Flash News

OPINEWS

Romeo Gurakuqi akuza Gjinushit: Në Akademi u votua 'me shofer', në një proces të manipuluar

Romeo Gurakuqi akuza Gjinushit: Në Akademi u votua 'me shofer',

Romeo Gurakuqi*

Më 14 korrik 2025, në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, u zhvilluan “zgjedhjet” për anëtarë të Asamblesë së këtij institucioni. Është hera e dytë që marr pjesë në këtë proces dhe, sërish, nuk ia dola të çaj murin rrethues të Lozhës Komanduese. Këtë herë, “kopsitja” e rezultatit nga Mjeshtri i Madh i Matematikës ishte realizuar thuajse në perfeksion, vetëm se kishte gabuar me 1%. Ligjërisht, askush nuk fitoi. Matematika dhe ligji nuk e lejuan, por Maliqi i shekullit të kaluar dhe këtij të riut, si përherë vigjilent dhe ambicioz, urdhnoi dhe kërcënoi më zërin e tij të egër dhe shikimin e tij të rreptë komisionerët: jepni menjeherë rezultatin! Precedenca ra, Statuti i ASSH u injorua, Neni 6.2 i Ligjit nr. 53/2019, themelori që dikton përllogaritjen u anashkalua sikur nuk ekzistonte, dhe mendja djallëzore lundroi drejt nenit jo relevant 11 pika 3 të të njëjtit ligj, që ska të bëjë me zgjedhjen e anëtarëve, por me zgjedhjen e kryesisë.

Ky artikull nuk është thjesht një ankesë, me të cilën po merret gjykata. Është një rrëfim mbi papërgjegjshmërinë ligjore të njerëzve me pushtet akademik, që kanë etje të pashueshme. Gjithsesi, unë për këtë do të rrëfej më poshtë, por para së gjithash, dua të bëj një falënderim: Mirënjohje të thellë për të gjithë ata që votuan për mua, por edhe për ata që nuk e bënë një gjë të tillë, të udhëhequr nga gjykimi i tyre i lirë dhe ndërgjegjja personale. Respekti im është i barabartë për të gjithë ju njëlloj, sepse integriteti i mendimit është më i rëndësishëm se çdo emër në listë. Në fakt, numri i saktë i të parëve dhe të dytëve, por edhe i atyre që pranuan ndikimin e paligjshëm të komandantit me doktoraturë “në tentativë”, ndoshta nuk do të dihet kurrë, përveçse nëse drejtësia vendos, më në fund, të kthehet mbi këtë dhé dhe kreu i ekzekutivit do të përdor tagret e tij ligjore, për ta shkarkuar menjëherë, duke e çliruar botën akademike nga pengamarrja.

Më duhet të them, se personalisht nuk isha aspak i befasuar nga e gjithë rruga e ndjekur në këto katër muaj. Përkundrazi, e prisja. Shenjat paralajmëruese ishin të qarta, të përsëritura dhe të padiskutueshme. Institucioni nuk ndërmori asnjë hap për të garantuar një garë të drejtë, të ndershme, të barabartë dhe transparente, siç e kërkon ligja dhe siç e meriton çdo studiues i këtij vendi. Administrimi i procesit zgjedhor u bë në kundërshtim me kushtetutën; nuk ekzistonte një rregullore, as edhe ad hoc për procesin; nuk ishte përcaktuar procedura e administrimit të votes së Akademikëve Emeritus; nuk ishte përpiluar një rregullore e indikatorëve të performancës; plotësimi i kritereve u injorua në çdo fazë; lejua një kandidat rival që nuk plotësonte as kushtet për Profesor të Asociuar dhe gjendej në kushtet e papajtueshmërisë me kriteret dhe funksionin; votat në distancë u keqadministruan në zyrën e shefit, në mënyrë të atillë sa ato rezultuan 100% për kandidatin rival (sipas vetë deklarimit të tij në takimin zyrtar të datës 16 korrik 2025). Në çdo fazë të procesit, iu drejtova institucionit në mënyrë zyrtare, duke kërkuar korrektim, respektim të rregullave dhe kthjellim të procedurave. Si përgjigje, mora vetëm heshtje dhe atë zgërdhimjen e njohur, të trishtë, që shfaqet në fytyrën e “të plotfuqishmit” kur përballet me të vërtetën dhe vendos të mos përgjigjet, por të sillet me arrogancë, sfidë dhe injorim.

