Flash News

KRYESORE

Parada që shqetësoi Ballkanin; Ministri grek në Nish: Kosovën nuk e njohim

Parada që shqetësoi Ballkanin; Ministri grek në Nish:

Greqia ishte ndër vendet e pakta që u përfaqësua në paradën ushtarake të organizuar në Nish të Serbisë, në kuadër të përkujtimit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ministri grek i Mbrojtjes, Evangelos Apostolakis, ishte i pranishëm në ceremoni, ashtu si edhe Milorad Dodik, lideri radikal i Bosnje-Hercegovinës.

Në takimin që zhvilloi me homologun serb, Aleksandar Vulin, Apostolakis ka përshëndetur përpjekjet e presidentit Aleksandar Vuçiç për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes serbe, ministri  Apostolakis ka konfirmuar se Greqia e mbështet integritetin territorial të Serbisë, pra nuk do e njoh pavarësinë e Kosovës, raporton Politiko.al.

Ndërkohë, Vulin ka folur në takimin me homologun grek për rrezikun që, sipas tij, i kanoset Serbisë dhe të gjithë rajonit nga krijimi i të ashtuquajturës “Shqipëri e madhe”.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë raportohet për pjesëmarrjen e Evangelos Apostolakis në paradën e Nishit dhe për takimin me Vulin, por nuk është përfshirë diskutimi për Kosovën dhe “Shqipërinë e madhe”.

Kjo paradë ka shkaktuar shqetësime të shumta në rajon dhe veçanërisht në Prishtinë, liderët e së cilës akuzojnë Beogradin se me armët e blera në Rusi po përpiqet të destabilizojë dhe të kërcënojë rajonin.

Sa i përket Greqisë, ajo është ndër pesë shtetet e vetme të Bashkimit Evropian, së bashku me Rumaninë, Qipron, Sllovakinë dhe Spanjën, që nuk e ka pranuar ende pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Të fundit