Flash News

KRYESORE

Paralajmërimi i Bashës për goditjen e ‘PPP’-ve, Rama dhe Ahmetaj dyfishojnë me shpejtësi pagesat për koncesionet deri në 2021-n

Paralajmërimi i Bashës për goditjen e ‘PPP’-ve, Rama

Opozita shqiptare ka paralajmëruar se do të anulojë projektet e Partneritetit Publik-Privat që janë dhënë nga Qeveria e Edi Ramës, sapo të vijë në pushtet. Për opozitën, këto projekte janë tërësisht korruptive dhe do dëmtojnë ekonominë shqiptare.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu referuar projektit që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjen e gjashtë kullave, deklaroi se “çdo veprim i Fusha shpk dhe çdo entitet tjetër do të jetë subjekt i një ligji të amenduar antimafia.”

“Në bazë të ligjit do ju sekuestrojmë çdo metër katror dhe qindarkë euro”, theksoi Basha.

Përballë këtyre paralajmërimeve, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, kanë vendosur të dyfishojnë deri në vitin 2021 pagesat buxhetore ndaj kompanive që janë në kontrata ‘PPP’ me qeverinë.

‘Monitor’ raporton se, sipas projektbuxhetit afatmesëm 2019-2021, pagesat për koncensionet do të rriten me shpejtësi gjatë tre viteve në vijim për të arritur në mbi 18 miliardë lekë (140 mln euro) në vitin 2021, nga 9.4 miliardë lekë që janë parashikuar të akordohen këtë vit.

Viti 2021 është viti i fundit i mandatit të dytë të Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë.

11 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP) janë aktualisht në fuqi dhe gjatë 2018-ës janë parashikuar që të lidhen edhe katër kontrata të reja nga Ministria Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë.

Bazuar në projektin “1 miliard”, kryeministri Rama ka dhënë miratimin për ndërtimin e gjashtë segmenteve rrugore, një spitali rajonal në Fier dhe rreth pesë shkollave në Tiranë, të gjitha me modelin ‘PPP’. Por sipas ekspertëve këto projekte ‘PPP’ rrezikojnë të minojnë stabilitetin fiskal të vendit në afat gjatë, ndërkohë që precedentët negativë në të shkuarën nuk mungojnë.

Të fundit