Flash News

KRYESORE

Pas denoncimit të PD për skandalin në shkolla, tërhiqet Lindita Nikolla

Pas denoncimit të PD për skandalin në shkolla, tërhiqet

Pas denoncimit të Partisë Demokratike, përmes deputetes së PD, Albana Vokshi se ministria e Arsimit u kërkon nxënësve në shkolla të dhënat personale të prindërve të tyre, përfshirë edhe ID, MASR ka tërhequr menjëherë kërkesën.

Urdhrin e Ministrisë së Arsimit, Partia Demokratike e konsideroi skandaloze pasi sipas Vokshit  këto të dhëna do të përdoren për fushatë nga Partia Socialiste.

Bëhet fjalë për të dhëna si emër, mbiemër, numrin e kartës së identitetit dhe numrin e celularit.

Pas denoncimit, ministria është tërhequr nga kërkesa, ndërsa ka sqaruar se këto të dhëna do të shërbenin për krijimin e një rrjeti në kohë reale me prindërit dhe për të rritur transparencën e stafeve në shkolla.

“Qeveria po i mbledh këto të dhëna për t’i përdorur ato në zgjedhje, me identifikimin dhe pastaj presionin për blerjen e votës. PD prej mbrëmjes së djeshme shprehu shqetësimin pas disa denoncimeve të prindërve. Pse po kërkohen këto të dhëna. Në e-mailin e dërguar drejtorive të arsimit dhe dërguar më pas në të gjitha shkollat e vendit, thuhet që brenda datës 10 maj formulari duhet të jetë i plotësuar pa gabime. Urdhri i Edi Ramës dhe Lindita Nikollës shkel haptazi Kushtetutën, ligjin për të dhënat personale, pa ditur qëllimin pse dhe pa pëlqimin e prindërve. Nikolla duhet të tregojë në mënyrë urgjente pse kërkon të dhënat”, u shpreh Vokshi sot në një deklaratë për mediat.

Deklarata e plotë e ministrisë:

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë kërkon të sqarojë komunitetin e prindërve dhe publikun për sa i përket kërkesës për mbledhjen e të dhënave nga prindërit se;

MASR po krijon rrjetin e komunikimit në kohë reale me prindërit dhe mësuesit. Ky sistem do të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e stafeve të shkollave kundrejt komunitetit të prindërve të cilët duhet të jenë sa më të përfshirë me sugjerime dhe këshilla duke qenë të informuar për çdo rezultat apo nismë.

Për ta bërë efektiv dhe të sigurt këtë proces, është parë e nevojshme nga specialistët vendosja e NID si element sigurie, për të shmangur çdo gabim raportimi të të dhënave në emër dhe mbiemër që informacioni të jetë sa më i saktë dhe të shmang dublikimet.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë siguron se këto të dhëna nuk kanë asnjë qëllim të ndryshëm siç interpretohet nga subjekte të caktuara politike, por kanë një dhe vetëm një qëllim, informimin e prindërve se çfarë ndodh në çdo orë mësimi në çdo shkollë të Shqipërisë.

Theksojmë edhe një herë, se të gjitha akuzat drejtuar këtij procesi janë të ulëta, në rastin më të mirë dhe dashakeqe ndaj institucioneve të dijes ku mësojnë fëmijët e shqiptarëve.

Për të shmangur spekulimin politik me këtë detaj që është vetëm teknik, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Nikolla ka nxjerr urdhër për heqjen e kësaj kërkese.

Do të vijojmë më ngritjen e rrjetit të bashkëqeverisjes me prindërit dhe mësuesit edhe në mungesë të elementit NID.

 

Të fundit