prej Malit të Zi, d.m.th. pas Krizës Ballkanike 1875-1878). Ndërsa në lindje, nevoja për të krijuar një basen praktik komunikimi dhe njëkohësisht marrëdhëniesh ekonomike për qytetet dhe rrethinat e Dibrës dhe Prizrenit, i hoqi Shqipërisë rreth 400 km2, të banuar nga popullsi e pastër shqiptare.
Ky qe epilogu teorik i zgjidhjes së problemit të kufijve të shtetit shqiptar në tavolinën e bisedimeve të Konferencës së Ambasadorëve. Zgjidhja teknike do të jetë një odise e vërtetë, që do të zgjasë edhe për disa vite të tjera. Duke filluar nga viti 1922, të gjitha trupat jugosllave dhe greke u larguan nga territori i Shqipërisë. Por Shqipërisë do t’i duhej të priste deri më 30 korrik 1926, kur Greqia, Mbretëria SKS, së bashku me Britaninë e Madhe, Francën dhe Italinë, të nënshkruanin marrëveshjen përfundimtare që njihte kufijtë e Shqipërisë. Gjithashtu, problemeve të papjekurisë së brendshme të institucioneve kushtetuese në Shqipëri, vazhduan t’i bashkëngjiten me intensitete të ndryshme intrigat italiane dhe jugosllave, të cilat bënë që procesi i stabilizimit shtetëror të jetë shumë i vështirë.
Një ngjarje e rëndësishme për vendin në vitin 1922 ka qenë njohja shtetërore vendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, shumë herët e drejtoi vëmendjen përtej Atlantikut. Në prill të vitit 1920 qeveria shqiptare i kërkoi Sekretarit të Shtetit, që të dërgonte në Shqipëri, një Komision të përbërë nga inxhinierë dhe ekspertë për hekurudhat, energjinë, minierat, financat, shendetësinë dhe për të organizuar vendin. Pas njohjes së shtetit nga anëtarët e Lidhjes së Kombëve, më 13 dhjetor 1921, anëtarët e një delegacioni qeveritar shqiptar zhvilluan në Romë një takim me përfaqësues të Ambasadës së SHBA atje, dhe i shprehën zyrtarisht gatishmërine e qeverisë së Tiranës për të pranuar çdo lloj njohjeje prej qeverisë amerikane.
Në lidhje me njohjen nga afër të situatës shqiptare në rrjedhen e vitit 1922, USG janë bazuar në raportet e Kolonelit Donnelly dhe përfaqësuesit të qeverisë shqiptare në SHBA gjatë vitit 1921, Mr. C. Telford Erickson. Misionari Erickson ishte amerikani më i informuar mbi gjendjen në Shqipëri, për shkak se ai kishte qenë i përfshirë në çështjet e Sinclair Oil Company e angazhuar për konçensionet e naftës në vendin ballkanik.
Kështu, interesave politike, arsyes së shëndoshë, parimeve të reja diplomatike u shtoheshin si faktorë pozitivë në dobi të Shqipërisë, interesat ekonomike dhe tregtare amerikane. Më 26 prill 1922, zëvëndës-presidenti i Sinclair Oil Exploration Company, A. C. Veatch iu adresua Sekretarit të Shtetit me një letër, në të cilen shpjegonte se opinioni publik në Shqipëri ishte në të mirë të dhënies së koncensionit të naftës një kompanie jo europiane dhe se pas kapërcimit të vështirësive të njohjes së qeverisë dhe shtetit shqiptar në muajin nëntor 1921, çështja e koncensioneve të naftës pritej të trajtohej në mbledhjen e parë të Parlamentit të ri në muajin maj të vitit 1921. Ai tërhoqi vëmendjen DASH se interesat amerikane, jo vetëm në lidhje me koncensionet e naftës, por edhe me aspekte të tjera, në vitin 1922 ishin deri më tani në disavantazh, mbasi SHBA nuk kishin ndjekur shembullin e shteteve të mëdha europiane për njohjen e Shqipërisë pas nëntorit të vitit 1921. Prandaj ai rekomandonte me forcë, që SHBA duhej të dërgonte një përfaqësues të vetin në këtë vend, që nuk mund të lihej jashtë trajtimit sinkron me fuqitë e tjera.
