Flash News

OPINEWS

Tuneli i Llogarasë është allishverish i Edi Ramës, jo gjeopolitikë e madhe, Baton!

Tuneli i Llogarasë është allishverish i Edi Ramës, jo

Armand Maho

Gazetari Baton Haxhiu në shkrimin me titull “Drejtësia, gjeopolitika dhe një tunel Belinda – Rama – Prokurori Dritan”, me të drejtë aferën korruptive të Tunelit të Llogarasë, ia faturon Edi Ramës, duke minimizuar rolin e Belinda Ballukut në këtë histori që u ka kushtuar shqiptarëve rreth 50 milionë dollarë.

Haxhiu ka të drejtë kur thotë se Belinda Balluku është aktore në këtë histori, pasi regjisor i saj është Edi Rama. Natyrisht, me mendjen e saj, Balluku nuk kishte se si të anulonte një tender të kryer tashmë dhe të hapte një tjetër ku kompania fituese do merrte 50 milionë euro më shumë, ndërsa do ia jepte si nënkontraktor të njëjtës kompani me çmimin e mëparshëm, në këtë rast “Gjoka SHPK”.

Këtë vjedhje të kryer me iniciativë dhe firmë të Edi Ramës, Baton Haxhiu kërkon ta mveshë me termin ‘interesa strategjike’, për të cilat punon kryeministri. Për këtë ai na kujton ndërhyrjet e Erdogan në zgjedhjet e vitit 2021, me rindërtimin apo spitalin e Fierit, dhe Batoni habitet se si këto dy episode të bamirësive së Erdoganit nuk përmenden në dosje, por përmendet vetëm afera korruptive e 50 milionë eurove.

Në fakt, siç kemi parë në këto vite, Erdogan ka mbështetur vetëm pushtetin personal të Ramës. Sepse me këtë logjikë duhet të pranojmë që edhe afera e Tigri 1 dhe Tigri 3, të inicuar nga Yuri Kim, asokohe ambasadore e SHBA-ve në Shqipëri, na qenkan bërë për hir të interesave gjeopolitike dhe jo për interesa të ngushta të xhepit të saj dhe mbështetjes publike që i jepte Edi Ramës. Me ato para u pa qartë se Yuri Kim bleu postin e drejtoreshës së Exxon Mobil, që ishte dhe kompania që na bëri “peshqesh” anijet e kalbura nga Bangladeshi, të cilat pa prodhuar asnjë kilovat energji na kanë kushtuar rreth 90 milionë euro.

Por për t’ia ilustruar Haxhiut më qartë, se afera e tunelit të Llogarasë nuk është asgjë tjetër veç një allishverish turko-shqiptar, po i sjellim në vëmendje se kush është pronari i firmës që “rrupati” 50 milionë euro nga buxheti i shqiptarëve. Ai quhet Abdulkarim Kart, një mik i afërt i Presidentit Erdogan, ish-deputet i partisë së tij që u shndërrua në biznesmen, përfitues tenderash për shkak të lidhjeve me Presidentin e Turqisë, i cili e pranon me gojën e tij për portalin Ajan53.com në vitin 2023 se i ishte gjendur zotit Erdogan në ditë të vështira duke i ndërtuar shtëpinë e tij të parë verore si shenjë besnikërie.

Ja si e kujton vetë Abdulkarim Kart këtë episod, i cili me sa duket ka qenë një nga shtysat kryesore të karrierës së tij politike dhe në biznes:

“Një ditë, zoti Tayyip tha: ‘E dua shumë Rizen, por nuk kam një shtëpi të denjë këtu.’ Kërkoi ndihmë nga Shevki Hoxha për këtë çështje. Ai i tha: ‘Do ta bëjmë në kohën e duhur.’ Në atë periudhë, zoti Tayyip mori një dënim, hyri në burg dhe doli… Duhej gjithashtu të hiqte dorë nga detyra e kryetarit të bashkisë, sepse ishte shpallur i ndaluar. Një ditë shkuam në një dasmë në Kocaeli. Edhe zoti Tayyip erdhi dhe u ulëm në një tavolinë. Ai më pyeti: ‘Po shtëpia që do të më bënit, çfarë ndodhi?’ Ia kujtova se unë nuk kisha marrë ndonjë kërkesë të tillë prej tij, por se e kishte thënë Shevki Hoxhës. ‘Mos bëj si kryetari yt, mos na mashtro!’ — më tha. Atëherë i dhashë fjalën që do ta ndërtoja atë shtëpi. E pyeta se ku e donte shtëpinë. Ai më tha që ta gjeja vetë vendin. Më kërkoi të gjeja dhe të blija një parcelë toke në zonën ku ishin familjet e nënës dhe të babait të tij, dhe të ndërtoja aty shtëpinë. Të nesërmen hipa menjëherë në avion dhe shkova në Rize. Vizitova fshatrat e të dy palëve, gjeta vendet më të përshtatshme dhe bëra fotografitë. Pastaj i çova në zyrën e tij në Üsküdar. I thashë: ‘Ju gjeta disa vende si alternativa.’ Ai u habit, nuk e kishte menduar që do veproja kaq shpejt. I thashë: ‘Kur marrim një punë, e çojmë deri në fund.’ Ai më tha: ‘Nëse je kaq serioz, atëherë të vijmë ta shohim.’ Dhe shkuam në vendin ku sot ndodhet ajo shtëpi. Në atë kohë po banoja në Stamboll. Zoti Tayyip ishte i ndaluar dhe pranë tij nuk kishte më njerëz oportunistë që të lëviznin rrotull për interesa të tyre — e pashë që ishte i vetëm. E doja dhe e respektoja shumë. Për shtëpinë në Rize i kisha dhënë fjalën dhe kam udhëtuar nga Stambolli për ta ndërtuar atë, me plan që ndërtimi të zgjaste 14 muaj. E realizova ndërtimin në atë mënyrë. Për mua, kjo ishte edhe një shenjë mirënjohjeje për besnikërinë time…”.

E ku hyn gjeopolitika këtu?

Në rast se çdo vjedhje, blerje të mbështetës personal politik nga ndërkombëtarët, apo si fjala vjen shpallja investitor strategjik të Oleg Deripaskës me ndërhyrjen e Charles McGonigal, do ta justifikonim me politika gjeostrategjike, atëherë duhet të pranojmë se korrupsioni qeveritar, pastrimi i parave, apo edhe vetë trafiku i drogës janë bërë për interesa gjeostrategjike. Në fakt deri më tani nuk është se kemi parë ndonjë hajër nga e gjithë kjo. Negociatat u hapën pas 11 vjetësh pushteti të Ramës, dhe antarësimi në BE si duket fundi. Shqipëria në arenën ndërkombëtare vazhdon të jetë vend periferik, ndërsa antarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave u bënë nën qeverisjen e Berishës, gjë të cilin Batoni e di fort mirë.

Me tunelin e Llogarasë është kryer vjedhje e hapur. Përpjekja për ta shfaqur ndryshe rezulton si një shaka fëmijërore, pasi faktet flasin. Edi Rama të gjitha këto i ka bërë për mbështetje personale dhe asgjë më shumë. Në bazë të këtyre allishverisheve ai ka mbajtur këta 12 vjet pushtetin, dhe kjo s’ka të bëjë aspak me gjeopolitikën, të shesë apo të mbajë Belindën, po të dojë.

Të fundit