Flash News

OPINEWS

Traktati i Fshehtë i Vlorës

Traktati i Fshehtë i Vlorës

Nga Romeo Gurakuqi 

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë jane parësore, per arsye historike, strategjike, ekonomike dhe kulturore. Në 46 vitet e diktaturës ky vend ishte dritarja e shpresës, zëri i lirisë, toka ku strehohej desidenca jonë më e ndriçuar, ndërsa për 33 vitet e tranzicionit Italia u shërbeu shqiptarëve si mikpritësja e jashtëzakonshme. Gati 1 milion shqiptarë u janë bashkëngjitur “gjakut tonë të shprishur”  dhe jetojnë si shtetas të denjë dhe të lirë të Republikës Italiane, qytetarë të Europës. Sikur Shqipëria e këtyre 33 viteve të kishte pasur Kastriotas, Ismailistë, Konicianë, Fishtianë, Prishtinásë dhe Koliqianë në politikbërjen e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Italia do të kishte qenë shtylla e referencës për përparimin europianizues të vendit. Fatkeqësisht, endjet e paarsyeshme drejt askundit, interesat e padukshme, e kanë lëvizur boshtin strategjik shtetit, në atë masë, sa ende konsiderohemi një shtet jo serioz, me “adoleshencë” të zgjatur dhe trup të cepuar.

Shqipëria tranzicioniste nuk ka ditur asnjëherë të lexojë me ekspertizën e nevojshme historinë e politikës së jashtme italiane. Në agimin e pavaresimit te Shqiperise, Italia ishte mbrojtësja e Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, ekonomike dhe kulturore, duke perforcuar ndërkombetarisht pozicionin e shtetit protektor, themeluesit te jashtem te shtetit shqiptar, Perandorise Austro-Hungareze. 14 muaj më vonë, ne gushtin 1914, i njëjti partizan i independencës, Ministri i Jashtëm San Giuliano, për interesa kompensuese gjetkë, bëri gabimin e ofertimit tëresor të territorit shteteror shqiptar, si plaçkë ndarjeje në tavolinën e Antantës, që as Sonnino, ministri vijues, nuk do të mundte ta ndryshonte dot. Salandra dhe Sonnino do te “nënshkruajnë” me 26 prill 1915, ne dem te interesave shteterore dhe kombetare te nje Shqiperie mjaft te brishte, qe jetonte vetem ne kujtimin e pjeseve me te ftilluara te nacionit, duke bashkuar padenjësisht qendrimin e Italisë me interesat e ndarjes se tokes arbnore me Serbine, Malin e Zi dhe Greqine.

Pas Luftes se Pare Boterore qendrimi i te njejteve politikane e diplomate fitimtare italiane (Orlando, Nitti, Tittoni) eshte lekundur ne mes politikes qe solli ne nxitjen dhe nenshkrimin e Traktatit te Fshehte te Londres, deri ne rinjohjen e shtetit shqiptar me 9 nentor 1921, me "gozhden" e pozicionit mbikqyres te Italise, qe u perdor si "shpjegim legjitim", me mjaft efikasitet, nga klika fashiste e drejtuar nga Musolini dhe Konti Çiano, sherbetoret e tyre, Françesko Jakomoni, Giovanni Giro, Piero Parini, Salvatore Meloni, nje numer njerezish te pandreqshem, per pushtimin, shfrytezimin dhe vjedhjen e Shqiperise se ngrate, nga 7 prilli 1939 deri me 9 shtator 1943.

Megjithate, edhe ne kete kohe te dekades se dyte dhe fillimit te tretes te shekullit XX, kane spikatur politikane italiane qe kane treguar realizem, dashamiresi ndaj interesave te verteta te Shqiperise, mes te cileve duhet te dallojme Gioviani Giolitti-n: ne vitin 1915 ai beri çmos te bllokonte perpjekjen e Salandra-s per te bere marreveshje te fshehte me Antanten ne dem te Shqiperise dhe pas Luftës së Madhe, te korigjoje politikat e Nitti-t,  politiken aspakt miqesore te Orlandos dhe te shfuqizoje Traktatin Tittoni-Venizellos, qe lejonte aneksimin e Shqiperise se Jugut.
Ishte ai qe mori vendimin per terheqjen nga Vlora ne vitin 1920, por qe u sabotua nga qarqet militariste, te cilat çuan me pas ne perplasje, ne Luften e Vlores.

Italia ka sherbyer pas Luftes se Dyte Boterore si dritarja e shpreses per qytetaret shqiptare te burgosur ne "Kampin e Madh te Perqendrimit Komunist" dhe ne momentin e pare ta hapjes se perdhunshme te dritares ringjallese, ne vitin 1991, ky vend sherbeu "platforma e pare e lirise", e cila priti, dhe vazhdon te prese, qindra mijera shqiptare, qe kerkojne pambarimisht, nje jete me te mire, por edhe dinjitet dhe barazi ne trajtim.

