Flash News

KRYESORE

“Pacta sunt servanda”/ Prej një muaji Ditmir Bushati nuk flet më për vendimin e Gjykatës Kushtetuese

“Pacta sunt servanda”/ Prej një muaji Ditmir Bushati nuk flet

Javën e ardhshme do të zhvillohet raundi i negociatave në nivel ekspertësh midis Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e zonave detare. Në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se zhvillimet për këtë çështje kanë patur vonesa për shkak të situatës së brendshme politike në Shqipëri.

“Ka patur vonesa për shkak të siuatës së brendshme dhe për shkak të nevojës për një rakordim më të mirë nga ana jonë. Javën tjetër do të jetë raundi i negociatave në nivel të ekspertëve shqiptarë dhe grekë sa i përket marrëveshjes apo tekstit për një marrëveshje për kufizimin e zonave detare. Ndërkohë, puna po vazhdon në të gjitha frontet e tjera. Mendoj se i gjithë procesi i bisedimeve për të gjithë temat që janë në bisedime me Greqinë është futur në hullitë e normalitetit dhe besoj se do të kemi mundësinë që të ecim përpara në adresimin e këtyre temave”, u shpreh Bushati.

I pyetur nga gazetarja për transparencën e negociatave për marrëveshjen e detit, Bushati premtoi komunikim me publikun dhe se e rëndësishme për të, është të arrihet një marrëveshje sa më e drejtë dhe sa më e zbatueshme për të dyja palët.

“Do të vazhdojmë të komunikojmë me opinionin publik pas çdo raundi bisedimesh, pikat ku ka dakordësi dhe qartësi. Nga ana tjëtër, siç dihet në çdo proces negociimi apo diskutimi, jo çdo gjë që ka të bëjë me taktikat dhe opsionet e diskutimit, me skicimin e rrugëzgjidhjeve të ndryshme mund t’i komunikohen opinionit publik. Kjo është një çështje shumë delikate. E kemi thënë në mënyrë shumë të shkoqur se është e rëndësishme për ne që të kemi një marrëveshje sa më të drejtë e sa më të mirë, sa më të zbatueshme për të dyja palët. Shqiptarët dhe grekët janë dy prej popujve më të vjetër të Europës juglindore dhe ka shumë gjëra që na shkojnë me njëri tjetrin më shumë se ç’mund të na ndajnë”, tha Bushati.

Që prej një muaji, kjo ishte intervista e parë ku Bushati pyetej për ecurinë e negociatave për detin, por çuditërisht ministri nuk iu referua vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2009, si një kufizim i qeverisë shqiptare për të arritur një marrëveshje.

Hera e fundit kur Bushati ka folur për domosdoshmërinë e respektimit të vendimit të 2009-ës ka qenë intervista e 20 marsit në Bruksel për RTSH-në.

“Jemi shumë të vendosur për të shkuar drejt një marrëveshje sa më të drejtë, sa më të ndershme për të mos përsëritur asnjë nga gabimet e 2009, dhe natyrisht për të respektuar normat ndërkombëtare, të aplikueshme dhe detyrueshme për Shqipërinë dhe Greqinë, vendimmarrjen e gjykatës Kushtetuese, e cila ofron një blueprint për atë se çfarë nuk duhet të bëjmë, duke pasur parasysh praktikën e hidhur të 2009, legjislacionin e brendshëm shqiptar, dhe ne besojmë dhe jemi të motivuar për të shkuar drejt një marrëveshje e cila do të jetë një marrëveshje e drejtë, e ndershme, më e mirë nuk diskutohet se marrëveshja e 2009, dhe në fund të ditës, urojmë që të kemi një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme, sepse siç vërteton praktika, është e rëndësishme që përmes një procesi të ndershëm të shkojmë drejt një marrëveshje që është e zbatueshme për të dyja palët, dhe të dyja palët duhet të dalin nga ky proces me ndjesinë që kanë negociuar një marrëveshje të drejtë për ta”, ka deklaruar Bushati një muaj më parë.

Ndërkohë, një javë më parë ishte Ministria e Jashtme e Greqisë që foli për respektimin e parimit të “pacta sunt servanda”, që i referohet kontratave apo marrëveshjeve private që arrihen midis liderëve të shteteve të ndryshëm. Ndonëse në deklaratën e Greqisë nuk saktësohej se për cilën çështje ishte arritur kjo marrëveshje, dyshimet janë se lidhet me çështjen e detit, por Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk ka reaguar për të sqaruar këtë situatë.

Shënim/ Taktika e suksesshme diplomatike e Tiranës po mbulohet për të mos konfirmuar dhuratën e Ramës për Bregun

Të fundit