Flash News

KRYESORE

Parashikimi i 2019-ës; viti nis me protesta, “fati” i Tahirit dhe zgjedhjet e 30 qershorit

Fakti që në 30 qershor do të mbahen zgjedhjet vendore, e bëjnë 2019-ën një vit thuajse politik duke pasur parasysh kohëzgjatjen e atmosferës zgjedhore në Shqipëri. Por krahas tyre, 2019-ta do të jetë përcaktuese edhe për një sërë zhvillimesh të tjera.

Viti nis me protesta

Studentët kanë njoftuar se do të zbresin sërish në rrugë për të kërkuar plotësimin e tetë kërkesave të tyre. Dy javët e protestave u ndërprenë për shkak të festave të fundvitit, por siç janë shprehur vetë studentët në janar do të mblidhen sërish për të protestuar. Ata vijojë të refuzojnë dialogun me kryeministrin, duke mos hequr dorë nga plotësimi fillimisht e tetë kërkesave.

“Fati” Tahirit

Në janar pritet të “vuloset” fati i Saimir Tahirit sa i takon akuzave ndaj tij. Në datën 15 janar përfundon afati i kërkuar nga Prokuroria për zgjatjen e hetimeve dhe me gjasë organi i akuzës do të marrë vendimin nëse do ta dërgojë për gjykim ish-ministrin e Brendshëm apo çështja do të mbyllet. Në Itali, prokuroria e Katanias kërkoi burg për të arrestuarit e të ashtuquajturës “Dosja Habilaj”, përfshi edhe Moisi Habilajn, i cilësuar si kreu i grupit që merrej me trafikun e drogës.

“Dora e fundit” e drejtësisë

Në muajt e parë të 2019-ës, pritet që vendi të ketë një prokuror të Përgjithshëm me “kohë të plotë” dhe jo më të përkohshëm. Ngritja e KLP-së do të bëjë të mundur edhe zgjedhjen e drejtuesit të ri të organit të akuzës. Po kështu, gjatë 2019-ës pritet të ngrihen edhe dy strukturat e reja të drejtësisë, SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Sa i takon procesit të vettingut ai pritet të vijojë edhe përgjatë 2019-ës, ndërsa konstituimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pritet t’i hap rrugë plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Kreu i ri i KLSH-së

Vitore Tusha, emri i propozuar nga Presidenti për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk gjeti mbështetjen e mazhorancës. Tashmë pritet që kreu i shtetit të propozojë një tjetër emër për drejtimin e institucionit që kontrollon qeverisjen. Nuk përjashtohet as mundësia që emri i ri i drejtuesit të KLSH-së të kthehet edhe në betejën e radhës së përplasjes mes institucionit të Presidentit dhe mazhorancës.

Zgjedhjet e 30 qershorit

Në 30 qershor, Bashkitë e vendit do të mësojë emrat e drejtuesve të rinj. Në ndryshim nga katër vite më parë, palët do të zbresin në betejë me formacione të ndryshme. Nga një anë është Partia Demokratike e cila këtë radhë do të ketë në krah LSI-në dhe PDIU-në, dy parti të cilat në zgjedhjet e kaluara lokale ishin në krah të socialistëve. Nga ana e tyre, këta të fundit duket se do të jenë të vetëm sa i takon partnerëve në koalicion.

Pilotimi i teknologjisë në zgjedhje

Përtej përplasjeve politike, gjatë 2018-ës, shumica dhe opozita kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa i takon futjes së teknologjisë në zgjedhje. Në zgjedhjet vendore, palët kanë rënë dakord që në disa prej bashkive të vendit të pilotohet identifikimi elektronik i zgjedhësve. Nuk dihet ende se cilat janë bashkitë e përzgjedhura ndërkohë është folur edhe për testimin e depolitizimit të komisioneve zgjedhore. Por e gjitha mbetet për t’u parë.

Teatri dhe Unaza e Madhe

Protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar është një nga protestat më të zgjatura në Shqipëri. Aktorë dhe qytetarë të shumtë prej muajsh kanë protestuar kundër shembjes së godinës së teatrit. Protesta e detyroi qeverinë të bënte një tërheqje duke hapur tenderin, por gjatë 2019-ës do të shihet nëse kjo ishte një tërheqje për procedurë apo një tërheqje përfundimtare nga projekti. Po kështu edhe tek Unaza e Re. Me protestat e përditshme banorët kanë shprehur vendosmërinë se nuk do të lejojë shembjen e banesave. Zbardhja e skandalit me firmën e cila kishte fituar tenderin për lotin e parë e detyroi ARRSH-në të rihapte tenderin por mbetet për t’u parë nëse projekti do të zbatohet apo jo.

Protestat e opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar disa herë se beteja e opozitës do të jetë një ndërthurje mes betejës parlamentare dhe protestave. Pikërisht këto të fundit pritet të jenë më të shpeshta gjatë 2019-ës edhe pse gjysma e vitit duket se do të jetë e fokusuar tek fushata elektorale dhe më pas zgjedhjet vendore.

Ndryshimet në qeveri

Emërimi dhe shkarkimi është një kompetencë e kryeministrit dhe duke qenë në dorën e një njeriu ato mund të vijnë në çdo moment. 2018-ta “mori” pjesën më të madhe të kabinetit të Ramës. Në 28 dhjetor, kreu i qeverisë shkarkoi 7 ministra dhe zëvendëskryeministren, ndërkohë që më herët ishte larguar Fatmir Xhafaj. Në Asamblenë e PS-së Rama u la afat gjashtë mujor dy ministrave për të ndryshuar performancën duke lënë shteg të kuptohet se edhe 2019-ta do të jetë një vit që mund të sjellë “lajme” sa i takon lëvizjeve në kabinet. Lëvizja të cilat do të kushtëzohen, me gjasë, edhe nga rezultati i zgjedhjeve.

 

 

Të fundit