Flash News

KRYESORE

Organizatat mjedisore paralajmërojnë shkatërrimin e parkut Divjakë-Karavasta nga megaresorti

Organizatat mjedisore paralajmërojnë shkatërrimin e parkut

Organizatat në mbrojtje të natyrës në Shqipëri bëjnë thirrje për mbrojtjen e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta, ndërsa theksuan se planet e urbanizimit për një megaresort turistik do të kishin pasoja shkatërrimtare.

Autor: Ivana Dervishi  BIRN  Tiranë

Duke analizuar me detaje shpendët dhe kafshët që kanë për shtëpi parkun kombëtar Divjakë-Karavasta, Ferdinand Bego, profesor në Universitetin e Tiranës argumentoi se 22 mijë hektarët e këtij parku- zonë Ramsar, janë një ekosistem i pasur dhe një parajsë për shpendët në Mesdhe.

“E gjithë laguna popullohet nga shumë faunë… 30-85 mijë shpendë të ujit gjatë dimrit, pra rreth 35% e shpendëve dimërues dhe folezues në vend,” tha prof. Bego.

Ai shtoi se projekti i resortit turistik nuk do të prekë vetëm pjesë të caktuara të parkut Divjakë-Karavasta por të gjithë ekosistemin, ndërsa theksoi se është një detyrim i Shqipërisë ta ruajë zonën, jo vetëm si pasuri kombëtare, por edhe globalisht prej statusit të dhënë.

“Zona në Karavasta është shumë e lidhur dhe e pandashme. Nëse i prishim zemrën këtij ekosistemi, zor se ai do ta mbajë veten në plan afatgjatë,” përfundoi ai.

Një tjetër ekspert në mbrojtje të natyrës në Divjakë-Karavasta, Taultant Bino nga AOS paralajmëroi se efekti i një megaresorti turistik në Divjakë do të kishte ndikim në 100 për qind të natyrës dhe jo vetëm në zonat që parashikohet ndërtimi.

Bino përshkroi planet e kompanisë ndërtuese Mabetex në Divjakë, duke arsyetuar se bashkë me ndërtimet që arrijnë deri në 20 kate vijnë edhe rrugët ndërlidhëse dhe ndriçimi i vazhdueshëm që do të dëmtojë gjendjen natyrore të parkut aktualisht, i cili gëzohet nga qindra mijëra shpendë dhe gjitarë.

“Aty ku sot mbizotëron natyra, do të mbizotërojë njeriu. S’po flasim për natyrë më, po ndërtojmë një qytet të ri në park,” u shpreh ai, duke e cilësuar projektin si urbanizues në ligatinën më të rëndësishme të Adriatikut Lindor.

Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” është shpallur zonë e mbrojtur në vitin 1964. Ai zë një sipërfaqe prej më shumë se 22 mijë hektarësh dhe përbën një ekosistem unik, i përbërë nga laguna, duna ranore dhe pyje bregdetare me florë dhe faunë të pasur. Në këtë zonë ndodhen pyje me pisha 400-vjeçare, të cilat shërbejnë si një zonë qendrimi për miliona shpendë shtegtarë.

Projekti i kompanisë “Mabetex” në Divjakë përfshin ndërtimin e mbi 2,300 apartamenteve, disa hoteleve, rreth 370 vilave si dhe objekte ndihmëse si një fushë golfi me 12 vrima e pista për ulje-ngritjen e helikopterëve.

Projekti aktualisht po shqyrtohet nga qeveria shqiptare, ndërsa kompania ka aplikuar për statusin e investitorit strategjik.

“Megaresorti do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm deri të pakthyeshëm për faunën që mund të zhduket gradualisht,” tha biologu Olsi Nika nga EcoAlbania, duke shtuar se kundërshtimi i ekspertëve do të vazhdojë në forume të tjera.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet të garantojë mbrojtjen e Parkut Kombëtar Natyror dhe të mos lejojë një investim privat të cenojë integritetin e tij, duke lejuar shndërrim në një qytet të ri turistik,” përfundoi ai.

Të fundit