Flash News

OPINEWS

Të vërtetat e hidhura nuk mund të fshihen

Të vërtetat e hidhura nuk mund të fshihen

Boshko Jakshiç /Politika

 

Si rregull, pushteti autokratik nuk mund t’i shmanget një efekti: largimit nga realiteti, jetës në një botë paralele, të përfytyruar dhe të ndarë bukur e mirë nga ajo realja.

Thonë se Vladimir Putini, në kohën e kryengritjes së mercenarëve të “Vagnerit” ishte duke shetitur me jahtin e mikut të tij, biznesmenit Juri Kovalçik, dhe ndiqte festivalin a Alla Perushës në Shën Peterburg.

Nuk e di nëse Aleksandër Vuçiçi në kohën  kur mbaheshin protestat “Serbia kundër dhunës” ka gjetur kohë të hidhet deri në kodrat e Goricës dhe të pijë atje ndonjë gotë verë “Merlot” të vjetëruar, por gjithsesi nuk do të çuditesha. Ky pushtet është fryrë kaq shumë me helium gjatë këtyre dhjetë viteve saqë nga lartësitë astrale ku ka hipur nuk është në gjendje të njohë realitetin, të bëjë dallimin se cilët janë njerëzit që presin ndryshime në shoqëri, e cilët janë ata që mezi presin t’i zëvendësojnë në pushtet. Kësisoj është arritur në përgjithësimin vetëvrasës: të gjithë ata që kritikojnë dhe kanë ndonjë vërejtje janë “armiq” të Serbisë, gjuetarë për kokën e presidentit.

Aman, zaman! Ndalojeni topin para se topi të thyejë xhamat. Nuk kam dëshirë të shoh edhe njëherë sesi digjet parlamenti.

Por, të dehur nga pushteti dhe paratë, të zhytur thellë në fodullëk dhe mendjemadhësi, të preokupuar vetëm për fyerje dhe nënvlerësime, ndjekësit e përparimtarëve (Partia përparimtare – partia në pushtet në Serbi- shën. i përkth.) janë aq shumë të verbuar saqë nuk janë në gjendje të ndjejnë se cili është fati i shtambës që shkon për ujë. Triumf i instant-kulturës: duan gjithçka dhe e duan menjëherë. Pastaj, le të zgjasë sa më gjatë.

Kësisoj është humbur shansi për një katarsis të madh të kësaj shoqërie, për zbutjen e ndasive të imponuara shkatërruese dhe për ngritjen e Perdes së hekurt që është shtrirë nëpër tërë Serbinë. Nuk ka dy Serbi, dhe kjo është bërë e qartë në momentet e dy tragjedive të mëdha.

Shumica dërrmuese e qytetarëve ka treguar, jo vetëm solidaritet dhe empati, por edhe dëshirë që gjërat të normalizohen. Ndërsa politikanët të cilët heqin vijën Mazhinó, më mirë të mendojnë për atë vajzën e vogël Nina nga Novi Sadi, e cila duke shitur krofne grumbullon paratë që i nevojiten për mjekimin  e të atit. Me mijëra njerëz dhe me orë të tëra kanë pritur në radhë të blejnë krofnet e saj. Kjo është Serbia që fitoi shansin të thyejë heshtjen, të shfaqë njerzillëkun e saj. Ky është edhe rajoni: krofne për babain e Ninës janë shitur edhe në Rijeka.

Stop dhunës! është vetëm një thirrje pas së cilës fshihen shpresa të ndryshme. Në solidaritet, humanizëm, fqinjësi. Qindra mijëra lule para shkollës “Vladimir Rinbikar” (shkolla ku ndodhi masakra) janë epitafe për sistemin tonë arsimor, krofnet janë simboli i dhimbshëm i sistemit tonë shëndetësor.

Pushteti e tregoi veten se nuk është me kohën. I hermetizuar dhe i tejngopur siç është, u’a ktheu me çirrje të përgjithshme dhe me fyerje nga më të rëndat. Presidenti mund të përsëritë përditë sesa trim është dhe se nuk i’a ka frikën askujt, por koncepti i tij për trimërinë është i frikshëm. Trimëri është të dëgjosh me qetësi të tjerët, të mendosh mbi mesazhet që merren, të bësh kompromise. Ai që nuk është i gatshëm për të bërë lëshime – nga të cilët edhe vetë do të kishte përfitim – nuk ka talent për politikë, çfarëdo që të mendojë për veten.

