Flash News

KRYESORE

Panë “El Classico-n” me lekët e biznesmenit, Apeli "shpëton" nga burgu tre gjyqtarët

Panë “El Classico-n” me lekët e biznesmenit, Apeli

Gjykata e Posaçme e Apelit ka shpallur vendimin për dy gjyqtarët e Durrësit, Klinton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, si dhe për ish-gjyqtarin e Durrësit të shkarkuar nga vettingu, Petrit Çenon.

Apeli i ka gjetur fajtor ata për akuzën e korrupsionit, por ka vendosur t'i dënojë në dënim me kusht që konvertohet në shërbim prove për katër vite.

Shërbim prove është vendosur edhe për biznesmenin Namik Sadik, i akuzuar për korrupsion Aktiv.

Sipas akuzës, Namik Sadik kishte sponsorizuar udhëtime jashtë vendit për gjyqtarët Spahiu, Dhimitri dhe Çenon, teksa biznesmeni durrsak ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej nga ata. Organi i akuzës radhiti si prova udhëtimet në të njëjtën kohë të tre gjyqtarëve me biznesmenin në Itali dhe Spanjë. Në bazë të hetimeve, gjyqtarët kanë udhëtuar për të ndjekur ndeshjen mes Real Madridit dhe Barcelonës në tetor të vitit 2014.

Ish-gjykata e krimeve të Rënda i dënoi gjyqtarët me nga 3 vite burg secili, por për shkak të gjykimit të shkurtuar atyre iu ul 1/3 e dënimit. Ish-Gjykata e Krimeve të Rënda gjithashtu dha dënim plotësues për gjyqtarët, sipas të cilit, ata nuk mund të ushtronin funksione publike për 3 vite.

Të fundit