Flash News

KRYESORE

Paralajmërimi i parë nga SHBA: Rama të distancohet nga Turqia, Erdogan kontrollon qeverinë e tij të korruptuar

Paralajmërimi i parë nga SHBA: Rama të distancohet nga Turqia,

Një profesor i Universitetit të Nju Jorkut, paralajmëron Shqipërinë dhe Kosovën për rrezikun e ndikimit turk dhe thotë se është e qartë se objektivi i Rexhep Tayyip Erdoganit është të zgjerojë kontrollin e tij në Ballkan. Alon Ben-Meir, një studiues në Qendrën për Çështje Globale të këtij Universitetit tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se udhëheqësit e Shqipërisë e kanë akomoduar Turqinë për shkak të interesave reciproke dhe se ata duhet të distancohen nëse duan të afrohen me BE-në.

“Shqipëria ka popullsi mbi 50 për qind myslimane dhe ai (Erdogan) ndjehet shumë komod të përpiqet të imponojë programin e tij islamik dhe ai po e bën këtë në disa mënyra, për shembull me investime. Ai po investon shumë në infrastrukturën shqiptare, duke ndërtuar dhjetra xhami. Në fakt ai po ndërton tani xhaminë më të madhe në gjithë Ballkanin. Ai kontrollon bankat më të mëdha. Turkish (Airlines) po ndërton aeroportin më të madh. Ajo që ai po përpiqet të bëjë është që përmes investimeve dhe nxitjes së programit islamik, nën maskën e shkëmbimeve kulturore, ai po depërton në Shqipëri, sepse me mendjen e tij kjo është një nga mënyrat se si ai mund ta zgjerojë orbitën e tij në gjithë Ballkanin dhe siç thashë më parë me një program të qartë, për t’i afruar më shumë këto vende me Turqinë, duke i larguar nga Bashkimi Evropian, veçanërisht tani që Shqipëria është në vijën e parë në përpjkjet për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ai nuk do që kjo të ndodhë, veçanërisht sepse vetë Turqia nuk është më një kandidate e mundshme për t’u futur në Bashkimin Evropian”, pohoi ai.

I pyetur nga gazetarja Keida Kostreci se a kërcënon sovranitetin e shtetit shqiptar afrimi i mëtejshëm me Turqinë dhe cilat janë interesat e presidentit Ergogan, ai sqaroi: “Mendoj se udhëheqësit e Shqipërisë, janë të nënshtruar dhe Erdogani është shumë i zoti për të shfrytëzuar çdo lloj dobësie. Ky është njëri element. Elementi tjetër është se ka shumë korrupsion brenda qeverisë vetë dhe në këtë drejtim, tratativat me Turqinë për të përfituar favore nga qeveria turke dhe Erdogani vetë, është diçka që atij i pëlqen dhe që do të donte ta shihte të zgjerohej. Kështuqë ajo që shohim këtu është një reciprocitet interesash mes të dyja palëve dhe mua me duket se tani bëhet fjalë për një axhendë afatgjatë”.

Në fund, Ben-Meir shtoi se Turqia ka depërtuar kaq shumë në zhvillimin ekonomik, në sektorin financiar, në arsim, në ndërtim shkollash dhe ndikon direkt dhe indirekt në politikat e brendshme.

Të fundit