Flash News

KRYESORE

Paralajmërimi i kryeministrit të Bullgarisë: Nëse Ballkani Perëndimor nuk drejtohet për në BE, pasojat do jenë serioze

Paralajmërimi i kryeministrit të Bullgarisë: Nëse Ballkani

Nëse Ballkani Perëndimor nuk merr tani një perspektivë të qartë, atëherë kjo do të ketë pasoja serioze për Bashkimin Europian, deklaroi kryeministri bullgar, Bojko Borisov, në një intervistë për parliamentmagazine.eu.

”Ballkani ka qenë gjithmonë pjesë e Europës, ne ndajmë të njëjtën kulturë dhe të njëjtat vlera. Ja pse është e rëndësishme që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një perspektivë të qartë për t’iu bashkuar unionit”, theksoi ai.

”Prej një kohe të gjatë Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia ishin jashtë axhendës së BE-së. Ato janë tani prioritet i presidencës bullgare. Ne kemi inkurajuar çdonjërin nga këto vende”, shtoi ai.

”Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për sigurinë e të gjithë Bashkimit Europian. Askujt nuk i intereson që të ketë boshllëqe në hartën e Europës. Jam shumë i lumtur që, në pak muaj, kolegët e mi në të gjithë BE-në e kuptuan se sa e rëndësishme është kjo çështje”, shton kryeministri bullgar.

”Nëse popujt e Ballkanit Perëndimor nuk marrin tani një perspektivë të qartë europiane, kjo do të kishte pasoja serioze për të gjithë unionin. Më besoni, nuk do të krijohej vakuum në rajon, pasi ka forca të tjera gjeopolitike që mund të ndërhyjnë atje shumë shpejt”, theksoi Borisov.

”Këto gjashtë vende kanë nga popullsitë më të reja në Europë dhe disa prej tyre kanë një shkallë të lartë papunësie te të rinjtë, që shkon deri në 65%. Kur një i ri është i papunë, ai ka pak mundësi për të siguruar një të ardhme të mirë, pa përmendur emigracionin. Këta të rinj janë lehtësisht vulnerabël ndaj influencave të huaja”, thotë ai.

”Ne nuk mund të lejojmë që Ballkani Perëndimor të vazhdojë të jetë burim destabiliteti”, theksoi kryeministri bullgar, Bojko Borisov.

Të fundit