Flash News

KRYESORE

Parlamenti gjatë pandemisë, ISP: Ka patur 10 raste kur u shkel etika, Rama fyeu një deputete por s’u penalizua si të tjerët

Parlamenti gjatë pandemisë, ISP: Ka patur 10 raste kur u shkel etika,

Instituti i Studimeve Politike ka publikuar një raport mbi aktivitetin e sesionit parlamentar janar – korrik 2020, i zhvilluar në shumicën e periudhës nën gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të tërmetit (2019) dhe sidomos pandemisë COVID-19.

Gjatë kësaj periudhë nuk munguan edhe momentet e tensionet, e për pasojë disa deputetet u penalizuan për shkelje të etikës.

Sipas ISP, gjatë sesionit parlamentar janar-korrik, zyrtarisht një deputet u penalizua për shkelje të Kodit të Etikës (Ralf Gjoni) dhe një tjetër deputet u paralajmërua disa herë për shkelje të njëjta (Kujtim Gjuzi). “Në fakt ka pasur disa raste të tjera, të përsëritura nga këta deputetë dhe shumë deputetë të tjerë, të cilat kanë qenë më problematike dhe që mund e duhej të ishin konsideruar sipas praktikave disiplinore të Rregullores.

Në disa raste edhe kryeministri Rama përdori gjuhë fyese e denigruese ndaj deputetëve, përfshirë një deputeteje grua në parlament.

Ndaj tij nuk pati as tërheqje të vëmendjes dhe as reagim kritik nga Kuvendi, ndërkohë që ndaj çdo deputeti që reagonte në raste të tilla nga salla në formë proteste, kishte paralajmërime për marrje masash disiplinore.

Në ligjërimin parlamentar ka pasur së paku 10 raste kur deputetët kanë përdorur fjalor denigrues, diskriminues dhe jashtë çdo norme etike komunikimi. Ka pasur edhe raste të fjalorit skandaloz në diskutime, që kanë bërë headline në media duke sjellë me të drejtë, reagime kritike masive nga publiku. Edhe në raste të tilla reagimi i drejtuesve të seancave ka qenë paralajmërues, ndërkohë që nuk kemi pasur distancim nga grupet parlamentare ose vlerësim tjetër nga sekretariati përgjegjës.

Kodi i Sjelljes pritej të kishte impakt pozitiv në ligjërimin parlamentar, pritej gjithashtu të ndikonte edhe në reagimin më etik dhe institucional të grupeve parlamentare ndaj rasteve të shkeljeve.

Në seancat plenare të debatit të ashpër politik ka ndodhur, sidomos në të kaluarën, të ketë pasur tejkalime të normave etike dhe ligjërim denigrues e të personalizuar, por në kushtet e parlamentit aktual, ku mungon përplasja reale politike, prania e gjuhës denigruese dhe fyese paraqet një nivel kritik të përfaqësimit dhe të raportit të politikanëve të caktuar me përgjegjësinë publike”, shkruan ISP në raportin e fundit.

Të fundit