Nje numer i madh kryeministrash te vendit fqinj dhe mik kane treguar në bashkëkohësi, gjithe vullnetin e tyre per nje kujdes te veçante ndaj Shqiperise, qe edhe ne tranzicionin qe nuk po mbaron kurre, levizte e paorientuar strategjikisht, me frekuenca te çrregullta, jo logjike dhe perkundrejt deshires popullore per ta bere vendin si e gjithe Europa.

Kryeministrat Andreotti, Amato, Ciampi, Prodi, Berlusconi, Renzi, Conte e Draghi gezojne nderimin e qytetareve shqiptare per ndihmen e pakursyer te dhene nga Italia ne Shqiperi, ne aspektin asistencial, pavaresisht se ato nuk arriten asnjehere te njohin aspiraten tone per qytetari europiane, respektin tone te sinqerte e dinjitoz ndaj Italise, ne menyre qe te aprovonin nje legjislacion te posaçem per trajtim te barabarte te shtetasve shqiptare me europianet e tjere, nisur nga arsyet historike, “borxhit të vjetër”, faktit qe Adriatiku ka ndertuar ne shekuj nje bashkesi kulturore, politike dhe te rezistences se perbashket per shekuj me radhë në Ulqin, Shkodër, Lezhë, Shëngjin, Rodon, Durrës, Vlorë dhe Sarande.

Per te ardhur tek Marreveshja e Fshehte e imponuar, perceptimi im eshte pabesisht, ndaj Shqiperise Qytetare dhe te Emancipuar, nga zonja Meloni, me 15 gusht 2023, që u shpërfaq ne publik papritmas ne Rome, me, 6 nentor 2023. Askush nga organet që mbrojnë shtetin, sigurinë nacionale, nuk ngre pyetjen: Si mund të negocohet sovraniteti shtetërorë jashtë protokolleve qeveritare, zyrave shtetërore, larg nga tagret e organit sovran dhe fshehtas opinionit publik që duhet të ketë transparencë në çdo çast?!

Shqiperia e varfer, e mjere, e korruptuar, e shpopulluar, e denatyralizuar, pa rini, projektohet përulësisht nga dikush, si Trampoline Shpetimi per ekipin aktual qeveritar italian, që shpalos gjithe mungesen e fisnikerisë dhe ecen perkundrejt trashegimise politike te lene nga Berluskoni, per kujdes te posaçem ndaj Vendit te “Shqipnonjave te Shperndara”.

Dhe ne kete Shqiperi, serish zgjidhen dy pista te vetme, per themelimin e dy kampeve gjigande dhe te pangjashme per asnje vend tjeter europian mikprites: San Giovani di Medua dhe Sapa.

Le te bejme te kjarte disa elemente:

Ne, shqiptarët, jemi një popull që kemi krijuar emigracionin më të madh të mundshëm në këto 33 vite të rënies së regjimit diktatorial, me mbi 60% të popullsisë së ikur nga vendi. Për rrjedhojë, duke qenë të tillë në plagët tona komunitare, ne, parimisht jemi për një kujdes të posaçëm ndaj të drejtave të njerëzve që kërkojnë një jetë më të mirë. Në parim, integrimi i Shqipërisë në mbështetjen e vendeve europianë në përballimin e valëve emigrative, nuk ka ndonjë gjë për t’u kritikuar.
Mirëpo, në qoftë se angazhimi proporcional, i shpërndarë drejt në territorin shtetëror, është një vepër e arsyeshme, e drejtë, humane, me tregues të qartë të mikpritjes sonë tradicionale, një angazhim brenda mundësive në veprimtarinë e përkrahjes sociale, shndërrimi i një Bashkie të vetme, dy vendbanimeve të përfshira në Dioqezat e Lezhës dhe Sapës, dy zonave të boshatisura dhe të pastruara egërsisht nga regjimet post-komuniste prej vendasve arbnorë, në kampe të posaçme dhe unike në Shqipëri, të pritjes, të grumbullimit dhe të strehimit të një numri të pamatë refugjatësh (39000 refugjatë në vit), masë njërëzore e pamundur për t’u komanduar dhe menaxhuar edhe nga vende me siguri publike të garantuar, me rend publik dhe sundim të ligjit, është një diçka krejt tjetër, që mund të konsiderohet pa ngurrim, si e paarsyeshme, që shkon përkundër interesit komunitar e sigurisë kombëtare, përkundër të drejtave komunitare që edhe kështu janë të mangëta, kundër interesave të ruajtjes së stabilitetit ndërkomunitar të përcaktuar nga konventat kushtetuese themelvënesë të shtetit shqiptar, dhe, në fund fare, qartazi një vendimarrje e papërgjegjshme, e qellimshme rrënimtare.

