Flash News

KRYESORE

Pandeli Majko: Në shkollat e Nju Jorkut do mësohet gjuha shqipe; gati Agjencia Kombëtare e Diasporës

Pandeli Majko: Në shkollat e Nju Jorkut do mësohet gjuha shqipe; gati

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, tha se institucioni që ai drejton përpiqet për organizimin e diasporës, por pa iu imponuar komunitetit të shqiptarëve jashtë vendit. Ai tha se pavarësisht se pjesëtarët e diasporës kanë pikëpamje të ndryshme politike, synohet që të nxiten veprime në ndihmë të interesave të komunitetit. "Qëllimi im - tha ai, - është që ta ndihmojmë diasporën për ruajtjen e identitetit, edukimin e fëmijëve dhe mësimin e gjuhës shqipe."

Majko deklaroi se në Nju Jork, falë interesimit të pushtetit lokal dhe lobingut të diasporës, në shkolla do të hyjë mësimi i dy-gjuhësisë: gjuha shqipe do të mësohet krahas me anglishten dhe se ka shpresa që ky shërbim të hyjë edhe në shtete të tjera amerikane.

Ministri Majko u shpreh se në Shtetet e Bashkuara kanë filluar të ngrihen qendra kulturore të shqiptarëve, falë kontributit financiar të diasporës, por shtoi se në këto projekte do të kontribuojnë edhe qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës. Ai tha se ngritja e këtyre qendrave do të vazhdojë, sipas modelit të qendrës së ngritur nga biznesmeni Richard Lukaj në Nju Jork.

Ministri shqiptar i diasporës njoftoi se në Shqipëri qeveria ka miratuar së fundi ligjin për Agjencinë Kombëtare të Diasporës, që do të jetë një agjenci në funksion të interesave të diasporës. Ligj pritet t’i kalojë së shpejti Parlamentit.

Pytjes për kërkesën e diasporës për të votuar në zgjedhjet e Shqipërisë, ai ju përgjigj se institucioni që ai drejton po bashkëpunon me Komisionin e Venecias, me OSBE-në dhe me shoqërinë civile për realizimin e kësaj dëshire të diasporës.

Të fundit