Kjo zgërdhimje është e njohur për këdo, që nga viti i largët 1987, kur ai u shfaq në skenën e Shqipërisë së varfër: është ajo mimikë ironike dhe herë-herë nevrastenike e një sundimtari të një feudi të dhënë qesim, që e shfaq pushtetin e vet të pakontrolluar sa herë që ndjen se dikush guxon t’i kërkojë llogari. Ai sistem, ndërtuar me djallëzi dhe arrogancë, është bërë autonom ndaj ekzekutivit që më ngjan se e çertifikon me frikë, dhe imun ndaj drejtësisë që e ka lënë të lirë të përdorë fondet, projektet, administratën sipas tarafe dhe nepotizmave, ndërsa lirinë akademike ta ofrojë si dhuratë e privilegj vetëm për disa të përkufizuar e liçencuar nga Lozha e Padukshme e Ligësisë, që lëkundet rreth bizneseve të pakontrolluara të Shtëpisë së Rojeve të Bllokut.

Është ajo pamje që nuk flet, por thotë gjithçka: “Ne jemi këtu. Ti nuk je dhe s’ke për të qenë kurrë.” Një regjim “akademik” autonom, që nuk i druhet më as ligjit, as meritës, as turpit, as KLSH-së dhe as SPAK-ut.

Gjatë gjithë këtyre javëve, Statuti i Akademisë u trajtua si një doracak fakultativ. I gjithë procesi u zhvillua në një hapësirë të lirë për abuzim, por të mbyllur për meritokracinë dhe konkurrencën mbi bazën e punës dhe botimeve shkencore.

Institucioni dështoi të garantojë zbatimin e parimeve të mosdiskriminimit dhe shmangies së konfliktit të interesit, ashtu siç përcaktohet në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë, për të cilin i “Madhi” thotë haptas se nuk e llogaris aspak, mbasi “kam ligjet e mia unë”!! Këto nuk janë vetëm përjetime dhe perceptime personale si dëshmitar, janë gjetje të dokumentuara edhe nga raporti i auditimit të performancës së Kontrollit të Lartë të Shtetit (shkurt 2025), në çdo aspekt procedural të këtij institucioni. Në datat 7 dhe 8 korrik, një pjesë e akademikëve, veçanërisht ata të lidhur me projekte milionëshe, u thirrën individualisht në zyrën e Kryetarit për të marrë “udhëzimin final”: “ardhjen me patjetër dhe me mend në krye në votim”! Mund të mos plotësosh as kushtet minimale për titullin “Profesor i Asociuar”, por kur kalon provën e përuljes së plotë para “Padrinos”, rruga drejt anëtarësimit të plotë në Akademi bëhet e lirë. Garanti të siguron gjithshka, votat në sallë, por mbi të gjitha Votat që mbledh me korrier.

Kulmi i absurditetit dhe i paligjshmërisë pra, ishte mënyra si u krye vetë akti i votimit. A keni dëgjuar ndonjëherë për “votim me shofer”? Jo me postë, kartelë shoqërimi me zarf të vulosur dhe firmosur. Jo në platformë elektronike. Por me shofer. Një punonjës i institucionit, pa faj personal, i urdhëruar nga lart, u detyrua të shkonte në shtëpitë e disa akademikëve Emeritus dhe të të tjerëve për të marrë votat. I gjithë operacioni drejtohej nga Paradhoma e Kryetarit, që udhëzonte për gjithshka. Fletët ktheheshin në paradhomën e Kryetarit, madje dy javë para ditës zyrtare të votimit. Në zyrën e Kryetarit gjendeshin tashmë 17 fletë votimi të mbledhura në mënyrë të paligjshme, kundër meje. Dje, me datën 16 korrik 2025 isha në një takim verifikues në zyrën e Kryetarit së bashku me 3 akademikë të tjerë. Kreu i punëve më deklaroi që “ndër 31 votues në sallë të marrësh 16 vota pro, kundër 15 të rivalit, ndërkohë që nga 17 fletë votimi  të sjella nga Zyra Ovale ti nuk ke marrë asnjë”.  Mbeta shtang, unë dhe tre akademikët e  Kryesisë. Laspus nga nervoziteti?! Pyetja ishte si e dinte ai këtë kur çdo gjë ishte paraqitur zyrtarisht e fshehtë?! Po në fakt, ndodh kur kontrollin e një procedure dhe pilotimin e të përulurve, e kryen një njeri i fortë që i qendron si hije e dredhisë brenda jetës akademike të Shqipërisë. Përpjekja ime kishte qenë e kotë, pas kryerjes së fakteve. Më i shkathti, më i shpejti. Ky është sistemi akademik që mbahet me paratë e buxhetit të shtetit, që qeveria që pret Raport Progresin pozitiv për vitin 2025 nuk do të mund ta lejojë, ndërsa Avokatura e Shtetit do të duhet ta gjurmojë.

