Flash News

KRYESORE

Pakti me “Opozitën e re”, Rama pranoi se ndryshimet kushtetuese prekin marrëveshjen e 5 qershorit të ndërmjetësuar në tokën e SHBA

Pakti me “Opozitën e re”, Rama pranoi se ndryshimet kushtetuese

Dje, mazhoranca dhe tre grupet parlamentare opozitare firmosën marrëveshjen për reformën zgjedhore.

Në këtë pakt, palët ranë dakord për pikat si më poshtë:

Miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit në datë 23 Korrik në Parlament.

Miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë për lista të hapura, por që ndalojnë koalicionet parazgjedhore në datë 30 Korrik në Parlament.

Vijimin e dialogut më opozitën jashtëparlamentare për dakordësi në reflektimin në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve Kushtetuese në pikën 2.

Të miratojnë Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR përpara konferencës së parë ndërqeveritare me BE-ne.

Kështu, sipas këtij pakti të firmosur pasditen e së martës ‘live’, palët bien dakord që në seancën parlamentare të 23 korrikut të votohet marrëveshja e 5 qershorit mes PS, PD, LSI dhe opozitës parlamentare, të ndërmjetësuar nga ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë së Madh.

Po ashtu, palët firmosën edhe për ndryshimet kushtetuese që sanksionojnë lista të hapura dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore të aplikuara deri tani, duke u miratuar në Kuvend më 30 korrik, pra në mbyllje të sesionit parlamentar.

Ajo që bie në sy është se pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Edi Rama pranon për herë të parë se ndryshimet kushtetuese prekin 5 qershorin, një element që e ka mohuar vazhdimisht në daljet publike dhe në përgjigje të opozitës jashtëparlamentare.

Jam i kënaqur nga marrëveshja, kemi përcaktuar datat për 5 qershorin më 23 korrik dhe kemi arritur dakordësinë për të votuar më 30 korrik të hapen listat dhe t'i japim mundësinë shqiptarëve  të zgjedhin atë që duan, por dhe të vazhdojmë procesin gjithëpërfshirës së bashku me opozitën jashtëparlamentare ku do ishte mirë të mblidhej Këshilli Politik. Dje hapën një debat politik sot  duhet të diskutojmë konkretisht pasi opozita kërkonte datën e saktë kur do të votohet 5 qershori dhe ajo është 23 korriku dhe nga ana tjetër kemi nevojë të bashkëpunojmë dhe ndërveprojmë edhe për mënyrën e reflektimit në ligjin zgjedhor ndryshimet kushtetuese që do sjellë 30 qershori", tha Rama.

Ky fakt, mbështetet edhe nga një prej pikave të marrëveshjes së djeshme ku thotë se “Do të vijojhë dialogu me opozitën jashtëparlamentare për dakordësi në reflektimin në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve Kushtetuese në pikën 2”.

Ndërkohë, opozita e bashkuar reagoi mbrëmë  pas paktit PS-opozitë parlamentare duke e cilësuar atë si një lojë tinëzare dhe dinake që po bën Rama.

Nga ana tjetër, ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve votoi me 3 vota kundër të opozitës parlamentare, nen për nen dhe në tërësi ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kishte dakortësuar me Partinë Demokratike dhe LSI-në, sipas marrëveshjes së 5 qershorit.

Të fundit