Caktimi i njëanshëm dhe përkundër rregullave demokratike të vendimarrjeve të konsultuara demokratikisht me komunitetin (me anë të referendumit), i një zone të vetme hyrëse dhe pritëse brenda 28000 km2, orientimi drejt zonës më të varfër të Shqipërisë, më me pak investime publike në vend, nga qeveritë post-komuniste, targetimi për të dytën herë i Shëngjinit si porti i hyrjes së “boat people”, vendimarrja për ndërtimin e Kampit gjigand të Refugjatëve në Zadrimë, mu në brinjë të Vendit të Mbledhjes së Kuvendit të Arbërit, në lëndinat e Famullisë së Kuklit, Muzeut të Ndre Mjedës, në një zonë që sapo ka filluar të zhvillojë turizmin, është i paligjshëm nga pikëpamja procedurale demokratike, shkon përkundër parimit themelor të vendimarrjes që imponon shpërndarje proporcionale dhe të drejtë në vend të barrave të treta që duhet të mbajë shteti.

Pyetja qe na lind vetvetiu eshte kjo: a do të ishte me e arsyeshme qe edhe Portet e Durresit, Vlorës, Sarandës dhe skela te tjera të shërbenin barabar me Shengjinin per te pritur nje numer te arsyeshem refugjatesh per Shqiperine, por kurrë atë të vendosur nga dy kryeministrat në shtëpitë e pushimit në Vlorë? Qe edhe zonat e me fusha te pamata ne qender te vendit te ishin ne planin e "arsyeshem" te te dy qeverive?!

Zonja Meloni e din se nuk mund ta impononte një vendim të tillë per keto ane, jo vetëm se do të gjente kundërshtinë e vendit fqinj jugor, që është shumë i vëmendshëm ndaj çdo cënimi të ekuilibrave kulturorë dhe të drejtave të ato anë, por edhe për shkak të interesit që oligarkia aktuale financiare sunduese ne Shqiperi ka në Jug, për shkak të investimeve që kanë derdhur mbi turizmin, të ngrirjes në një numër të madh “investimesh strategjike” të parave të ardhura nga jashtë në rrugë të panjohura nga oligarkët e fondeve publike dhe krimi i organizuar.

Ajo ka zgjedhur/pranuar me oportunizëm përfitues, një rajon pa protektore (Italia do të duhej të ishte protektorja, meqë ra fjala, por ajo ka hequr edhe Konsullatën e saj shekullore nga Shkodra) dhe te boshatisur tinzisht, enkas nga popullsia vendase, një hapësirë ku është kryer pa u ndalur në këto 33 vite, pastrim i heshtur kulturorë, me një mijë mënyra privuese nga gëzimi i shërbimeve të një shoqërie demokratike. Regjistruesit e censit besoj jane ende të shtangur nga katastrofa demografike në Shkodër, Malësi, Nënshkodër, Zadrimë, etj.. Atë e shohin dhe e ndjejnë të gjithë veç entuziastëve të dekoreve dhe cirqeve marramendës.

Dikush mund të më kundërshtojë me shembujt e vendeve të tjera europiane që presin pandërprerë emigracion. Mirëpo Shqipëria nuk është e tillë, në asnjë aspekt. Ky vend nuk ka një klasë të mesme pronare në nuklin themelor të shoqërisë të stabilizuar prej shekujsh dhe dekadash pararëndëse, të cilës nuk mund t’ia cenojë jetën e vet të stabilizuar, emigracioni i ri. Aq më pak ekziston kjo shoqërie e qendrueshme dhe solide në Shqipërinë e Veriut. Në një shoqëri të varfër masivisht, me familje të tëra të larguara, me një brez të ri të ikur në total, në një territor të boshatisur, me shkolla që mbyllen në rënie kaskadë, por që shpresa e rikthimit të një dite të mirë, e rindërtimit të jetës në atdhe ende nuk është shuar, nuk mund të sjellësh dhe të ngulësh një popullsi tjetër. Kjo është baraz me pastrim etnik, me vdekje përfundimtare të shpresës së ringjalljes, me fikje të një tradite, që nuk ka guxuar të bëjë askush deri më sot, asnjë sundues i huaj, veç zjarrëvenësve të vendit prej vesit, kureshtjes dhe inatit.

