Flash News

KRYESORE

Pandemia e Covid-19, mjekët e familjes në Shqipëri konfuzë për angazhimin me pacientët

Pandemia e Covid-19, mjekët e familjes në Shqipëri konfuzë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu më 6 prill dha lajmin se mjekët e familjes do të angazhohen në mbështetje të pacientëve të prekur nga  COVID-19.

“Kjo është një luftë dhe të gjitha batalionet duhet të jenë në të njëjtën vijë të luftës,” tha ministrja nga qendra shëndetësore nr.5 në Tiranë, duke shtuar se mjekët e familjes do të ndiqnin të gjitha rastet me COVID-19 që janë në kushte shtëpie.

Një vëzhgim i organizatës jo-fitimprurëse “Together for Life” tregon se armata e mjekëve të familjes nuk është e pajisur në mënyrën e duhur me mjete mbrojtëse për të përballuar këtë situatë, ndërkohë që ata janë të painformuar dhe konfuzë për pacientët që po trajtohen në kushte shtëpie, raporton BIRN.

“Mjekët e shërbimit parësor, veçanërisht nëpër rrethe raportojnë mangësi në sigurimin e masave minimale të mbrojtjes. Mjekët e familjes kanë mungesa në doreza apo maska kirurgjikale, pasi këto janë të vetmet elementë mbrojtës që u janë dhënë,” tha Eglantina Bardhi, drejtore ekszekutive e “Together for Life”.

Shqipëria zë vendin e fundit në rajon përsa i përket raportit të mjekëve me numrin e banorëve. Në total në Shqipëri llogariten 1600 mjekë familjeje dhe 350 mjekë specialist.

Një mjek familjeje mbulon mesatarisht 1700 banorë.

Bardhi shton se për t’u përfshirë në betejë, mjekët e familjes duhet të informohen dhe të trajnohen për të trajtuar pacientë me COVID-19.

“Një tjetër shqetësim, që shpresojmë të qartësohet shpejt është se mjekët ndjehen konfuzë sesi do të funksionojë angazhimi i tyre. Në komunikimet me ta, janë shprehur se nuk u ka ardhur një listë me emrat e pacientëve të konfirmuar me COVID-19, por që trajtohen në kushte shtëpie,” tha Bardhi për BIRN.

Pra, ata nuk janë të orientuar për mënyrën se si do të identifikohen pacientët e konfirmuar me COVID-19, që janë me simptoma të lehta,” shtoi ajo.

Që prej fillimit të marsit, mbi 40 mjekë dhe infermierë janë infektuar me COVID-19 në Shqipëri, por fatmirësisht më shumë se gjysma e tyre rezultojnë të shëruar.

BIRN

Të fundit