Reagimi i Sekretarit të Shtetit Hughes ka qenë i menjëherëshëm. Ai emëroi Konsullin e Përgjithshëm në Tangier, Denning si të Dërguar të Posaçëm në Shqipëri me Statusin e Konsullit të Përgjithshëm mbi bazën e caktimit të përkohëshëm. Në mesazhin e caktimit të Misionit, të nisur me date 27 prill 1922, Sekretari i Shtetit, i bën me dije se DASH është duke konsideruar njohjen e Shqipërisë, por ma përpara ky institutcion kishte nevojë për një raportim të hollësishëm mbi gjendjen në vend, qendrueshmërinë e qeverisë së atëhershme të Shqipërisë, interesat ekzistuese dhe projektimet e ardhshme të SHBA në atë vend.
Është koha kur Fuqitë e Këshillit të Epërm të Antantës e kishin njohur Shqipërinë de jure. Nga ato vende, Anglia dhe Italia kishin dërguar Ministrat e vet, të cilët ishin shumë aktivë; Franca përfaqësohej nga Konsulli në Shkodër, Japonia nuk kishte ende një përfaqësues pavarësisht njohjes, ndërkohë që njohje kishin akorduar Finlanda, Zvicra, Belgjika dhe Jugosllavia, kjo e fundit e përfaqësuar nga një i ngarkuar me punë.
Me 18 maj 1912, Këshilli i Lidhjes së Kombeve vendosi që Lidhja vetë të merrte protektoratin mbi Shqipërinë dhe se do të emëronte disa ekspertë financiarë ekonomikë, financiarë dhe ligjore për t’i asistuar vendit të ri. Këshilltarët ishin udhëzuar të mos punonin në mënyre preferenciale, por të paanshme, me synimin për ta bërë pavarësinë e Shqipërisë, sa më efektive. Italia protestoi në lidhje me këto tagre të marra nga Lidhja, me pretendimin se Shqipëria ishte një interes i veçantë i Italisë.
Duhet të kujtoj edhe një zhvillim tjetër të brendshëm ndërqeveritar amerikan që vulosi përfundimisht nisjen e misionit në Shqipëri. Me 26 prill 1922, Sekretari i Tregtisë (Hoower) në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit Hughes, tërhoqi vëmendjen mbi faktin e negociatave që po zhvilloheshin nga Sinclair Oil Corporation për koncensionin e vajgurit në Shqipërisë.
Për këtë arsye, ai mendonte se do të duhej merrej në konsideratë serioze çështja e njohjes së Shqipërisë dhe dërgimi sa më shpejt i një përfaqësuesi atje. Gati një muaj më vonë, më 22 maj 1922, Sekretari i Shteti iu përgjigj kolegut të tij duke e sqaruar, se Konsulli i Përgjithshëm Maxwell Blake, ish agjent diplomatik dhe Konsulli Përgjithshëm në Tanger ishte urdhëruar për të udhëtuar në Shqipëri për të realizuar vlerësimet e përgjithshme mbi këtë vend, përfshirë çështjen e kompanisë amerikane të naftës.
Siç duket, meqenëse Joseph M. Denning mori deryrën e Konsullit të Përgjithshëm në Tangier në vitin 1922, Komisioner Amerikan në Shqipëri në fund është caktuar Maxwell Blake, konsul i deriatëhershëm në Tangier. Me 28 qershor 1922, pas udhëtimit anëkend Shqipërisë, Blake dorëzoi raportin. Mbasi përshkruan me profesionalizëm gjendjen reale të vendit në pikëpamje të autoritetit shtetëror, përfaqësisë politike, administratës, gjendjes ekonomike dhe financiare, Blake njofton se qendrimi i qeverisë shqiptare dhe e popullit karshi interesave amerikane është veçanërisht favorizues.