Në momentet e krizës, e Serbia pa dyshim që është në krizë shoqërore, është më e mençur të dëgjosh kritikët sesa lakejtë rreth vetes, të cilët – shumica për arsye të kalkuluara – e dinë mirë se çfarë është e ëmbël për veshët e shefit. Ikja nga realiteti është azili i burracakërisë, dhe jo arsye prej trimi e cila pritet nga lideri.

Zotërinj, jeni rrëzuar në provim, por këtë nuk doni ta dëgjoni. Vazhdoni t’i jepni zemër vetes me anketimet e rreme të opinionit publik i cili tregon rezultatin që është porositur. Ndërkohë që është e qartë se që nga data 3 maj rejtingu i presidentit dhe Partisë përparimtare ka rënë. Vuçiçi thotë se ka fituar rreth 100.000-200.000 pasues të rinj.

Orbita e pushtetit refuzon edhe të mendojë mbi atë se një ndër pesë anëtarë të Partisë përparimtare mbështet protestat “Serbia kundër dhunës”. Nuk është ky qëndrim politik, por njezor, por si ta bësh të mendojë njeriun kur i cili sheh vetëm nëpërmjet ingranazheve të makinerisë zgjedhore, si numer statistikor, dhe jo si qytetar me detyrimet dhe të drejtat e tij.

Largimi nga realiteti është i rrezikshëm. Të jetosh ne rè nënkupton rënie pa amortizatorë. E pastaj fillojnë të ngjallen instinktet më egoiste dhe më të këqija.

Ajo që është më seriozja në gjithë këtë është se pushtetmbajtësit vërtetë besojnë në atë që thonë. Prej këtu vjen ajo urrejtje e pashuar ndaj “gjithë të tjerëve”. Atyre që menjëherë etiketohen si të painformuar, madje edhe budallenj, meqenëse nuk e kuptojnë se atdheu është në rrezik. Frikëso dhe qeveris.

Shumë veta janë mbyllur në vathën me ajër të kondicionuar të vetëdashurisë. Me syze të errëta në sy, ndërsa me harbutëri, nëpërmjet servilëve të tyre mediatikë, përhapin narrativin mbi misionarizmin e tyre. Mendojnë se janë pronarë ekskluzivë të të gjithë të vërtetave dhe nuk duan – ose nuk munden – të pranojnë se e vërteta është si puna e ujit: arrin gjithkund. Herët a vonë. Sa më vonë, gënjen veten pushteti duke llogaritur se pakënaqësia me kalimin e kohës ka për t’u fashitur, se populli, si edhe disa herë më parë, do të anestizohet dhe do të bjerë në apati nga e cila, kur të jetë nevoja, do ta nxjerrin me autobuzë, duke i ofruar sanduiçë dhe ujë të gazuar. Mundet edhe pak para kesh.

Tragjeditë që kanë ndodhur në Serbi kanë treguar se të vërtetat e hidhura nuk mund të fshihen. Ato janë si skaner që zhvesh dhe formëson realitetin. Pastaj mobilizohen. Në rrugën e tyre, si pengesë, gjenden ekskluzivisht ata që mbulojnë terrenin me mina nëpër të cilat ecën e vërteta.

Protestat po e humbasin masivitetin. Gjithçka është e pritshme. Por pushteti ka gabuar rëndë nëse ka vendosur të hapë shishen e shampanjës dhe të festojë atë se gjithçka është reduktuar në një “grusht shëtitësish”. Nuk është gjithçka sipas disiplinës së presidentit- te numerologjia.

Këto protesta, në krahasim me ato paraardhëset, i kanë motivuar përfundimisht të rinjtë, ata për të cilët më parë flitej se janë apolitikë, pragmatistë, egoistë, se atyre nuk u intereson shoqëria si tërësi, por vetëm fati personal. Kjo është gjeneratë që rrallëherë ka dalë në zgjedhje, e akoma më rrallë në demonstrata. Studentët dhe nxënësit tani angazhohen masivisht.

Një pjesë e madhe e Serbisë, ajo predispozicioni i së cilës nuk gjendet në anketimet e anketuesve të rregjimit, është e zhgënjyer thellë që pushteti nuk e kaluar provimin e pjekurisë morale, që vazhdon të përpiqet pak a shumë ta kamuflojë atë zemërimin e heshtur nëpërmjet pllakatave propagando-ndërtimtare. Përpiqet përsëri të fitojë kohë duke dalë në zgjedhje gjithnjë me shpresën se gjithçka do të harrohet. Jo, nuk do të harrohet!

Këto protesta tani po shkojnë në pushimin vjetor duke lënë në qelizën sociale një gjurmë fisnike e cila ka kohë që nuk është e tillë. Nuk ka kirurgji estetike që mund ta eleminojë. 

Përktheu: Xhelal Fejza

 

Të fundit