Flash News

KRYESORE

“Pa fond për emergjencat, s’konfirmoj buxhetet”, prefekti i Lezhës kërcënon bashkitë e qarkut

“Pa fond për emergjencat, s’konfirmoj buxhetet”, prefekti

Nëse nuk do të planifikohen fondet e nevojshme për emergjencat, bashkive të Lezhës, Kurbinit e Mirditës nuk do t’u konfirmohen buxhetet e vitit të ardhshëm nga institucioni i prefektit. Këtë ultimatum e ka lëshuar vetë Prefekti, Eduard Ndreca, në një deklaratë për mediat.

Ai i është referuar situatës problematike me zjarret e kësaj vere në qarkun e Lezhës, për të kërkuar më tepër vëmendje ndaj emergjencave.

Ndreca ka deklaruar se ka mangësi të theksuara të pajisjeve për ndërhyrje në raste të tilla, ndaj edhe duhet që njësitë e qeverisjes vendore dhe ato qëndrore të bëjnë më shumë në plotësimin e mjeteve të nevojshme.

“Natyra na përball me ngjarje të papërballueshme dhe ato urojmë të mos vinë por për këto vatra zjarri që në shumë raste mund të eleminoheshin që të mos shkaktonin këto pasoja që kanë shkaktuar nevojiteshin këto pajisje që duhet ti kishte shërbimi i emergjencave, shërbimi i zjarrëfiksëve këtë periudhë. Unë ju bëj thirrje tre bashkive të qarkut Lezhë që në buxhetet e tyre të 2018 një zë i veçantë të jetë zëri për emergjencat”, tha prefekti Eduard Ndreca.

Vetëm në 3 muajt e stinës së verës, në qarkun e Lezhës janë regjistruar 93 vatra zjarri, disa prej të cilave u fikën vetëm me nisjen e reshjeve të shiut.

Pamundësia në logjistikë dhe infrastrukturë ishin edhe shkaku kryesor i pamundësive për të shuar në kohë të shpejtë zjarret, që sipas prefektit Ndreca në jo pak raste ato ishin të qëllimshme.

Të fundit