Atij i ishte bërë e qartë, se qeveria shqiptare mezi priste për të krijuar çdo lehtësi për tregtinë amerikane dhe ndërmarrjet; se qeveritarët e rinj shqiptarë ishin të gatshëm për të ftuar kapitalin amerikan të asistonte në zhvillimin e vendit dhe t’u jepnin SHBA garanci për sigurimin formal të trajtimit si kombi më i favorizuar etj. Konsulli Blake, pas konsiderimit të kujdesshëm të të gjitha aspekteve të situatës në shumë pjesë të vendit, rekomandoi njohjen e menjëhershme të Shqipërisë nga ana e qeverisë amerikane:
Arsyetimi: 1. Si një akt të vetvetishem moral ndaj popullit shqiptar në një faze kritike të luftës së tij për pavarësi, ku pavarësisht vështirësive të mëdha, ky vend kishte dhënë prova të mjaftueshme të qendrueshmërisë politike, duke ngjallur admirimin e Lidhjes së Kombeve si shtet sovran, i njohur prej 20 vendeve të Europës. 2.Si arsye të dytë Blake cakton faktorët materialë, të cilët ishin në mënyrë të barabartë të rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë. Vendi kishte mundësi të mëdha tregtare dhe zotëronte rezerva të pasura natyrore, që prisnin të zhvilloheshin. Çdo zgjatje kohore e njohjes, do të vononte mbeshtetjen e qeverisë amerikane për kompanitë tregtare të këtij vendi dhe ishte në dëm të prestigjit të lartë që kishte Amerika në Shqipëri. Në fund, Blake saktësonte se në qoftë se njohja do të aprovohej, Legata duhet të vendosej dhe një Ministër i Plotfuqishëm duhej të caktohej menjëherë, me seli ose në Tiranë, ose përkohësisht në Durrës ose Shkodër. Interesat amerikane e kërkonin që përfaqësuesi i SHBA nuk do të duhej të ishte në ndonjë rank më të ulët se përfaqësuesit e fuqive të tjera në Shqipëri.
Pas këtij raporti të Blake, Sekretari i Shtetit, Hughes udhëzoi Konsullin Blake, që me datën 28 korrik 1922, të njoftonte Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, me anën e një njoftimi të shkruar, se Qeveria e SHBA njihte de jure Shqipërinë. Në dhënien e kësaj njohjeje, Qeveria e SHBA-ve ishte nisur nga fakti se Shqipëria ia kishte dalë të ruante me sukses kohezionin e një qeverie kombëtare. Deri sa Kongresi do të vendoste mbi çështjen e përfaqësisë së rregullt diplomatike në Shqipëri, Blake do të vepronte si Komisioner i SHBA në rangun e Ministrit në Shqipëri, detyrë të cilën e kreu deri me 4 dhjetor 1922 kur Ulysses Grant-Smith u caktua i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Shqipëri.
Jemi në muajin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë dhe SHBA. Gjatë këtyre 100 viteve, pushtime të jashtme dhe uzurpime sundimtarësh të brendshëm, në dukje të pavarun, ka ndodhur ndërprerja e mirëfilltë, ose formale, e aleancës strategjike me Amerikën, miqësi që e projektuan themeluesit e shtetit tonë; ka ndodhur edhe cënimi i andrrës për shpresë mbështetjeje atlantike të prindërve tanë nën diktaturë; ka ndodhur edhe ndërsimi i paarsyeshëm i grupeve shoqnore, prej kastave të korrupsionit kundër vlerave të lirisë, ligjit dhe barazisë në trajtim të shtetasve që promovon Amerika.
Mirëpo, për arsye të mbizotërimit të një vullneti mbarëkombëtar të bazuar mbi arsyen e shëndoshë, dy vendet tona, edhe Kosova, ndodhen sot fatmirësisht në të njëjtën udhë të historisë. Shqiptarët e sodit urojnë vijimin, përforcimin dhe mbrojtjen e këtyre marrëdhënieve me rëndësi jetike për kombin shqiptar, të ardhmen e tij me qeverisje të bashkuar, pa diskriminime të heshtuna, me shpresën për më më shumë ekspertizë dhe saktësi në vlerësimin e situatës reale në vend, të njohjes më të mirë të standardeve të respektimit të të drejtave njerëzore, të trajtimit të barabartë të komuniteteve shtetformuese, njëlloj sikurse në agimin e këtyre marrëdhënieve, Sekretari i Shteti Hughes i vendoste ndër prioretet vlerësuese të një shteti ekzistues dhe serioz.