Për fat të keq, kësaj radhe, e ndërlidhur në këtë dramë ndaj Shqipërisë Veri-Perëndimore, është ekzekutivi i Republikës Italiane, gjegjësisht qeveria e saj e drejtuar nga zonja Meloni, që do të duhej të kishte për detyrë të mbronte të drejtat e popullsisë së mbetur, porse përndryshe po ushqen me një alibi përfekte rrënimin dhe dëbimin e pjesës së fundit të popullsisë së mbetur në Veri.
Dhe ky cinizëm pa kufi i saj në implementimin e beftë dhe të shpejtë të një plani të hartuar fshehurazi muaj me pare do të rëndoje fatalisht mbi ne.

Po ashtu, dua të kujtoj, se vendet europiane mikpritëse dallohen per standarde shumë të larta të sigurisë publike, ndërkohë Shqipëria është një vend me rend publik të dërrmuar, organe ligjzbatuese me korrupsion galopant, me një trafik të qënieve njërëzore të pandalur, me organizata kriminale që operojnë lirshëm në territor.

Dhe pikërisht këtu, ne hapesiren me kontroll më të dobet te ligjit, tentohet te sillet “lëndë të parë” për trafikime të reja. Kjo do të thote mbajtje përmanente të turbulencës, nënzhvillimit dhe shkatërrimit edhe të atyre pak përparimeve që janë bërë në fushën e turizimit në këto vite.

Ky plan po tentohet të zbatohet në një kohë kur vendi nuk ka opozitë për shkaqe te ditura, ndersa vetë partia drejtuese e vendit nuk ka asnjë lloj strukture ekspertize dhe oponencë konstruktive. Heronjtë zhurmëmëdhenj e kanë shurdhuar deri më sot arsyen njerëzore dhe politike, kanë ndërtuar frikën ndëshkimore në sistem, para së gjithësh për kryebashkiakët dhe deputetët socialistë. Çfarë fatkeqësie është “të të rrahin dhe të fyejnë me mikrofon në dorë” dhe të mos jesh në gjendje të ngresh zërin për qytetarët që të kanë zgjedhur për t’i shërbyer dhe jo për t’i shtërnguar me dëbim!

Veprime të tilla të targetimeve të njëanshme dhe mentaliteti i përdorimit të një pjesë të territorit si geto e varfërisë, injorancës, krimit dhe strehimit të refugjatëve, ndërsa e një pjesë tjetër si Breg i Lulëzuar dhe Krahina për Investime Strategjike, duhet të ndalen.

E di mire se, në rrethanat aktuale kur jeta parlamentare është praktikisht e shuar, kur oponenca intelektuale është e paralizuar nga nënshtrimi prej rroges se varun nga shteti, shumë pak mbetet për te zgjuar ne arsyetimin shteteror per korigjim mbi baze te drejtesise të politikave të tilla, do t’i quaja pa droje, antikombëtare, të fazës përmbyllëse.

Aq me pak pritet reflektim nga zonja Meloni: vete perdorimi prej saj, i metodave te marreveshjes së fshehte, te lena pas nga diplomacia europiane qe nga viti 1919, te ben te kuptosh "ndjesite e saja te sinqerta" ndaj nje vendi qe vuan.

Shfaqja e qartë e ligësisë, pandjeshmerise, injorimit perfitues, egoizmit personal te saj pa u kujdesur per pasojat, ka lene nje pershtypje te rende ne vendin tone vecanerisht nder komunitetet qytetare ne Shengjin, Lezhe, Zadrime, Shkoder etj.

Si eshte e mundur, që nje targetim i tille disproporcional dhe ky ngazëllim tinzar vjen nga Roma e sotme zyrtare, nga Kryeministrja e Italisë ?!

Shqiptarët e pa zë sot presin qe ne shumicen qeverisese ne Itali, mendjet e kthjelleta te Qendres se Djathte Europianiste, vetë Opozita e Qendrës së Majtë, te ndikojne, në mos në tërheqjen, së paku ne modelimin e arsyeshem e të pranueshëm te kesaj marreveshjeje, te kushtezojne qe lirite dhe te drejtat e publikut ne Shqiperi te respektohen, duke shmangur nderhyrjet brutale të nje kohe aksidentale imponimesh qe nuk duhet te përsëriten.

Eshte kjo arsyeja e shkrimit te ketyre radheve. Vendimi i Gjykates Kushtetuese per pezullimin e Marreveshjes se Fshehte, sherbeu per krjimin e një pauze reflektimi. Ndërkohë, ndalja e përkoheshme e dhjetorit nuk do të ketë asnjë rëndësi në qoftë se në vendimin e javës në vijim, kjo Gjykatë nuk do të gjejë forcën karakteriale dhe profesionale t’i qendrojë betimit mbi Kushtëtutë, t’i shërbejë stabilitetit të Republikës, garantimit të sovranitetit shtetërore, paqes sociale dhe të ardhmes së nacionit tonë shumëvuajtur.

Të fundit