Kjo procedurë, jashtë çdo kuadri ligjor dhe moral, u zhvillua pa prani palësh të interesuara dhe pa asnjë garanci sigurie ruajtjeje dhe mosprekjeje. Më 14 korrik, këto 17 fletë votimi përmbysën seriozitetin e një salle dhe një institucioni. Askush nuk mundi të dëshmojë origjinën e tyre, pasi mungoi prania e palëve në mbartjen e tyre.

Sipas të dhënave, në votim morën pjesë 48 anëtarë, plus një anëtar me të drejta të plota që përllogaritet në total. Sipas nenit 7, pika 11, të Statutit të Akademisë, kuorumi për zgjedhje të vlefshme është 2/3 e anëtarëve aktivë – përkatësisht 33 vota nga 49 anëtarë gjithsej. Edhe ligji nr. 53/2019, neni 6, pika 2, e përcakton qartë këtë kërkesë. Megjithatë, përpjekja për të anashkaluar këtë standard ligjor, për të shpallur si fitues një kandidat pa shumicën e nevojshme, çoi në një ndërhyrje të drejtpërdrejtë e të paligjshme nga Kryetari i Akademisë nga vendi mbi komanduesit de jure të sallës. Ky i fundit ushtroi presion të drejtpërdrejtë dhe të pakamufluar ndaj Kryetares së Komisionit Zgjedhor për të prodhuar një vendim në favor të kandidatit të tij. Pamjet filmike të mbledhjes janë të disponueshme dhe mund të vërtetojnë gjithçka. Pyetja që bëhet është se a përbën kjo ulurimë urdhnuese nga vendi, një shkelje flagrante objekt hetimi nga institucionet ligjzbatuese?!

Në atë sallë ku duhej të fliste arsyeja, pas klithmave, mbizotëroi heshtja: heshtje për privilegje, heshtje nga frika, heshtje nga oportunizmi, heshtje edhe kur llogaritja e 2/3 ishte e gabuar matematikisht. E njëjta heshtje ka ndodhur edhe në vitin 2023, duke shërbyer si mbulesë për të vërtetën, që u mbyt në zarfe për së paku dy raste (çështja nuk është hetuar ende).

U përdor një teknikë manipulimi që do ta kishte zili edhe komisioneri më cinik i ndonjë procesi elektoral politik. Unë nuk pres asgjë, asnjë reagim dhe reflektim nga ata që e kanë kthyer Akademinë në një treg heshtjeje, ku votat shkëmbehen me çmime, projektet me ndere, dhe titujt me favore, ndërsa e vetmja gjë që mungon është vetë shkenca. Nga ata nuk pres as drejtësi, as ndërgjegje intelektuale. Ato kanë vdekur së bashku me kapërdimjen e çorbës së prishur, të shtruar në sofrën e padrinos.

Unë e kam denoncuar këtë proces fillimisht pranë institucioneve shtetërore dhe pres prej tyre reagim administrativ dhe procedural, për të çmontuar një herë e mirë Kokën. Jo për vete. Jo për një vend bosh në radhët e Akademisë. Por për dinjitetin e shkencës në Shqipëri, që nuk mund të mbetet peng i një rrethi të ngushtë që ndan çmime për “studime” pa citime, ndërton karriera mbi mungesën e standardit dhe riprodhon një sistem që vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka shpallur të deformuar.

Sepse një akademi pa meritë është thjesht një hije nderi. Dhe hijeve nuk u takon të shkruajnë historinë e dijes në një vend që meriton një raport progresi real për vitin 2025.

*Titulli është i redaksisë. Titulli i autorit: Degradimi i parimeve akademike në një proces të manipuluar votimi

 

Të fundit