Flash News

KRYESORE

Paralajmërimi i “BNE”: Rritja e temperaturave me 0.5°C zhyt Durrësin dhe Vlorën nën ujë, autoritetet të ndërhyjnë

Revista ‘Business New Europe’, duke iu referuar një harte të publikuar nga ‘Climate Central’, organizatë e pavarur shkencëtarësh, ka publikuar një artikull për rrezikun që i kanoset vendit tonë nga rritja e temperaturave dhe shkrirjes së akujve në polet globit.

Bazuar në punën e shkencëtarëve, Shqipëria e ka të pamundur t’i shmanget pasojave të rritjes së nivelit të detit, pavarësisht punës që po bëhet pas Marrëveshjes për Klimën. Mjafton rritja e temperaturës së globit me 0.5°C, që deti Adriatik dhe Jon të fitojnë terren në pjesën perëndimore të vendit. Kjo rritje është e pashmangshme pasi autorët e Marrëveshjes së Klimës, firmëtare e së cilës është edhe Shqipëria, janë zotuar të kufizojnë rritjen e temperaturës në më pak se 2°C deri në fund të këtij shekulli.

Me rritjen 0.5°C, një pjesë e konsiderueshme e qytetit të Durrësit do të zhytej në ujë, përfshirë edhe portin, i cili është më i madhi në Shqipëri. Gjithashtu, Kepi i Bishtit të Pallës do të shndërrohej në ishull, duke ndryshuar përfundimisht relievin e zonës.

Pasojat do të ishin të mëdha edhe për Vlorën, me ujin që do mbulonte Xhaminë e Muradies dhe qendrën e qytetit. Sa i përket Sarandës, qyteti i vogël në jug të vendit do të prekej më pak në rritja e nivelit të ujit, megjithatë, shumë nga plazhet ekzistuese do të zhdukeshin.

Ky parashikim ishte për rritjen e temperaturës së globit me 0.5°C deri në fund të shekullit, ngjarje që është e pashmangshme, por nëse rritja është në 2°C, aq sa parashikohet që të mbahet nga Marrëveshja e Klimës, atëherë fati për Durrësin dhe Vlorën do të jetë tragjik, ndaj shkencëtarët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve shqiptare. I gjithë bregu perëndimor i vendit, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Divjakën, Fierin, Himarën dhe Butrintin do të pushtoheshin nga uji.

Vlerësimet e shkencëtarëve janë se rritja e temperaturave po ndodh me ritëm të shpejtë, e deri në fund të shekullit mendohet se globi do të ngrohet me 1 deri në 4°C, ndaj u arrit deri në Marrëveshjen e Klimës, e cila është kundërshtuar vetëm nga SHBA dhe Siria.

HARTA e Climate Central

Të fundit