Flash News

KRYESORE

Pas ankesave nga Britania e Madhe, Policia e Shtetit godet grupin që çonte njerëz drejt Anglisë

Me dokumente të falsifikuara ata trafikonin njerëz drejt Britanisë së Madhe. Shqiptarët pa dokumente, të cilët në shumicën e rasteve shfrytëzohen nga bandat në Mbretërinë e Bashkuar janë kthyer në shqetësim të madh për autoritetet vendase, të cilat nga dita në ditë po i kushtojnë vëmendjen krimeve me autorë të parët.

Në burgjet britanike, 1 në 10 të burgosur është nga Shqipëria, ndërsa mediat akuzojnë se bandat shqiptare kontrollojnë tregun kokainës në vend. Bandat përfitojnë nga shqiptarët, të cilët futen në mënyrën klandestine në ishull,e pastaj rekrutohen.

Ditën e sotme, Policia e Shteti, finalizoi operacionin “Departure”, ku në pranga ra organizatori i grupit, i cili siguronte karta italiane të falsifikuara dhe kundrejt shumave të konsiderueshme në euro, siguronte kalimin për në vendet e BE-së, me destinacion final Anglinë.

U arrestuan edhe 3 shtetas të tjerë për falsifikim të dokumenteve, që i kishte marrë përsipër organizatori i grupit. Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale u kapën nga Policia Kufitare me dokumente italiane të falsifikuara dhe konkretisht karta identiteti dhe karta shëndeti, të cilat do t’i përdornin pasi të kalonin kufirin nga Shqipëria në drejtim të BE-së, për të hyrë më pas ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Policia njoftoi se specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

“I. B., 29 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Itali, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’ (organizator);

A.C.,19 vjeç, banues në Koplik, Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’, (këtij shtetasi iu gjetën në çantë kartat e identitetit italiane dhe kartat e shëndetit italiane të falsifikuara);

  1. L., 25 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’;
  2. A., 30 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’.”

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 karta identiteti italiane dhe 5 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara, 4 aparate celulare, 3 pasaporta shqiptare, 1 pasaportë italiane, 1 leje drejtimi italiane, 4 Boarding Pass me destinacion Tiranë – Lubjanë, 4 Boarding Pass me destinacion Lubjanë – Paris.

Sipas hetuesve, operacioni vijon në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Të fundit