Flash News

KRYESORE

Pampuri: Jemi të vetmit në Ballkan që varfërohemi çdo ditë, 31 % e shqiptarëve nuk kanë as bukë

Pampuri: Jemi të vetmit në Ballkan që varfërohemi çdo

Në një deklaratë për mediat, ish deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, tha se Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, qytetarët e të cilit vazhdojnë të varfërohen në mënyrë të pandalshme.

Duke ju referuar anketimit të Barometrit të Ballkanit, Pampuri theksoi se gjendja e ekonomisë në familjet shqiptare po përkeqësohet nga viti në vit dhe se 1/3 e shqiptarëve nuk mund të mbyllin dot muajin. Thënë ndryshe, 31 përqind e familjeve në Shqipëri nuk sigurojnë dot bukën e përditshme, veshjet dhe nevojat bazë.

Ajo tha se shkaku për këtë është keq qeverisja e kryeministrit Edi Rama, pasi, sipas saj, asnjë nga vendet e tjera në rajon nuk ka këtë nivel skamjeje, e cila për Shqipërinë është gati dy herë më e lartë se mesatarja e rajonit.

“Çfarë e bën edhe më të rëndë gjendjen është përkeqësimi i ekonomisë familjare dhe rritja e frikshme e numrit të familjeve që nuk përballojnë dot nevojat bazë për jetën. Treguesi i rritjes së varfërisë dhe skamjes është simboli i qeverisë së Edi Ramës. Brenda 12 muajsh ata që nuk kanë bukë të hanë apo të sigurojnë veshje për fëmijët e tyre është rritur me 6 përqind. Mbi 65 përqind e familjeve shqiptare nuk kanë të ardhura për të përballuar as dhe një javë pushime”, tha Pampuri.

Ajo e vuri theksin tek pesë problemet kryesore të Shqipërisë ku, sipas saj, Rama ka dështuar plotësisht.

“Anketa e Barometrit të Ballkanit nxjerr në pah se problemet kryesore të shoqërisë shqiptare janë papunësia, situata e keqe ekonomike, korrupsioni, krimi dhe emigracioni. Këto janë 5 fusha ku qeveria e Edi Ramës ka dështuar plotësisht”, tha ndër të tjera ish deputetja e PD-së.

Pampuri shtoi se kjo është situata që Rama ka sjellë në Shqipëri pas 6 vitesh pushtet, duke varfëruar vendin dhe pasuruar një grup të vogël njerëzish. Ajo u shpreh se kjo ka qenë edhe arsyeja përse shqiptarët nuk dolën në votime me 30 qershor, dha ka bërë thirrje që në protestën e dhjetë kombëtare që do të zhvillohet sonte në orën 20.00, të dalin për t’i thënë jo kësaj qeverisje.

“Të jemi të gjithë bashkë në orën 20.00 në Tiranë, bashkë me familjet tona në rrugëtimin tonë plot shpresë për Shqipërinë e mundësive, për #Shqipërinë si Europa.”

Të fundit